Stela pik Stelina, me dy l

Nga Elvin Nuri

Më kishte kapur vapa me siklet dhe po ecja pak i hutuar, për faj të trotuarit që reflektonte keqazi diellin e 4 shtatorit. Madje qarkullon edhe një legjendë mbi ndjeshmërinë e “sybardhoshëve” ndaj dritës. Nejse, ndodhesha ne Bllok, dhe para se të vija njërën nga këmbët tek vijat e bardha, në një nga kryqëzimet qorre, për pak më vuri nën rrota një tip me fuoristradë akullore, të re. Ngjyrë diarreje metalizato. Tipi që po e ngiste frenoi, por me kokën e kthyer nga ana tjetër.

Mendova: Po ky topshi merr kthesën dhe futet në kryqëzim me kokën nga krahu tjetër?!

Nuk kishte faj…pikërisht nga krahu tjetër i trotuarit po bëhej gati të kalonte rrugën një cicëderre dhe lipsej që me urgjencë t’i zinte rrugën. T’i tregonte mjetin si shkëlqente nën diellin e orës 3. Ajo rishtazi duhej të trembej e t’i ulëriste gjithëfarë të sharash delikate. Ai diç i tha në fillim, por nuk e dëgjova. Ajo, bëri xhiron e makinës nga mbrapa duke buzëqeshur, ndërsa unë prisja që ajo shëmtirë katunarësh 4×4 të zbythej dhe të më lejonte të kaloja rrugën si njeri.

Diçka e papritur ndodhi! Tipi më në fund ktheu kokën nga krahu im, uli xhamin, nga syzet pasqyrë që mbante veshur dallova fytyrën time të rrudhur dhe një cep cice të cicëderres. Mendova: “do kërkojë falje…por unë nuk do e jap veten. Çun shkërdhat, çun i ri, e humb për i tipe me surratin si parakolpi makinës ku ka hipur bythën që e ka larë për herë të parë në bidè në vitin 2009”. Ndoshta nuk mendova kaq gjatë. Ndoshta, nuk po mendoja fare, thjesht sapo kisha mbaruar punë me ropt e tij dhe po bëja një bidè. Se di…mbaj mend vetëm që me zërin si pordhë post-ftohje pëlliti:

– A do ma japësh?!

Çfarë t’i jap këtij unë?!

-Stela pik stelina, me dy l, dëgjova mbrapa krahëve të mi.

Ktheva kokën dhe kuptova që sapo kishte folur cicëderrja! Ktheva kokën sërish nga Tipi dhe e shoh të ngërdheshet dhe t’i japë gaz e të zhduket, para syve të mi që po vuanin peshën e syzeve dhe të habisë. Ktheva sërish kokën nga cicëderrja dhe e shoh të vazhdonte entusiaste në rrugën e saj duke u munduar të nxirrte dhunshëm telefonin nga çanta.

Rrugës për në shtëpi u ndala tek Piramida dhe nisa të rrëmojë në Instagram për cicëderren Stela Pik Stelina, Me Dy L. E kishte profilin private!

U nxeha keq…u ndjeva i shtypur, i përjashtuar, i përbuzur. Ndeza një cigare dhe fillova të fantazojë se si Tipi dhe Stela Pik Stelina, me dy L do njiheshin më mirë…si do të njiheshin prindërit mes tyre, si do të lidhnin kurorë. A e ka gjyshin partizan ai tipi? Sa ka shku kilja kromit? A do na e djegë skedinën St. Etienne edhe këtë vit?! Kush do e fitojë apartamentin e Telebingos? 1 milionë rrënjë kanabis apo më mirë autobuzi Vorës me indietro? Kush do bëjë parimorin online? Është më mirë kredi konsumatore apo overdraft? Fatboy Slim apo Bebe Rexha? E kështu me rradhë.

Kur hyra në shtëpi, në televizor po shenjtëronin Nënë Terezën me vjershat dhe esetë e ultranacionalizmit. U ndjeva edhe më keq: egoist, me smirë dhe snob. I pandreqshëm…i pashpresë…në tokën e krenarisë dhe të mundësive të pafundme! Më mirë të më kishin shtypur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *