Indro Montanelli: Amerikanë hipokritë, italianë cinikë

Letër e gazetarit të famshëm italian, dërguar gazetarit fitues të Cmimit Pulitzer, Edmund Stevens, në fillim të viteve ’50. “Hipokrizia është haraci i detyrueshëm që Mëkati i paguan Virtutit. Por duhet që ky Virtut të ekzistojë, që pastaj një popull t’i paguajë haracin. Në Amerikë ekziston. Hipokrizia në Itali është e vogël, praktike dhe utilitare. Kur një italian dëshiron të ndërrojë parti, nuk i bën një ekzaminim ndërgjegjes; kufizohet me një llogaritje të komoditetit.”

I dashur Edmund,

Më duhet të paraqes disa objeksione ndaj gjykimeve tuaja mbi hipokrizinë amerikane. Pikësëpari, nuk e kisha ditur që në Amerikë hipokrizia është më e përhapur se sa gjetkë: në Itali, për shembull. Kisha vërejtur vetëm që ajo është e ndryshme në natyrë. Tek ne hipokrizia nuk është një fakt social. Ajo i përket grupit të iniciativave private, dhe cdokush e ushtron për qëllime personalë. Italianët, për shembull, nuk do të bien asnjëherë dakord mes tyre për të mbështetur një gënjeshtër të dobishme për interesat e shtetit apo të një klase, sic ndodh tek ju, ku herë pas here fillohen gënjeshtra të mëdha kolektive, të cilat secili pastaj sforcohet e bën sikur i beson. Tek ne, as edhe diktatura fashiste nuk arriti të imponojë konformizmin. Njerëzit e duartrokisnin Mussolinin, por nuk i bënin as lëshimin më të vogël, për gjëra që do i pengonin të vazhdonin të jetonin në paqe. Italo Balbo, guvernator i Libisë, të cilin një herë shkova ta takoj në Tripoli, më thoshte, duke më treguar uniformën e tij me këmishë të zezë: “E sheh se cfarë më duhet të bëj për të mbajtur familjen time?” Dhe është pak a shumë e njëjta përgjigje që i dha plakushi Rossini të riut Vagner, kur ky i fundit e pyeste, se si kishte mundësi që kish pushuar së kompozuari. “Cfarë doni? Më parë, kur më duhej të mbaja fëmijët e shumtë, isha i detyruar që të besoja në rëndësinë e muzikës. Por tani, bijtë e mi janë rritur dhe janë në gjendje të mbajnë veten…”

Hipokrizia, në Itali është e diktuar nga sensi i “oportunes”. Hipokrizia në Itali është e vogël, praktike dhe utilitare. Kur një italian dëshiron të ndërrojë parti, nuk i bën një ekzaminim ndërgjegjes, por kufizohet me një llogaritje të asaj qe i eshte me e volitshme. Rreth pesëdhjetë vjet më parë, në Capri, një familjeje të pasur angleze i shkrepi në kokë që të konvertonte banorët në protestantizëm. Dhe në një farë kuptimi ia doli, sepse të gjithë ata qe konvertoheshin, kishin të drejtën që të hanin falas. Por, në një moment, zbuloi se cdo të dielë ata shkonin të rrëfeheshin tek një prift katolik, i cili u kish dhënë leje paraprakisht. Ndërkohë, misionarët ishin zhytur krejtësisht në varfëri, per shkak se ndjekësit e tyre besim kishin shumë pak, por oreksin e kishin shumë te madh. Dhe në atë pikë ishin “hipokritët” që nisën t’i mbanin anglezët me bukë, pa u kërkuar në këmbim që të konvertoheshin në katolicizëm.

Jo, një hipokrizi e vërtetë e në kuptimin e plotë të fjalës në Itali nuk ekziston; por nuk ekziston për arsyen shumë të thjeshtë, dhe pak fisnike, se italianët nuk kanë një Ideal. Ata pranojnë vetveten. Nuk përpiqen të jenë të ndryshëm dhe më të mirë nga sa janë. Në Amerikë, hipokrizia lind prej kësaj tentative. Gruaja amerikane që, përpara se të bëjë dashuri me një burrë që nuk është bashkëshorti i saj, pi, pak për të stimuluar me alkool dëshirat e saj, por mbi të gjitha për të patur mundësinë të nesërmen që të besojë se ka vepruar pa kontrollin e ndërgjegjes, sigurisht që është një hipokrite; por është e tillë sepse ka në shpirt një ide të ndershmërisë dhe të pastërtisë, për ta ruajtur pikërisht prej dobësive të saj. Më kujtohet befasia ime kur, të nesërmen e eksperiencës sime të parë erotike amerikane, pashë të trajtohesha me një ftohtësi ekstreme nga femra, e cila që refuzonte edhe të fliste. Isha i xhindosur. Si italian i mirë, më dukej fyese dhe e poshtër që një grua kishte harruar, apo që ndiente neveri për një natë dashurie me mua. Dhe nuk arrita t’ia fal kurrë. As edhe tani kjo lloj sjellje, kuptohet, nuk më pëlqen. Por, tani besoj se i kuptoj arsyet. Dhe mendja ime i pranon, edhe pse temperamenti i refuzon.

Ju jeni hipokritë edhe në politikë: kur flisni për kolonializmin, për shembull, ju që jeni bijtë dhe trashëgimtarët e kolonializimit më të pamëshirshëm të historisë së botës. Gjuha që përdorni në OKB do t’i shkonte fare mirë lëkurëkuqve; por në gojën e atyre që shfarosën lëkurëkuqtë, më lejo të të them që stonon pak. Ju luftuat në Afrikën veriore francezët, duke u reshtuar në favor të vendasve, kundër të cilëve ata kanë bërë shumë më pak, nga sa keni bërë ju kundër indigjenëve tuaj. Sot, është e vërtetë, ju i trajtoni lëkurëkuqtë shumë më besnikërisht nga sa francezët trajtojnë arabët. Por është edhe më e lehtë, pasi i keni katandisur në një minorancë që, edhe pse tërësisht e barazuar me të bardhët në ligje dhe në të drejta, nuk mund t’i konkurrojë asgjëkundi.

Ju pengoni europianët të bëjnë, në Afrikë dhe në Azi, atë që baballarët tuaj, edhe ata europianë, bënë në Amerikë. Politikisht, ndoshta keni të drejtë. Por këtë mund ta them unë, bashkëatdhetar dhe nxënës i Makiavelit, i cili më ka mësuar dallimin mes politikës dhe moralit. Por jo ti! Për ty, që je amerikan, politika dhe morali duhet të përkojnë. Dhe ndonjëherë duhet të pranosh se përkojnë keq. Aq sa të më bësh të kujtoj atë që Disraeli thoshte për Gladstone: “Unë nuk do t’ju qortoj që bëni hile në lojë: cdo politikan e bën. Ju qortoj që thoni se ishte Zoti që jua futi letrën nën mëngë”.

E megjithatë, unë e admiroj hipokrizinë tuaj dhe e kuptoj që ajo përfaqëson një forcë sociale me vlerë të pallogaritshme. Roosevelt ishte një hipokrit i madh kur “detyroi” japonezët që të sulmonin Pearl Harbour-in, ndërkohë që u betohej nënave amerikane se “kurrë një prej bijve të tyre . . .” etj etj. Megjithatë, me atë hipokrizi ai u vu në anën e të Mirës kundër të Keqes dhe u dha ushtarëve amerikanë një armë shumë më të rëndësishme se sa bomba atomike: të Drejtën. Ishte pra ai, puritan, një Makiavel i mirë katolik, një Makiavel shumë më makiavelist se sa Mussolini ynë, i cili për Makiavelin fliste shumë, por nuk kuptonte asgjë.

Po pastaj, cfarë rëndësie ka? E gjithë kjo hipokrizi “emergjence” nuk pengon aspak jetën amerikane që të jetë e përbërë nga raporte njerëzorë, mes më të thjeshtëve dhe më të ngrohtëve në botë. Unë, tek Italia “e sinqertë” nuk di asnjëherë deri në cfarë pike t’i besoj një miku dhe deri në cfarë pike të mos i besoj një armiku. Ndërsa këtu, e di shumë mirë. Kur dikush në Nju Jork më fton për një mëngjes, kur e pranoj jam i sigurtë se po i jap një kënaqësi. Me një italian, jo gjithmonë ndodh kështu.

Për ta mbyllur, mbetem me bindjen që hipokrizia është haraci i detyrueshëm që Mëkati i paguan Virtutit. Por duhet që ky Virtut të ekzistojë, që një popull t’i paguajë haracin. Në Amerikë ekziston. Ekziston edhe në sforcon që bën cdo amerikan, pak a shumë në mirëbesim, për të qenë virtuoz. Jo gjithmonë ia del, por pothuajse gjithmonë ofrohet. Në fund të fundit, gjithësecili prej tyre i ngjan një Jeffersoni, vendosmërisht i bindur që të Keqen mjafton ta duash për ta instaluar në Tokë.

Ne, këtë besim të sinqertë e kemi humbur prej shekujsh. E pikërisht për këtë arsye jemi të pjekur tashmë për t’u bërë koloni e një populli puritan, hipokrit e të fortë. Nëse ju vazhdoni të bëni antokolonialistët, dikush tjetër – puritan edhe ai, në mënyrën e tij, dhe sigurisht shumë më hipokrit se sa ju – do të përfitojë.

Mendojeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *