Albert Kamy, njeriu i revoltuar

Nga Luan Rama

Të jesh i revoltuar sot nuk është diçka e mbrapshtë apo diçka e keqe. Koha kur jetojmë ka nevojë për revoltën. Nëse shkrimtari i madh francez, nobelisti Albert Kamy, (Camus), mbetet aktual në letërsinë dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përherëshme mund ta shpëtojë njerëzimin, mund të shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin dhe progresin e vazhdueshëm të saj. Dhe kjo është universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por dhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik.

Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për ne shqiptarët që rrallë jemi revoltuar dhe revoltohemi, vlen dhe për ne që nuk e njohim dhe aq revoltën qytetare, madje edhe kur na preken nevojat më elementare të jetesës dhe të ekzistencës sonë. Shpesh herë, revolta jonë ka qenë e krisur, e pa kontrolluar, shkatërrimtare, gjer dhe absurde. ”Të pranosh absurditetin e gjithçkaje që na rrethon, – shkruante Kamy para Luftës së Dytë Botërore, – është një etapë, një eksperiencë e nevojshme: dhe kjo nuk duhet bërë një pengesë. Ajo mund të nxisë një revoltë, e cila mund të bëhet e dobishme. Një analizë e nocionit të revoltës mund të na ndihmojë të zbulojmë nocione të afta për t’i ridhënë ekzistencës sonë një kuptim.” Ky është dhe thelbi i mendimit të Albert Kamysë. Një mesazh që kërkon angazhimin e njeriut e të shoqërisë për një vështrim kritik, në mënyrë që të mund të ecet përpara, në mënyrë që të bëhet progres larg demagogjisë politike dhe fshehjes të së vërtetës.

Kamy na mëson se vetëm revolta qytetare mund ta shpëtojë një shoqëri nga absurditeti ku jeton, nga mediokriteti dhe meskiniteti, shfrytëzimi i njeriut, nga makutëria ndaj pushtetit dhe shpërdorimi i saj, nga gjithçka që venit shpirtin njerëzor dhe e sterilizon atë. Sa e sa herë jemi përballur dhe përballemi ne me gjendjet absurde, sa e sa herë në ekranet e televizionit shohim ndeshjet absurde të politikës, ku shpesh ky “absurd” gjer dhe një objekt ndërtimi, një program apo një kryqëzim, kthehet në objekt humori ku mjerisht qeshim të gjithë dhe harrojmë të revoltohemi. Shumë herë dhe vetë gjendja jonë bëhet absurde. Pra ajo që mund ta ndryshojë këtë gjë është revolta përmes fjalës dhe veprimit demokratik.

Gjithë jetën e tij, edhe pse një jetë e shkurtër, ky intelektual i madh i botës perëndimore nuk rreshti së luftuari kundër ideologjive dhe abstraksioneve që largoheshin nga ajo që ishte humane, njerëzore. “Absurdi, – shkruante ai, – lind nga ky përballim midis thirrjes që bën nevoja njerëzore dhe heshtjes së habitshme dhe pa arësye të shoqërisë, botës.”[1] Për Kamynë, kur njeriu kërkon përgjigje ndaj kërkesave të tij dhe nuk i gjen këto përgjigje, kjo krijon një situatë absurde. Dhe përgjigjet rreth kësaj pyetjeje, Kamyja i kërkon veçse në terrenin njerëzor, pra në veprimtarinë e përditëshme njerëzore dhe jo nga hyjnitë, bota e perëndive dhe se ç’thonë ato. Siç e thotë dhe në librin e tij Miti i Sizifit, “njeriu absurd duhet të këmbëngulë dhe të mos i dëgjojë profetët, (e ideologjive apo të fesë), të mos besojë në zgjidhjen e problemeve jetike në imagjinacionet e Ferrit apo të Parajsës, por të ndërhyjë”, pra të revoltohet, siç do ta thotë me forcë ai në veprën e tij më të fuqishme Njeriu i Revoltuar. “Revolta, është një mënyrë për të jetuar absurdin dhe për tu përballur me të.»

Filozofia e absurdit dhe e revoltës, një filozofi ku intelektualët shqiptarë dhe shoqëria civile mund të gjejnë vetveten, është padyshim një nga filozofitë më moderne dhe të nevojshme sot, çka e bëjnë Kamynë një nga mendimtarët e mëdhenj të kohës sonë.

Albert Kamy u largua nga kjo botë në moshën 46 vjeçare, atëherë kur ai mendonte se sapo kishte filluar veprën e tij letrare, edhe pse ai i kishte shkruar tashmë kryeveprat e tij. Rikthimi ndaj veprës letrare dhe mendimit kritik të Kamysë sot nuk është thjesht një kujtesë dhe as thjesht një informacion për gjeneratat e reja. Ai është diçka më tepër. Eshtë një manual mendimi, është një mënyrë të përjetuari të ekzistencës sonë. Ja pse është e rëndësishme të flasim për të, pikërisht, kur ne shqiptarët kemi nevojë për ta dinamizuar proçesin e ndryshimeve tona, për të kundërshtuar atë që na serviret si fati ynë, për të thyer monotoninë dhe qëndrimin në vend “numuro”, për t’i dhënë një vrull të ri proçesit integrues në vlera të reja demokratike, europiane e universale njëkohësisht, për të mos pranuar fyerjen e vazhdueshme dhe për të mbrojtur dinjitetin, për të afirmuar koncepte të reja, novatore që vënë në pikëpyetje praktikat boshe dhe modelet e vjetra të ideologjisë dhe demagogjisë sonë.

Por cili ishte ky njeri që një shekull pas lindjes së tij na përcjell këtë mesazh moderniteti?

Njeriu që vinte nga Mesdheu

Albert Kamy njohu diellin e Algjerisë dhe jetoi brigjet e Mesdheut. Ai ishte nga ata francezë të vendosur prej kohësh në koloninë e dikurshme franceze, në Algjeri. Ai lindi në vitin 1913, në një familje tepër të thjeshtë, ku njohu kazbanë e Mondovisë dhe pastaj të Algjerit, (Tipasa), dhe ku shumë i vogël mbeti jetim, pa mundur ta njihte fytyrën e atit të tij të vrarë në llogoret e Luftës së Parë Botërore. “Mjerimi më pengoi që të besoja se gjithçka shkonte mirë, – do të shkruante për këtë periudhë të jetës së tij Kamy. – Dielli më mësoi se historia nuk është e gjitha.”

Nëna e tij, Catherine Sintès, me origjinë spanjolle dhe analfabete, punonte në shtëpitë e botës që të mbante me bukë dy fëmijët e saj, Lucienin dhe Albertin. Kamyja kishte një dashuri të jashtzakonëshme për nënën e tij gjysmë të shurdhët, edhe pse ajo s’dinte të lexonte. Ajo drobitej në punë dhe pak bisedonte me birin e saj. Kjo heshtje e saj dhe kjo mungesë komunikimi ndihet në disa nga librat e tij.

I sëmurë nga turbekulozi që në adoleshencë, kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të patur një jetë si gjithë të tjerët. Pasioni i tij ishte gazetaria, ku filloi që në Algjeri, përmes Alger Republicain, Ce Soir e gazeta e tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë, e cila do ta bënte një njeri të njohur të Rezistencës franceze. Që në vitin 1935 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste franceze, por në vitin 1937, meqë ai kishte mbrojtur qëndrimet nacionaliste të disa algjerianëve, e cilësuan trockist dhe e përjashtuan nga Partia.

Ardhja në Francë do të përbënte një etapë vendimtare të jetës së tij letrare. Në Paris, ai u vendos së pari në Rue Ravignan, në Montmartre, dhe do të punonte për gazetën Paris-Soir, e më vonë për botimet Gallimard. Më pas, ky djalosh simpatik, me pardesynë e madhe dhe jakën e ngritur, do të binte në sy në lagjen e Saint-Germain-des-Près dhe «Café Flore», ku rrinin Sartri, romani i të cilit, Neveria e kishte entusiazmuar së tepërmi, dhe Simon de Bovuar. Nëse Sartri në atë kohë lexonte Hegel, Husserl apo Heidegger, Kamy parapëlqente Platonin, Spinozën apo Biblën, edhe pse ishte një ateist. Në sallat e teatrove ai u njoh me një aktore të talentuar, vajzën e një ministri republikan spanjoll të emiguar në Paris, Maria Casares. Edhe pse i divorcuar me gruan e parë, Simone Hié, dhe premtimin që i kishte bërë një të dashure tjetër në Algjer, Francine Faure, se sapo të mbaronte lufta do të martohej me të, ai përsëri ishte nga ata që e pëlqente shoqërinë e femrave.

Gjatë luftës, disa herë Kamyja u kthye në Algjer, ku kishte nënën dhe familjen e tij. Më pas, ai do martohej me Francine-n, e cila erdhi në në Lion e pastaj në Paris. Përjetimi i luftës së çlirimit të Parisit ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për gazetarin dhe njeriun e Rezistencës, Albert Kamy. Veçse, imazhet e «epuration», pra e «spastrimit», e «gjuetisë» kundër shkrimtarëve dhe artistët që kishin bashkëpunuar me qeverinë e Vichy-së, apo «qethja e femrave franceze që kishin bërë dashuri me gjermanët gjatë luftës» e kishin trishtuar pa masë.

Nata e së vërtetës

Albert Kamy nuk do ta braktiste kurrë gazetarinë, profesionin e tij të parë. Aq më tepër gjatë luftës, kur jeta klandestine e shtyu atë drejt shtypit klandestin për të pohuar të vërtetën e asaj lufte, pasi në ndeshjen e madhe midis robërisë dhe lirisë, të vërtetës dhe demagogjisë, ishte në fakt lufta për triumfin e së vërtetës. Disa fotografi të asaj kohe, e tregojnë Kamynë, apo Beauchard, siç ishte pseudonimi i tij atë kohë, mes gazetarëve të tjerë të gazetës Combat, (Beteja), të cilën ai e drejtoi. Eshtë një mjedis i çuditshëm, plot dritë e shpresë, një bashkësi njerëzish që kërkonin t’i përcillnin popullit kurajon dhe shpresën e një të ardhme të afërt. Ai punonte atje, në bodrumet e fshehta të Rue Reaumur, mu në zemër të Parisit; atje ku në prag të lirisë do të përjetonte krismat dhe betejën e vërtetë të çlirimit të kryeqytetit. Një ditë para çlirimit, në natën e vonë, ai kishte shkruar artikullin e njohur Gjaku i lirisë. Shumë herë e kam kërkuar atë vend atje ku dikur ishin Les Halles, therrtoret e dikurshme të Parisit, por nuk e kam gjetur. Në artikujt e tij ai përshëndeste heroizmin dhe gjakun e rënë, triumfin e dritës ndaj errësirës. Në mëngjesin e datës 25 gusht, ditën e çlirimit, parizianët kishin në duar editorialin e tij Nata e së vërtetës, ku ndër të tjera ai shkruante: “Kjo natë vlen sa një botë. Eshtë nata e së vërtetës. E vërteta përmes armëve të luftës, e vërteta që më së fundi shfaqet pas shumë kohe, kur ajo ishte duarbosh dhe me gjoks të zbuluar. Ajo është kudo në këtë natë ku populli dhe topi gjëmojnë njëherësh. Eshtë vetë zëri i këtij populli, i këtij topi, është fytyra triumfuese dhe e lodhur e luftëtarëve të rrugës… Katër vjet më parë, midis rrënimit dhe dëshpërimit, kishte njerëz që u ngritën dhe që pohuan qetësisht se jo gjithçka ishte humbur… Dhe ata e paguan me jetën e tyre!”…[2]

Si vallë mund të ketë qenë ajo ditë e lirisë?…

Por Kamy nxitonte. Ai mendonte gjithnjë për botën e pasluftës. Ja pse në esenë e tij Letër drejtuar një gjermani, ai bënte dallimin mes një gjermani dhe një nazisti. Epoka e pas luftës ishte një epokë e lumtur për Kamynë. Ishte një kohë plot udhëtime dhe histori dashurish: një dashuri me një modiste franceze në SHBA, Regine Junier, (e cila i shkroi se do të vriste veten dhe në fakt e vrau pak më vonë); dashuria me një angleze në Paris, apo me një aktore të talentuar pariziane, Catherine Sellers. Ishin dashuri të rastësishme dhe të përkohëshme, përveç Maria Casares, të cilës ai i shkruante: «Ti më përket tërësisht dhe përgjithmonë, ashtu siç pjella i përket nënës së vet.»

Saint-Germain-des-Près jehonte atëherë nga muzika e kabareve ku këndonte Juliette Greco, apo ku i binte trompetës Boris Vian, miku i tij dhe i Sartrit. Nga pikëpamja e ideve, duke u larguar nga komunistët francezë që mbronin stalinistët, ai u afrua me idetë e «Shoqërisë së Hapur», të Karl Popper në Angli, të shpalosura në librin e tij Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, ide që ngacmuan dhe mikun e tij Raymond Aron, një nga teoricienët e demokracisë perëndimore. Popper vlerësonte se duhej luftuar kundër gjithë «murtajave» dhe të gjitha llojeve të dhunave. Pra njeriu i jep një kuptim vetvetes duke luftuar padrejtësinë. Lidhur me të ardhmen e Evropës, Kamy ishte në vazhdë të parullës së hedhur më parë nga Hygo për «Shtetet e Bashkuara të Evropës».

Ndarja me stalinizmin

Eshtë interesante një episod i atyre viteve kur në bulevardin Latour-Maubourg të Parisit, ai takoi një mikun e tij që kthehej nga një mbledhje komunistësh. Atë ditë Kamy i tha:

– Pra ju jeni një komunist tani?

– Po.

– Me një fjalë këtej e tutje ju do të jeni një vrasës.

– I tillë kam qenë dhe më parë, – i ishte përgjigjur ai.

– Edhe unë kam qenë, por tani nuk jam më.

– Por ishit ju ai që më futët në aksionet klandestine.

– Po, por sido që të vijë puna unë do t’u mbroj kundër atyre që nesër do duan t’ju pushkatojnë. Ndërsa ju, ju do të jeni i detyruar ta miratoni pushkatimin tim. Mendohuni!

– Do ta mendoj!… – i ishte përgjigjur miku i tij i luftës.

Në fakt, pas lufte, ngjarjet e dhunës revolucionare kundër disa shkrimtarëve francezë të cilësuar kolaboracionistë, proçesi kundër Slansky-it në Pragë, ardhja në pushtet e Godvaldit stalinist, përjashtimi i Jugosllavisë nga “kampi socialist” dhe protesta më pas kundër shtypjes së kryengritjes anti-sovjetike në Budapest, etj, e bënë Albert Kamynë që të revoltohej kundër dhunës dhe diktatit stalinian, ashtu siç ishte revoltuar kundër çdo lloj dhune, siç ishte dhe rasti i ekzekutimit të komunistëve grekë. Ishte pikërisht ai që dha dorëheqjen nga Unesco, kur ajo pranoi në gjirin e saj Spanjën frankiste. Por sidoqoftë, gjithnjë e më tepër ai largohej nga e majta revolucionare edhe pse vazhdonte të ishte kundër të djathtës së gjeneralit De Gaulle.

Dalëngadalë ai u largua dhe nga miqësia e ngushtë me filozofin Sartr dhe gruan e tij Simon de Bovuar. Biografët e Kamysë tregojnë një episod domethënës nga jeta e Kamysë. Në rrethin e tyre letrar e filozofik të mbledhur gjithnjë në lagjen e Saint-Germains-des-Près, ishte dhe shkrimtari i njohur Arthur Koestler, autori i romanit të njohur Zero dhe Infiniti. Një mbrëmje, ata ishin ulur në një kabare ruse dhe po pinin, kur Kostler, një anti-stalinist i hapur, në bisedë e sipër ia hodhi Sartrit gotën e tij, e cila ra në mur. Ata filluan të zihen dhe Sartri iku, por Koestler këmbë e duar e ndoqi pas. Meqë Kamy donte t’i ndante, ai e tërhoqi Koestler-in, por tjetri ia ngjeshi me një grusht turinjve. Kamyja donte t’i hidhej, por njerëzit që ishin aty nuk e lanë.

Sartri e mori Kamynë dhe bashkë me Bovuar u futën në makinë, por koka e Albertit të dehur kishte rënë mbi timon. Ai qante duke thënë i dëshpëruar: “Ishte miku im dhe më goditi!” Që nga kjo ngjarje, Kamy do të largohej nga Sartri, i cili ishte më pranë komunistëve edhe pse nuk ishte anëtar i saj.

Përballë ndarjes së botës në dy blloqe dhe një “Lufte të Ftohtë” që kishte filluar, Kamy e ndjeu veten të pafuqishëm për të ndryshuar diçka dhe për të udhëhequr një rrugë të re. Atëherë ai u tërhoq dhe u largua si nga grupi i Sartrit, ashtu edhe nga grupimet e tjera. “Roli im, – shkruante ai atë kohë, – nuk është të transformoj botën dhe as njeriun, por ndoshta tu shërbej disa vlerave pa të cilat nuk ia vlen ta jetosh jetën”.

Ai nuk kishte besim tek partitë dhe ideologjitë e kohës. As tek Revolucioni dhe dhuna e tij. Ai ishte kundër çdo lloj violence, nga cilido krah që të vinte ajo. “Njeriu ka bërë shumë revolucione për të ndryshuar gjendjen njerëzore të tij, – shkruante ai, – por ai e ka parë se Revolucionet janë tjetërsuar. Sot, për të ruajtur identitetin e tij, njeriut i duhet të sfidojë realitetin ku jeton. Vetëm revolta e mbron atë, pasi ndryshe ai tjetërsohet. Madhështia qëndron tek revolta e pandërprerë dhe sakrifica për të ardhmen”. Kjo është pra kundërvënia ndaj errësirës. Ajo i jep vlerën së vërtetës. I vetmi besim që ai kishte, ishte sindikalizmi. Utopitë për të tashmë kishin vdekur.

Dy miqtë e zemëruar

Në vitet e luftës, Sartri dhe Simon de Bovuar, (Simone de Beauvoir) ishin ndër miqtë e ngushtë të Kamysë, i cili sapo ishte vendosur në Paris dhe kishte gjetur punë në shtëpinë botuese “Gallimard”. Botimi i romanit I huaji, (L’Etranger), në vitin 1942, u përshëndet nxehtësisht nga Sartri në një artikull të gjatë në shtypin e kohës. Gjatë luftës, Kamy u përpoq ta afronte Sartrin me organizatën e tij klandestine «Combat». Atë kohë ai drejtonte gazetën Combat, e cila shpërndahej fshehurazi në popull. Madje një herë, gjatë një kontrolli në metro, kur ishte me të dashurën e tij, aktoren Maria Casares, Kamy u kap nga Gestapo, por dokumentet komprometuese që kishte me vete ai arriti t’ia japë asaj. Dhe fati e shpëtoi.

Ai ishte në Paris kur filloi lufta për çlirimin e Parisit që para se të hynin amerikanët dhe forcat e gjeneralit francez Leclerc. Madje ai i kërkoi mikut të tij Zhan-Pol Sartr të shkruante një seri reportazhesh nga lufta e Parisit dhe ai botoi në disa numra serialin e tij Tregimet e një kalimtari në Parisin kryengritës. Dhe padyshim, nën peshën e emocioneve, reportazhet e tij mbartnin një art të madh.

Pas lufte, gazeta Combat ishte një nga gazetat më me emër dhe Kamy kishte formulën e famshme të tij: «Një ide, dy shëmbuj dhe tri fletë». Edhe pse më parë dy modelet e tij ishin Revolucioni francez dhe revolucioni rus i Tetorit, shpejt ai do të largohej nga këto modele. Por krahas gazetarisë Kamy do të vazhdonte shkrimin e veprave të tij, të eseve dhe dramave për teatrin e ri.

Që gjatë luftës, në debatet me Sartrin për të përgatitur “të ardhmen”, ata kishin parasysh që t’i propozonin shoqërisë një filozofi të re, një vështrim të ri të botës dhe marrëdhënieve njerëzore, një optikë të re mbi shtetin, kapitalin dhe sindikalizmin puntor. Ja pse Kamy u bashkua me lançimin e revistës së re Kohët Moderne, (Les Temps Modernes), ku ai do të bënte pjesë dhe në komitetin drejtues. Në fakt, edhe pse kishin pikpamje të përafërta, (dhe deri diku në fillim, Kamy ishte i afërt me filozofinë e ekzistencializmit), më vonë Kamy përpunoi filozofinë e tij, atë të absurdit dhe të njeriut të revoltuar, çka e shkëputi nga ekzistencializmi i Sartrit. Madje shumë herë në intervista, ai do ta theksonte se filozofia e tij e absurdit nuk kishte të bënte me nocionet filozofike të Sartrit. Por botimi i esesë Njeriu i revoltuar, (L’Homme revolté), do të shënonte ndarjen mes dy miqve dhe personaliteteve më në zë të mendimit intelektual francez dhe europian të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në një shkrim të revistës Kohët Moderne, një bashkëpuntor i Sartrit e kritikoi veprën e tij, por meqë kjo revistë drejtohej nga Sartri, Kamy e mori si një sulm të drejtpërdrejtë nga miku i tij. Kjo gjë e hidhëroi tepër, edhe pse shumë herë, ngjarjet dramatike të kohës i afronin ata në të njëjtën llogore: kundër diktaturave, stalinizmit, militarizmit dhe luftës, kundër kolonializmit.

Sidoqoftë, debati i tij me Sartrin dhe André Bretonin do të vazhdonte si një debat publik përgjatë një viti. Sartri dhe Bretoni e akuzonin atë se ishte bërë anti-komunist dhe se kishte rënë prehë e «vlerave borgjeze». Por në fakt, lufta e Kamysë ishte për rolin e shkrimtarit dhe artistit në shoqërinë e re. Në mitingun ndërkombëtar të shkrimtarëve në Paris, ai u ngrit në sallën Pleyel, duke thënë se «nuk është lufta ajo që na bën artistë, por është arti që na bën luftëtarë». «Ne, – tha Kamy, – jetojmë në një kohë kur njerëz të shtyrë nga ideologji mediokre dhe përbindëshe, mësohen të kenë turp: turp të jenë të lumtur, të dashurohen, të krijojnë… Fatkeqësia është se ne jetojmë në kohrat e ideologjive dhe të ideologjive totalitare, të sigurta në arsyen e tyre idiote apo një të «vërtetë» dritëshkurtër dhe që e shohin shpëtimin e botës veçse nën dominimin e tyre… Por vepra e artit e mohon diktatin e ideologjisë. Një nga kuptimet e historisë së nesërme është lufta që tashmë ka filluar midis fitimtarëve dhe artistëve…»[3]

Kamy e kishte zgjedhur prej kohe llogoren e tij.

Nga Miti i Sizifit tek absurdi dhe revolta

Vitet 1938-1942 janë vitet më prodhimtare dhe vendimtare të gjithë veprës së Kamysë, pasi pikërisht në këto vite ai shkroi tre veprat e tij madhore: I huaji, Miti i Sizifit dhe dramën Caligula, ose siç thonë kritikët “tre absurdët”. Ai në fakt kishte dëshirë të kalonte nga eseja filozofike në romane apo drama, pra t’i gërshetonte këto gjini të ndryshme artistike. “Nëse do të jesh filozof, shkruaj romane”, – thoshte ai. Duke iu referuar librit Neveria të Sartrit, ai shkruante: ”Një roman është veçse një filozofi e shprehur në imazhe”.

Që në rini të tij Kamy ishte një njeri i pasionuar ndaj filozofisë dhe idea e absurdit u formua gradualisht tek ai, duke kaluar më pas në stadin e njeriut të revoltuar. “Sot nëna vdiq. Ndoshta dje, nuk e di… – e fillon ai romanin e tij I huaji. Personazhi kryesor quhet Meursault dhe është një përzjerje e fjalëve “det” dhe “diell”, (“mer” dhe “soleil”). Eshtë historia e një njeriu, të cilit vdekja e nënës nuk i ngjall asnjë lloj emocioni. Pasi e varros, ai shkon në plazh dhe aty piktakohet me një vajzë që ka qef të shkojë me të. Ajo i kërkon të martohen. Në fakt ai nuk e do atë, por nuk gjen asnjë arësye për ta refuzuar. Me këtë lloj shpërkujdesje, ai miqësohet me një qeraxhi, i cili keqtrajton motrën e një arabi. Dhe kur Mersault është në plazh, në rrethana absurde e arbitrare, ai e vret arabin. Ai është indiferent nga vdekja e arabit, por kur dënohet me vdekje, ai nuk do të vdesë… Gjatë proçesit, kur e pyesin se përse e vrau arabin, ai i përgjigjet gjykatësve: ”Për shkak të diellit!”

Duke iu referuar këtij romani, vite më vonë, Kamy do tu pohonte kritikëve: “Romanin I huaji po e përmbledh brenda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe sensuale. Ja pse lexuesit tentojnë ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Meursault nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigja është e thjeshtë: ai refuzon të gënjejë. Por ai është për mua një njeri i mjerë, i xhveshur, i dashuruar pas diellit, pa hije. Një pasion i thellë e gjallon atë: pasioni për absoluten dhe të vërtetën.»

Në tezën e tij me titull Të vërtetat e Albert Kamysë, studjuesi shqiptar Ardian Marashi, ka nënvizuar pikërisht këtë anë të kontributit të Kamysë: “Ndërgjegja kundër kaosit”, kjo ishte idea që të tjerët kishin për Kamynë, – shkruan ai. – Në epokën e Luftës dhe të hutimit menjëherë pas-lufte, me veprën e tij të rëndësishme dhe qartësinë e fjalës së tij, Kamyja u bë një pikë referimi për të gjithë ata që shikonin tek e vërteta armën më efikase dhe më të sigurtë kundër kaosit dhe gjendjes së pashpresë.”[4]

Edhe në librin tjetër të Kamysë, të shkruar paralelisht me romanin I huaji, pra Miti i Sizifit, në thelb është analiza e njeriu absurd, e gjendjes së tij të hedhur në një botë absurde. “L’absurd naît de cette confrontation entre l’appel humain et le silence déraisonable du monde”.[5] Kamy nënvizon se është “divorci midis shpirtit që dëshiron dhe botës që e zhgënjen”. Pra është gjendja e njeriut të dënuar si Sizifi, të cilit i duhet të ngrejë gurë të mëdhenj në majë të një mali dhe që bien përsëri; e njeriut që nuk gjen përgjigje për pyetjet e tij dhe që ndihet “i huaj në një botë pa të vërteta”. “Atëherë një problem filozofik shtrohet para nesh, thotë Kamy: vetvrasja! Por nëse duhet të jetojmë, ne duhet të dijmë ta kapërcejmë absurdin dhe të imagjinojmë Sizifin e lumtur… Sizifi i lumtur i sfidon Perënditë”.

Më vonë, në figurën e Prometeut, ai do të shohë revoltën, si rrugëzgjidhje të një jete të denjë. Në fakt, tema e absurdit dhe e revoltës do ta përshkojë tërë veprën e Kamysë, veçanërisht në “tre absurdët” e tij. Në romanin La peste, (Murtaja), ngjarjet zhvillohen në Oran të Algjerisë. Në qytet ka rënë murtaja dhe minjtë ngordhin rrugëve. Murtaja i dënon njerëzit me ndarje, me vetmi dhe vdekje. Disa tentojnë të ikin, ndërsa të tjerë, siç janë Tarrau dhe doktor Rieux, kronistë të këtyre ngjarjeve, qëndrojnë të bëjnë rezistencë. Por revolta e tyre është intime, jo shoqërore. Murtaja për Kamynë është një sëmundje ashtu si dhe absurditeti, një sëmundje e shpirtit ndaj së cilës çdo fitore është provizore, pasi një ditë, murtaja do të rishfaqet. Por murtaja është njëkohësisht dhe nazizmi, fashizmi, stalinizmi e çdo lloj totalitarizmi.

Drama Caligula (Kaligula), është padyshim një kryevepër e artit teatral. Caligula ishte një njeri i zakonshëm deri në vdekjen e motrës së tij Drusilla, e cila i zbuloi atij absurditetin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Që nga ai çast, ai u bë një tiran i pamëshirshëm, duke pretenduar se mishëronte figurën e fatit, më qëllim që t’u tregonte njerëzve se ai do t’i çlironte nga nënshtrimi ç’njerëzor.

Njeriu i revoltuar gjeti jehonë të madhe, por dhe ngjalli shumë debate ndër intelektualët e kohës, pasi Kamyja shtronte në të çështjen e dyfishtë të revoltave estetike dhe të atyre historike. Ai e kritikonte qëndrimin “romantik” të një revolte poetike, shfaqje e fundit e së cilës kishte qenë surrealizmi, i cili në fund të fundit përfundoi në konformizëm. Kurse lidhur me revoltën historike, Kamyja e dënonte optikën nihiliste në tentativën revolucionare, idenë e shkatërrimit dhe që e shikonte lumturinë në kohrat e ardhshme. Siç e thotë dhe kritiku francez Daniel Rondeau në librin e tij Kamyja apo premtimet e jetës, «Kamyja mishëroi në kohën e vet modelin e intelektualit të angazhuar”,[6] pasi ai zgjodhi revoltën dhe jo Revolucionin. Madje, që kur ia dërgoi dorëshkrimin e Njeriut të revoltuar një mikut të tij që ta lexonte, ai e kishte paralajmëruar: “Me këtë libër ti do të bësh shumë armiq”. Po, dhe në rradhë të parë me komunistët, pasi ai e kritikonte komunizmin stalinist, këtë gënjeshtër të prodhuar në Moskë. Ja pse atë filluan ta kritikonin ngado për pozicionet e tij humaniste, për moralin e tij të “Kryqit të kuq », pasi ai shprehej kundër të gjitha revolucioneve, meqë revolucionet do të thonin në fund të fund dhunë.

Padyshim që në historinë e letërsisë franceze, Kamy do të mbetet si krijuesi i koncepteve moderne në letërsi: njeriu i revoltuar, absurdi, revolta ndaj absurdit. “Unë nuk jam filozof, – shkruante ai, – dhe as nuk pretendoj të jem”. Në fletoret e tij kanë mbetur shënimet rreth koncepteve mbi absurdin, drejtësinë, dashurinë, violencën, siç e shohim dhe në esenë e tij filozofike Refleksione mbi gijotinën, në kohën kur në vendlindjen e tij në Algjer, gijotina bënte kërdinë. “Tri absurdët”, pra I Huaji (roman), Kaligula (pjesë teatri) dhe Miti i Sizifit (ese), tregojnë për shqetësimin e tij për të folur rreth absurdit dhe absurditetit që mbretëron në shoqërinë njerëzore. “Je me revolte, donc nous sommes”! – thoshte Kamy. “Unë revoltohem, pra ne ekzistojmë»! Për të, «vetëm nga revolta lind lumturia; «lufta drejt majave, mjafton për të mbushur një zemër njeriu… Revolta kundër absurditetit mund t’i shërbejë jetës. Pozicioni i vetëm filozofik dhe koherent është ai i revoltës, «un confrontement perpetuel de l’homme à sa propre absurdité».[7]

Rënia

Në fillim të vitit 1956, Kamy vuante krizën e shkrimtarit, krizën e atij që i duket se s’ka shkruar asgjë me vlerë në këtë botë dhe se diçka e madhe e ka shterrur frymëzimin e tij. Ai ndjehet i dëshpëruar, i trishtë dhe orë të rëra e kalon duke menduar se krijimtaria e tij kishte marrë fund. Nga ana tjetër, gjendja në familjen e tij ishte bërë tepër e rëndë për shkak të sëmundjes së Francine-s dhe anktheve të shpeshta të saj. E megjithatë ai e mbaroi dorëshkrimin që kishte nisur prej disa kohësh dhe që mendonte ta titullonte Le Cri, (Klithja). Këtë dorëshkrim ai ia dërgoi një mikeshe të tij të afërt, duke i shtuar: “Kam frikë se mos Francine do të lëndohet…” Nuk kalojnë shumë kohë dhe ai i shkruan përsëri asaj: “Tregimi do të botohet nën titullin Le Cri. Por tani jam shkëputur nga ai tregim dhe kam dëshirë të shkruaj diçka tetër, madje jam në ethe, ashtu si të burgosurit që duan të kapin vitet e tyre të humbura”. Pra, pas botimit të esesë Njeriu i Revoltuar në vitin 1951, pesë vjet më vonë, Kamy botoi Le Cri, apo siç e titulloi përfundimisht ai La Chute, (Rënia), e cila do të vihej në skenë dhe në teatër. Ishte si të thuash historia e tij, historia e një njeriu të brejtur nga faji, pse nuk e kishte shpëtuar një grua që kishte vdekur nga dëshpërimi. Një vështrim filozofik për njeriun dhe kohën, por dhe refleks i jetës personale të tij dhe gruas Francine. “Po kaloja mbi urë anash bordurës së përkulur të atij parmaku që dukej sikur shikonte nga lumi. Shumë pranë pikasa figurën e hollë të një vajze të veshur me të zeza. Midis flokëve të errta dhe jakës së palltos së saj, shquhej vetëm zverku i njomë e i qullët, pas së cilës dçka ndjeva. Por pas një hezitimi, vazhdova rrugën. Kisha ecur tashmë nja pesëdhjetë metra kur dëgjova një zhurmë, që megjithëse errësirë, m’u duk e diçka e hatashme në heshtjen e asaj nate, zhurmën e një trupi që binte mbi ujë. Ndalova menjëherë. Pothuaj në të njëjtën kohë dëgjova një klithmë që u përsërit disa herë dhe që binte edhe ajo mbi lumë, duke u shuar pastaj menjëherë…”

Kur tregimi u botua, ai u prit me shumë sukses, edhe pse të gjithë e kuptojnë se është një tregim autobiografik, madje e para ishte Francine. Heroi i tregimit është një avokat me emrin Jean-Baptiste Clamence, por të gjithë shohin tek kjo figurë vetë Kamynë, intelektualin e së majtës franceze të asaj kohe, ose një përzjerje Kamy-Sartre, një njeri që ka shumë armiq dhe që ngado e kritikojnë, e shajnë dhe e godasin. Ai shëmbëllen me të, me krizën e tij. Në simbolikën e gruas që kërkon të hidhet në Senë nga ura “Pont des Arts” kritikët shohin vetë Francine-n që kishte tentuar të vriste veten në vitin 1953, si në Algjer ashtu dhe në Paris. “Klithma e gruas që Clamence nuk arrin ta shpëtojë, është klithma e gruas së tij”, – shkruan biografi i Kamysë, Olivier Todd.

Dhe pikërisht pas këtij romani që i ngjan më tepër një monologu dramatik dhe që është një rrëfim dostojevskian, në Paris erdhi lajmi se Albert Kamy ishte shpallur nobelisti i vitit për letërsinë, si një autor që “me veprën e tij ka nxjerrë në pah problemet që shtron sot koha në ndërgjegjen e njerëzve”. Shkrimtari dhe filozofi që i urrente dekoratat dhe që kishte deklaruar se nuk do të pranonte ndere, madje as dhe antarësinë në Akademinë Franceze, mori rrugën drejt Stokholmit për të marrë titullin e madh, atë titull që disa vjet më vonë Sartri do ta refuzonte. “Ja një nga emrat e rrallë të zërave letrare që dolën nga kaosi i pasluftës në tonin harmonioz e të saktë të humanizmit”, – shkruante ato ditë New York Times.

Në fjalët e tij në ceremoninë e 10 dhjetorit të vitit 1957, Kamy do t’i drejtohej botës: “Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre që bëjnë historinë, por të atyre që e pësojnë atë… Në të gjitha rrethanat e jetës së tij, në rrethana të errta apo në momente fame, i hedhur në hekurat e tiranisë apo i lirë për një kohë kur mund të shprehet, shkrimtari mund ta rigjejë ndjesinë e komunitetit që do ta kuptojë atë, nëse ai përballon dy detyra të mëdha që ka ky profesion: shërbimin ndaj së vërtetës dhe ndaj lirisë… E vërteta është misterioze, që të shket dhe që duhet ta gjesh atë. Liria është e rrezikshme, e vështirë ta jetosh po aq sa është dhe ekzaltuese. Ne duhet të ecim drejt këtyre dy qëllimeve të mundimshme dhe duhet të ecim me vendosmëri.”

Po, Kamy e dinte se për të, ashtu si për çdo artist, kjo udhë e së vërtetës dhe e lirisë ishte e vështirë dhe shpesh zhgënjyese. E megjithatë ai ecte, ngjitej nën siluetën e një Sizifi që mbante mbi vete shpresë, një shpresë të madhe. Megjithë suksesin e madh të tij, Kamy ishte një njeri thellësisht i dëshpëruar, jo vetëm pse vazhdimisht ishte i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, por dhe sepse nuk po arrinte të shkruante vepra të tjera.

Teatri, ky pasion i pashuar

Albert Kamy ishte njeri i teatrit. Gjithë jeta e tij letrare kaloi nga skena e teatrit, bashkëjetoi me të, me shfaqjet teatrale dhe pasionin e skenës. Ishte pasioni i hershëm i tij. Që në vitin 1936, ai kishte themeluar “Teatrin e Punës”, një teatër për publikun e thjeshtë e të varfër, duke vënë në skenë tema sociale dhe historike, duke iu drejtuar autorëve të tij të preferuar si Eskili, (me Prometeun), Dostojevski, (Vëllezërit Karamazov), Gorki, (Basifondet), Malraux, (Koha e përbuzjes), Gide, (Kthimi i djalit gjeni), etj. Madje ai eksperimentoi dhe krijimin e dramës kolektive, siç ishte vënia në skenë e pjesës Revolta e Asturias. Edhe pas luftës, ai iu rikthye përsëri teatrit, duke shkruar drama të njëpasnjëshme apo romane që adaptoheshin si pjesë teatrale. Shtet-rrethimi, Të Drejtët, Murtaja, Kaligula… Albert Kamy shkëlqente si në esetë filozofike, në romane e tregime, (Dasma), ashtu dhe në teatër. Madje në vitet 50’ ai adaptoi për teatrin francez dhe një sërë autorësh të dashur të tij si Dostojevskin, Buzatin, Folkner, Kalderon, etj.

Në shumë letra të tij, apo shënime ditari, ai tregonte vuajtjen e madhe të tij. Madje dhe aktorja Casares, me dashurinë e saj nuk arriti ta bëjë të gëzuar. Për këtë qëllim, me paratë e çmimit “Nobel”, Kamy bleu një shtëpi në jug të Francës, në Lourmorin, në Vaucluse, diku midis vreshtave, që të mund të shkruante larg Parisit. Por shpejt ai e kuptoi se nuk mund të bënte pa kryeqytetin e tij. Kjo gjendje e tij ishte rënduar në fakt dhe nga depresioni i gruas së tij Francines, e cila tentoi të vriste veten. Madje dhe ai, shpesh herë kishte patur idenë e vetvrasjes, e ndjesisë së absurdit dhe të jetës në një tunel të errët e të pafund. I ndodhur përballë kritikash letrare, veçanërisht ndaj librit L’Homme revolté, (Njeriu i revoltuar), si dhe filozofisë së tij të absurdit dhe revoltës, ai përjetoi një kalvar të vërtetë.

Megjithatë, në vitin 1959, ideja e një romani të ri kishte lindur tek ai: ishte Njeriu i Parë, (Le Premier Homme), roman që siç thoshte ai, do të ishte një lloj afresku për nga përmasat dhe kohën që do të trajtonte. Madje kur e pyesnin ato kohë, ai u thoshte miqve të tij duke qeshur se, “po shkruante Luftën dhe Paqen e tij”, duke iu kujtuar analogjinë me romanin e Tolstoit, të cilin ai e adhuronte si shkrimtar. Po, ishte një roman për jetën e tij, kushtuar nënës së tij, të cilën e donte më shumë se çdo gjë tjetër në botë, atë nënë analfabete në ato shtëpi të varfëra në Rue de Lyon në lagjet popullore të Algjerit, atë nënë të pafjaltë e gjithë mirësi që e shihte veçse në mbrëmje pas pune, atë grua që kishte përballuar dhimbjet dhe vuajtjet e jetës dhe që ashtu heshturazi i kishte dhënë aq shumë dashuri. Ja pse dhe këtë libër ai ia kushtonte nënës, “A toi qui ne pourras jamais lire ce livre”.[8]

Kamy nuk e kishte njohur kurrë të atin e tij, Lusien Kamy (Lucien Camus), që gjatë luftës së parë botërore, bashkë me batalionin e tij të “zuave”-ve kishte shkuar në frontin francez, atin që kishte vdekur në një spital nga plagët që kishte marrë. Kur Kamy kishte shkuar për herë të parë pranë varrit të tij, (në roman është personazhi Jacques Cormery në rolin e tij), ai kishte pikasur se ai njeri që ishte ati i tij, kishte vdekur më i ri se sa ç’ishte Kamy në atë çast dhe kjo gjë e kishte tronditur: «… Ajo valë dhembshurie dhe keqardhje që sapo e pushtoi zemrën e tij, nuk ishte ndjenja shpirtërore që ka biri për kujtimin e babait të zhdukur, por mëshira tronditëse e një njeriu që ndjen para një fëmije të vrarë padrejtësisht. Diçka nuk ishte normale dhe siç duhej, dhe të thuash të drejtën brenda kësaj kishte absurditet e kaos, në atë që biri ishte më i moshuar se i ati. Në kohën që kalonte, ai përpëlitej brenda vetvetes pa lëvizur, mes atyre varreve që nuk po i shikonte më dhe vitet pushuan të ecnin rregullisht duke ndjekur lumin e madh që shkon drejt fundit. Dhe nuk ishin vetëm përpëlitje, sajme, trallisje, ku Jacques Cormery luftonte tashmë me ankthin dhe mëshirën. Ai vështronte gurët e varreve të tjerë të atij kuadrati dhe nisur nga datat pikasi se kjo tokë ishte mbushur me fëmijë që kishin qenë etër të atyre burrave që tashmë u kanë filluar thinjat e që mendonin se do të jetonin. Ai besonte se jetonte, se ishte rritur vetë dhe e njihte forcën e tij, energjinë e tij, se i bënte ballë jetës dhe dinte të mbahej. Por në trallisjen e çuditëshme që ndodhej në ato çaste, ajo statujë që më së fundi çdo njeri ngre dhe e përforcon gjatë viteve për tu shuar pastaj, për të arritur në shpërbërjen e fundit, ajo statujë krisej me shpejtësi dhe tashmë shëmbej. Nuk ishte më veç ajo zemër e mbërthyer nga ankthi, e etur për të jetuar, e revoltuar kundër rendit të jetës që shkon drejt vdekjes, e cila e kishte shoqëruar gjatë dyzet vjetëve dhe që rrihte gjithnjë me të njëjtën forcë kundër murit që e ndante nga e fshehta e një jete të tërë, duke dashur të shkojë më larg e të dijë, të dijë para se të vdesë, të dijë më së fundi për të ekzistuar, një herë të vetme, një herë të dytë të vetme, dhe përgjithmonë…»

Ky ishte Le Premier Homme, i pambaruar, kjo «klithmë e jetimit të pangushëlluar», siç do të shkruante kritiku George de Brulon, në një kohë që siç thoshte Kamy, «unë nuk kam shkruar veçse një të tretën e veprës time».

Njeriu që i donte aq shumë gratë

Kur redaktonte Kamy librin e tij të fundit, Le Premier Homme, i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’ai quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Kam dashur katër gra njëherësh dhe kam bërë një jetë boshe»)… Katër gra kishin lënë gjurmë te ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera: Francine, Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, aktorja Caterine Sellers që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale Requiem pour une nonne në vitin 1956 dhe Mi, danezja e re të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957. Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhe donte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoi dhe një libër, Libri i Melusine-s, por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë. Dhe ai do të pikëtakonte në udhën e tij plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkrun se «ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë». Tek Miti i Sizifit, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani. Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “F.a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes”, shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmendte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj. Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parizian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm… E megjithatë, Kamy ishte me to gjithnjë i sinqertë, i hapët. Dhe kur Maria Casares do t’i shkruante të vërtetën, në mënyrën e tij: ”Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht. E çuditshme, por e vërtetë. Madje dhe ditët e fundit të jetës së tij, ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohëshme, me letrat që u dërgonte, apo takimet e fshehta. Më 29 dhjetor, ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të marrë avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrëshme, na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë».

Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla Catherine Sellers dhe po atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»… Por më 31 dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…» Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë?

Një udhëtim i ndërprerë

Një herë, kur kishte çuar të dashurën e tij në Auvers-sur-Oise për të parë dhomën e piktorit Van Gogh në atë bujtinë province, kur ai banonte atje para se të vriste veten, duke shkuar me makinë, Casares i kishte thënë që të ecnin ca më shpejt se sikur shumë ngadalë e kishte marrë. Por Kamy i ishte përgjigjur: ”S’ka gjë më idiote sesa të vdesësh nga një aksident automobilistik”. Dhe kjo që nuk pritej do t’i ndodhte disa vjet më vonë, rrugës kur ai po kthehej në Paris bashkë me mikun e tij Michel Gallimard dhe gruan e botuesit.

Ata ishin 22 km larg Parisit, kur një plasje gome e makinës i përplasi ata tek një pemë. Kamy që ishte përpara mbeti i vdekur. Ora e tij kishte ndalur në momentin e përplasjes fatale: 13.55’. Disa dhjetra metra më tutje, u gjet çanta e përbaltur e Kamysë, ku kishte dorëshkrimin e romanit të papërfunduar Njeriu i Parë. Madje në çantë i gjetën dhe një horoskop, ku ai kishte shënuar: “Vepra kryesore që të bën të pavdekshëm do të jetë midis viteve 1960-1965”. Ngjante se gjithçka ishte parathënë nga vetë ai. “Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, me një rrugë të gjerë 9 metra dhe pa trafik”, ka shkruar biografi i tij, Herbert R. Lotman në librin Kamy.[9] Disa analistë kanë parë tek ky aksident dorën e KGB-së sovjetike, të kryer me urdhër direkt të ministrit të Brendshëm rus të asaj kohe, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Kamyja e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë, në një artikull të gazetës Franc tireur, në mars të vitit 1957. Këtë gjë e pohonte poeti dhe përkthyesi çek, Jan Zabrana, në një faqe të ditarit të tij Cely Zivot, (E gjithë jeta), i publikuar pas vdekjes së tij në vitin 2004. Por kjo padyshim mbetet veçse një hipotezë edhe pse është pohuar nga një njeri konkret.

Nobelisti më i ri në moshë, ikte në moshën 46 vjeçare. Ikte shpejt drejt udhës së përjetësisë së tij, pa mundur të linte pas kryevepra të tjera. Dhimbja në botën letrare ishte e madhe. Në një nga artikujt më prekës që përshëndesnin largimin e Kamysë, ishte dhe artikulli i Sartrit, i botuar në France-Observateur, ku ai shkruante: “Ne ishin hidhëruar me njëri-tjetrin, por kjo nuk ishte asgjë para asaj që do të na duhej të jetonim që të mos shiheshim më kurrë dhe të mos gjenim një tjetër mënyrë për të jetuar së bashku»… Po në këtë artikull, ai do të shtonte: ”Në këtë shekull, ai përfaqsonte trashëgimtarin aktual të një liste të gjatë moralistësh, veprat e të cilit përbëjnë ndoshta atë që është më origjinale në letërsinë e sotme franceze. Humanizmi i tij këmbëngulës e i pastërt, i ashpër dhe sensual, i bënte një luftë të madhe fenomeneve të deformuara të kohës sonë. Por epokës sonë, ai i riafirmoi luftën kundër makiavelistëve”.

Autori i Njeriut të Revoltuar na la pas mesazhin e revoltës. Jo thjesht si një lexim enciklopedik apo thjesht për të mbushur kohën, por për të kuptuar dimensionin dhe rolin e ekzistencës dhe jetës sonë, për të pyetur vetveten se cilët jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë? Eshtë për të vajtuar po të vazhdojmë të qeshim me absurdin dhe të mos revoltohemi!

[1] Albert Camus, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.

[2] Albert Camus, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.

[3] Botuar në Actuelles, écrits politiques, Albert Camus, Ed. Folio, Paris, 1950.

[4] Les verités d’Albert Camus, Ardian Marashi, Diffusion ANRT, Thèse à la carte. Paris.

[5] «Absurdi lind nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së pa arësyeshme të botës».

[6] Camus ou les promesses de la vie, Daniel Rondeau, Paris.

[7] «Një konfrontim i përjetshëm i njeriut me absurditetin e tij».

[8] “Ty që kurrë nuk do ta lexosh këtë libër”.

[9] Albert Camus, Herbert R. Lottman, Ed. du Sud, Paris,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *