Dita pas … dhe dy fjalë të pavirtytshmeve!

Nga Dom Gjergj Meta

Kaloi edhe kjo festë. Dua t’u them dy fjalë, disa personave të cilët i vlerësoj ketu në Facebook dhe në jetë, pasi i kam njohur e takuar. Në disa komente te tyre janë treguar cinikë e deri diku edhe sarkastikë, me mënyrën sesi është përjetuar prej shumë shqiptarëve kjo ditë, por deri edhe me vetë figurën e Nënë Terezës. Kjo e fundit përveçse tregon cektësi, është tregues edhe i një shpirtligësie. Këtu nuk bëhet fjalë për qarqe ekstremiste që frymëzohen në shkrimet e ndonjë gazetari sporadik apo ndonjë media të izoluar, por për njerez që unë i vlerësoj si seriozë. Disa komente nga këta persona (pa dashur të bëj emra) nuk i prisja sinqerisht. Unë jam edhe vetë kritik në mjaft raste, madje edhe në këtë rast, për shumë gjëra dhe në kohen e duhur ndoshta i them dy fjalë.

Ajo që dua të them është se ka një parim bazë në kulturën shqiptare e ndoshta edhe në shumë kode të tjera sjelljeje të popujve të ndryshem: tjetri kur është në mort ose në dasmë lihet i qetë. Nëse mund të ndihmosh në shtimin e gëzimit apo pakësimin e hidhërimit të tjerit kjo është një gjë e mirë. Nese nuk mundesh, së paku hesht dhe për një ditë lëre tjetrin të festoje. Kjo është një çështje virtyti. Mungesa e virtytit në këtë rast më bën të rimendoj vlerësimin tim e të ridimensionoj komunikimin.

Që ka gjëra për të thënë gjithmonë, kjo është e kuptueshme, por për një ditë së paku mund të pezullohen gjykimet e sidomos kur ato janë negative rreth ngjarjes se gëzueshme që po përjeton dikush apo një komunitet.

Sa për komentet rreth Nënë Terezës, thjesht këta persona iu bashkuan një kori “korbash” që enden ku të gjejnë ndonjë të vdekur për ta shqyer se me të gjallet nuk maten dot. Nënë Tereza tashmë është një yll e sado t’i lehin nga toka mbetet gjithmone një yll …

Ditë të mbarë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *