Letra e një 24 vjecari, drejtuar njerëzimit!

Është e lehtë të kapësh e të humbasësh fillin në jetën e përditshme. Ne jemi koshient që trurin tonë dhe dhuntitë tona, i përdorim në vendin e gabuar në mënyrë të gabuar, si të stresohemi dhe të humbasim gjumin për gjëra të vogla që na mbajnë zgjuar gjithë natën. Unë jam vetëm 24 vjeç dhe e kam zgjedhur kravatën time të fundit. Është ajo që do të vesh në funeralin tim disa muaj më pas. Mund të mos kombinojë me kostumin, por mendoj se është perfekte për rastin. Diagnoza e kancerit erdhi shumë vonë për të më dhënë qoftë edhe një shpresë të vakët për një jetë të gjatë, por kam kuptuar se gjëja më e rëndësishme rreth vdekjes është të sigurohesh që po e lë këtë botë më të mirë sesa ishte para ekzistencës dhe kontributit tënd. Mënyra si kam jetuar deri tani, ekzistenca ime ose më saktë humbja e saj nuk do të ketë rëndësi, sepse unë kam jetuar pa bërë ndonjë gjë kuptimplotë apo që të ketë impakt. Më parë ka pasur shumë gjëra që më mbanin kokën dhe mendjen të zënë. Kur mësova sesa kohë më ka mbetur ende, u bë e qartë se cilat gjëra kanë rëndësi. Kështu unë po iu shkruaj për një arsye egoiste, dua ti jap kuptim ekzistencës sime duke ndarë me ju çfarë kam kuptuar:

-Mos e harxhoni kohën në një punë që nuk iu pëlqen. Është e dukshme që nuk do të keni sukses në diçka që nuk e doni. Durimi, pasioni, dedikimi, vijnë shumë thjesht nëse e doni atë që bëni.

-Është budallallëk të kesh frikë nga opinioni i të tjerëve, frika të dobëson dhe të paralizon. Dhe kjo do të përkeqësohet aq sa do të ngelet vetëm guacka juaj. Dëgjoni zërin e brendshëm dhe ndiqeni. Disa mund t’iu quajnë të çmendur, por të tjerë mund t’ju quajnë legjende.

-Merrni kontrollin e jetës tuaj. Pranoni përgjegjësitë e plota për çfarë iu ndodh. Limitoni zakonet e këqija dhe jetoni shëndetshëm. Gjeni një sport që iu pëlqen. Jepini formë jetës tuaj nga vendimet që merrni jo nga ato që nuk keni marrë.

-Vlerësoni njerëzit rreth vetes, miq, të afërm sepse do të jenë burim i pashtershëm dashurie dhe force, prandaj mos i merrni për të mirëqenë. Është e vështirë për mua të shpreh plotësisht ndjenjat e mia rreth rëndësisë së këtyre fjalëve, por shpresoj të dëgjoni dikë që e ka provuar vlerën e kohës. Nuk jam i mërzitur, sepse e kuptoj që ditët e mia të fundit janë bërë kuptimplota. Ne kujdesemi aq shumë për trupin, për integritetin e tij fizik deri në vdekje dhe nuk vëmë re që trupi është vetëm dhe thjesht një kuti. Një parcelë që përcjell personalitetin, besimet, mendimet, qëllimet në këtë botë. Nëse nuk ka asgjë në këtë kuti që mund të ndryshojë botën atëherë nuk ka rëndësi nëse do të zhduket. Unë besoj se të gjithë kemi potencial, por e di që duhet shumë kurajo për ta realizuar. Mund të pluskosh në një jetë të krijuar nga rrethanat duke humbur dite pas dite, orë pas ore ose mund të luftosh për çfarë beson duke shkruar historinë e jetës tënde! Shpresoj të bëni zgjedhjen e duhur. Lini një shenjë në këtë botë, jetoni një jetë me kuptim, cilido qoftë përkufizimi juaj për këtë. Vendi që po lëmë është një park lojrash i mrekullueshëm ku gjithçka është e mundur . Gjithsesi nuk jemi këtu përgjithnjë. Jeta jonë është një shkëndijë e shkurtër në këtë planet të vogël të mrekullueshëm që fluturon me shpejtësi të pabesueshme drejt errësirës pafund të universit të panjohur. Gëzojeni kohën tuaj këtu me pasion. Bëjeni interesante. Bëjeni të vlejë!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *