Teatri Kombëtar do të rindërtohet aty ku është, ja projekti i qeverisë për rikonstruksionin

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se me ndërtimin e Qendrës Teatrale Multifunksionale dhe rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Baletit çelim një kapitull të ri për institucionet e kulturës.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit ndërtimin e një qendre teatrale multifunksionale në ambientet e ish-Institutit Meteorologjik dhe rikonstruksionin e TKOB, kryeministri Rama theksoi se :“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentat. U pengua rindërtimi i tij, por ne do bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe faktorë të tjerë për të pasur një teatër me standarde bashkëkohore. Ka njerëz që me dashje ose jo e harrojnë vlerën që kanë këto investime, por aty ku nuk ka teatër, muze, stadium e jetë kulturore e sociale nuk ka as bukë. Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, që është në një vend kyç, është mirë që të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan ndërtimin e tij me kohë e me vak. Ëndrra për të pasur më në fund një tetar me të gjitha parametrat me standarde bashkëkohore do të bëhet realitet.” tha Rama.

Kryeministri nuk ka harruar që të përmendë edhe një citim të Kadri Roshit se, “Një artist që nuk bëhet me pluhur në skenë, nuk bëhet artist:, Rama ka thënë se me kaq pluhur sa kanë skenat tona, do kishim mijëra artistë në botë, duke nënkuptuar se skenat nuk kanë nevojë për pluhur, por për kushte me standarde evropiane.

Mbaj mend një shprehje të të madhit Kadri Roshi që thoshte se, “Një artist nëse nuk bëhet me pluhur nuk bëhet artist”, por unë do thoja se “Me sa pluhur ne kemi në salla do kishim çuar në botë mijëra artistë. Skenat tona kanë nevojë për investime serioze dhe me standarde”.

“Qendra Teatrale Multifunksionale do të ketë dy salla teatri. Ajo nuk do të zëvendësojë Teatrin Kombëtar, por do të jetë një alternativë wordpress dhe do te ketë standarde që nuk i kanë patur ndonjëherë aktorët dhe artistët”, nënvizoi Rama.

Duke folur për rikonstruksionin e TKOB, kryeministri Rama u shpreh se do të bëjmë rindërtimin e plotë të TKOB, pasi dyshemeja e skenës rrezikon të shembet, ashtu si prapaskena që është vendgrumbullimi i mbeturinave të vjetra , sistemi elektrik, sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes nuk mbahet mend kur kanë funksionuar për herë të fundit.

Ndër vite, vijoi kryeministri, janë bërë përpjekje për rregullime të pjesshme të TKOB, por asnjëherë nuk është adresuar siç duhet problemi i akustikës, por projekti i ri do ta zgjidhë atë.

 

Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se “arkitektët kanë punuar dhe janë këshilluar me artistët në TKOB, sepse ju e dini ku pikon çatia e profesionit dhe sot arkitektët janë këtu për të prezantuar këto punë të paqme që qeveria ka vendosur të kryejë, sikurse po investon e po ndërton Teatrin e Korçës dhe po restauron dhe Teatrin Migjeni në Shkodër.”

“Një gjë është e sigurt, tjetërkush i shkatërroi teatrot dhe i përdori artistët, tjetërkush e la artin e kulturën në rënie të lirë. Në këto tre vite ne po përpiqemi të rikrijojmë, janë tre projekte teatrore të nisura në një vit”,- tha Kumbaro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *