Sepse dashuria nuk është gjithmonë e lehtë

Nga Sindi Bego

Ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë surprize fati mund të ketë përgatitur për ne. Ne gjithmonë jetojmë të sotmen, me shpresën se e nesërmja do jetë më e mirë dhe presim me padurim shfaqjen e një rrezeje të vogël dielli, në qiellin tonë të ngrysur. As Zhaklina nuk e merrte kurrë me mend, se një njeri për të cilin nuk kishte dëgjuar ndonjëherë, do të kthehej në mbështetjen e forcën e saj më të madhe brenda një nate. Një natë do të mjaftonte për të ndryshuar jetën e saj përgjithmonë. Zhaklina dhe Lukasi ishin dëshmitarë të një dashurie të madhe, por jo të lehtë. Ata ishin prova më e pastër se dashuria mund të mos jetë gjithmonë e lehtë. Momenti i njohjes së tyre ishte një nga gjërat që e ndalonte Zhaklinën i afrohej ,sepse të qenit afër me të, i kujtonte natën më të keqe të jetës së saj dhe faktin që Lukasi dhe pse ishte një njeri i panjohur për të, ishte kthyer në shpëtimtarin më të madh dhe e kishte parë në gjendjen e saj më të keqe. Kjo gjë bënte që Zhaklina ti qëndronte larg dhe ta shmangte vazhdimisht. Por fati nuk e lejoi një gjë të tillë. Fati i afronte çdo ditë e më shumë derisa u bënë të pandashëm dhe gjetën mbështetjen te njëri-tjetri. Jo çdo gjë ishte aq e lehtë. Zhaklina ishte viktimë e dhunës, ndërsa Lukasi kishte kaluar një fëmijëri tepër të vështirë dhe kjo gjë e kishte kthyer në një njeri të ngurtë e të egër. Ai e shihte Zhaklinën si një krijesë që kishte nevojë për mbrojtje dhe u betua ta ruante atë për të mos e humbur ashtu si kishte humbur të ëmën. Përkrahja e tij , pas vdekjes së se ëmës, kishte qenë një mik i vjetër i babait. Ai e kishte edukuar dhe e kishte nxjerrë nga rruga, gjë të cilën i ati i tij nuk mundi ta bënte. Pas vdekjes së të shoqes ai kaloi në një gjendje vetmie dhe nuk u kujdes për djalin e tij. Kjo gjë e bëri Lukasin të përballej vetë me jetën që në moshë akoma të re dhe të mësonte gjëra që moshatarëve të tij mund tu dukeshin të pazakonta. Njohja me Zhaklinën ishte si një shpëtim për të sepse ashtu si Lukasi u bë forca e saj më e madhe,ashtu dhe Zhaklina qëndroi afër tij dhe e ndihmoi të kalonte një traumë që kishte vite të tëra që e jetonte. Kjo ishte një provë dashurie. Me këtë histori autorja Tammara Webber në librin e saj “Easy”na tregon se sa e bukur mund të jetë dashuria në qoftë se, ne dimë ta ruajmë. Është ajo që na jep forcë edhe kur mendojmë se nuk mundemi më. Është diçka që ka lindur me njerëzimin dhe do e shoqërojë gjithmonë atë. Pa dashuri asnjëri nga ne nuk do ekzistonte, ose bota ku jetojmë do ishte një vend i urryeshëm. Çdo njeri e vlerëson dashurinë, ndaj shkrimtarët shkruajnë romane të tëra e muzikantët i dedikojnë nota. Artistët e tillë janë akoma dhe më të lidhur me dashurinë, sepse ata bëhen dëshmitarë të dashurive të ndryshme,të cilat nuk kanë gjithmonë të njëjtën rrjedhim. Në shkrimin tim të mëparshëm fola për historinë që do doja të lexoja gjatë verës, ndërkohë ajo çka lexova ishte shumë ndryshe nga dëshira ime. Por mund të them se kjo ishte historia e duhur që mund të lexoje kur ishe shtrirë në shezllonin e plazhit dhe kishe një dëshirë të madhe për të lexuar një histori të bukur që të linte mbresa. U dashurova me këtë libër që në faqet e para, e refuzoja ta hiqja nga duart derisa ta mbaroja. Ishte diçka ndryshe nga ato që kisha lexuar deri tani dhe mendoj se për këtë arsye më pëlqeu aq shumë. Ishte një histori e bukur dashurie ku dy persona provuan se po të ishin bashkë, do ti kalonin të gjitha dhe do të buzëqeshnin në fund. Ka shumë njerëz që nuk e besojnë dashurinë dhe mendoj se e kanë gabim,çdo gjë që ne jetojmë përditë ka lidhje me dashurinë,sepse ne shpërndajmë dashuri çdo ditë te personat e dashur dhe e marrim mbrapsht këtë dashuri. Ne nuk kemi dashuri vetëm për partnerin e jetës. Dashuria më e madhe është ajo për familjen, gjithashtu ne kemi dashuri e për miqtë që kemi afër. Pra, në të gjitha mënyrat ne shpërndajmë dashuri te njerëzit, ashtu si personazhet e librit “Easy” të Tammara Webber ardhur në shqip nga botimet “Pegi” nën përkthimin e Aida Musait, që të tregojnë se dashuria nuk është gjithmonë e lehtë, por asnjëherë e pamundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *