Kështu e zbuluam sekretin e Mona Lizës!

Njëra fotografe, tjetra gjeografe. Së bashku, Rosetta Borchia dhe Olivia Nesci kanë identifikuar peisazhet që formojnë sfondin e kryeveprës së Leonardos, tek veprat e Piero della Francescas, tek pikturat e Rafelos. Nuk është çudi që janë quajtur “gjuetaret e peisazheve”

“Kur e kuptova se peisazhi para meje ishte ai që Leonardo kishte pikturuar në sfondin e Mona Lizës, mu mbajt fryma” Rosetta Borchia, piktore dhe fotografe peisazhesh, atë moment nuk do ta harrojë kurrë. Në sytë e saj sheh ende emocionin dhe habinë, e atyre që e dinë se kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm. Tek kjo arritje erdhi bashkë me Olivia Nescin, gjeomorfologe, profesore e Gjeografisë Fizike në Universitetin e Urbinos. Për botën e artit dhe shkencës, Rosetta dhe Olivia janë “gjuetaret e peisazheve”. Deri më tani ato kanë identifikuar pamjet e pranishme në reth njëzetë kryevepra të Rilindjes: nga Mona Liza e Leonardo da Vinçit, deri tek veprat e Piero della Francescas, apo pikturat e Rafaelos.

Intuita e parë. E gjitha nisi rastësisht, madje prej një iluminimi: “Ishte viti 2007″, thotë Rosetta. “Unë po fotografoja Luginën Metauro, në Marche. Kur u ktheva në shtëpi kuptova se në një nga fotot kishte diçka që më godiste, por nuk arrija të kuptoja se çfarë. Papritmas më feksi: kodra që kisha fotografuar ishte e njëjta që ndodhej në sfondin e portretit të Federico da Montefeltros nga Piero della Francesca, në diptikun Dukëve të Urbinos. Unë isha e sigurt, megjithatë, e ndjeva të nevojshme të kisha një siguri shkencore. Kështu shkova tek Olivia që, pas ekzaminimit të kujdesshëm të fotografive që kisha marrë dhe veprës së artit, konfirmoi teorinë time”.

Kodra ishte në të vërtetë vetëm një element i vogël i të gjithë peisazhit. Pas një viti e gjysmë kolegët e saj kanë gjetur se të 3 peisazhet e diptikut nuk ishin fantazi, siç ishte menduar për shekuj me radhë, por të vërtetë. ”Piero della Francesca kishte përshkruar të gjithë Dukatin e Urbinos”, thotë Rosetta.

Takimi me Leonardon

Takimi me Leonardon. “Kontakti” i parë me Leonardo Da Vincin ndodhi në vitin 2009. “Ne ishim në Valmarecchia, afër Riminit, për të studiuar peisazhin si një sfond për Battista Sforzan, në diptikun e Dukëve të Urbinos, të Piero della Francescas”, kujton Rosetta. “Një ditë, duke u kthyer në drejtim të lumit ndjeva një drithërimë në shpinë”: duke parë atë që kisha përballë, menjëherë më erdhi në mendje Mona Liza. Intuitës së saj i kundërvihet racionaliteti i koleges: “Xhokonda është pikturuar në Toskanë, harroje”, i tha Olivia.

Por Rosetta nuk hoqi dorë, e sigurt se intuita nuk i gabonte. “Në pikturë ne mund të dallojmë qartë Valmarecchian, por pjesa tjetër e pamjeve në sfond ishte një enigmë. Kishte diçka që nuk na dilte”, përmbledh Olivia. “Ne e dinim se Xhokonda ishte Mona Liza e Firences, kështu që nuk mund të kuptonim lidhjen me peisazhin e Urbinos. Një ditë, megjithatë, në “Il Sole 24 Ore” botohet një artikull mbi dijetarin Roberto Zapperi, i cili identifikonte Mona Lizën si një zonjë e Urbinos. Ishte hallka që na mungonte, por u deshën katër vjet punë e vështirë për të përfunduar se Leonardo, në pak centimetra, kishte arritur të “shtrydhte” të gjithë Dukatin e Urbinos”. Askush në 500 vjet të histori të artit, nuk e kishte dekriptuar peisazhin e Mona Lizës. /www.bota.al

 

Screen Shot 2016-08-30 at 12.34.28

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *