Retrospektivë: Dhjetë këngë për tu kujtuar nga Elsa Lila

Elsa Lila mbetet një nga këngëtaret e skenës shqiptare me një zë tepër të veçantë. KultPlus sjell në retrospektivë dhjetë nga këngët e saj më të njohura dhe më të pëlqyera nga publiku.

Në vitin 1996 ajo do të këndonte për herë të parë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, si 15-të vjeçare. “Pyes lotin” u bë një himn i asaj kohe të vështirë për shqiptarët. Elsa Lila, me këngën e Valentin Veizit, bëri thirrjen e saj për dashuri, ëndërr e shpresë.

“Diferenca je ti” bëri bashkë Elsa Lilën dhe kantautorin Pirro Çako. Kënga mbetet ndër ato që nuk harrohen lehtë dhe gati bën dhjetë vite qëkur është krijuar.

“Valeria” e Elsa Lilës e solli shqiptaren në Sanremo – festivalin e madh të muzikës në Itali. Emocioni i kësaj kënge nuk kërkon shumë fjalë.

“Lahutari gjëmon”, një këngë e Rilindjes Shqiptare, një këngë që në këtë performancë Elsa Lila e sjellë siç nuk do të bënte askush pas saj. Elsa Lila versionin e saj e sjellë në mënyrë romantike dhe të përjetuar.

Kënga “Mall” është një tekst i fuqishëm, për mallin e mërgimit, për largimin dhe për faktin se shpesh duhet braktisur dikë të dashur, për një fillim të ri. Se sa i vështirë është një vend i huaj, e tregon kjo këngë ku Elsa jep çdo pikë të ndjenjave të saj.

“Vetëm një fjalë” është këngë më e vjetër e Elsa Lilës, në kohën kur ishte më aktive në muzikë. Edhe kjo këngë, si shumica të kënduara nga zëri i veçantë i artistes, është në kërkim të diçkaje kaq të thjeshtë që mund të ndryshojë jetën e dikujt, ose vetë jetën e saj. Kënga fitoi festivalin Kënga Magjike pikërisht në vitin e kobshëm kur në Kosovë po bëhej luftë.

“Il Senso della vita” është kënga tjetër e Elsës në Sanremo, kjo në vitin 2007. Asokohe pati depërtuar edhe në toplistat italiane.

“Dremit Liqeri”, një tekst i Lasgush Poradecit, është mishëruar në zërin e Elsa Lilës para pak muajsh, në një bashkëpunim të sajin me Orchestra Notturna Clandestina. Një Elsa që nuk e kemi parë kurrë, është kjo poshtë.

Për dallim nga muzika sot, muzika dikur ishte muzikë e mesazhit, e thirrjes për paqe dhe vetëdijësimit për më shumë dashuri. “Larg urrejtjes” e risolli Elsën në Festivalin e madh, me një apel që të mos urrejmë e të dashurohemi. Me këtë këngë, Elsa Lila e fitoi Festivalin e TVSH-së, prapë, pasi kishte fituar edhe një vit më herët.

Dhe në fund të kësaj liste, vjen një dedikim i Elsa Lilës, në veshje kombëtare, për Çamërinë. Kjo edhe për të përmbyllur listën e sotme, por edhe për të treguar se Elsa mbetet një ndër këngëtaret e paharruara të muzikës shqiptare, perfekte në çdo zhanër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *