Kujdes: Krenaria është mëkat!

Nga Ardian Vehbiu
Janë momente kur gëzimin e natyrshëm katolikëve, edhe atyre shqiptarë, po ua shurdhojnë e mbytin rrahjet e gjoksit të politikanëve, oportunistëve, kombëtaristëve, cheerleader-ëve dhe të gjithë atyre të tjerëve, që përfitojnë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, për të shprehur “krenarinë” e tyre – si bashkatdhetarë të saj, si shqiptarë dhe, veçanërisht, si pasagjerë që sapo i kanë hipur kësaj karroce.

Këtyre do të doja t’u kujtoj se për Krishterimin, krenaria është mëkat; madje për shumë mësues të kësaj feje “mëkati origjinal”, që përfton çdo mëkat tjetër dhe e ushqen; aq sa C. S. Leëis ta ketë quajtur “vesi thelbësor, e keqja më e madhe.”

Krenaria e shumë prej atyre që shpallin se “janë krenarë” për këtë ose atë, shpesh nuk është veçse një manifestim naiv i boshllëkut shpirtëror, ose i dëshirës instinktive për ta jetuar jetën në mënyrë parazitare.

Këtyre u ofrohet sot edhe krenaria për Nënë Terezën si alkool falas, në banketet populiste të pushtetit.

Përkundrazi, krenaria si mëkat shqetëson më shumë në sjelljet dhe qëndrimet e klasës në pushtet dhe në tam-tamin e mediave që e zbavitin këtë klasë, duke ia kënaqur etjen për krenari.

Te pushtetarët, që sot e kanë bërë të tyren Nënë Terezën dhe janë vetë-shpallur bujshëm si titullarë të kremtimit publik të shenjtërimit të saj, duke u vënë në garë se kush do të fitojë më shumë hapësirë në ekranet; te këta pushtetarë sot të babëzitur për Nënë Terezën, i gjen me bollëk të tre llojet e krenarisë mëkatare: vanitetin, ose preokupimin me dukjen; mendjemadhësinë, si bindje superioriteti se ti je më i mirë se tjetri; dhe arrogancën, si vetëmjaftueshmëri në rendin e sendeve.

Si mëkat, krenaria i kundërvihet përvuejtnisë; ose pikërisht atij virtyti të krishterë, për të cilin e kanë admiruar kaq shumë Nënë Terezën. Prandaj nuk po më duket se ka ironi më të madhe, që shenjtërimin e kësaj gruaje sot ta shoqërojë krenaria dhe pompoziteti – dhe aq më pak krenaria e një elite, si kjo që drejton sot Shqipërinë, dhe që ka dështuar në misionin e vet njerëzor.

Unë nuk jam fetar; dhe konceptin e mëkatit e përjetoj nga pozitat e një agnostiku – ose si shkelje të detyrimit që kemi, si njerëz, ndaj të tjerëve. Megjithatë, gjithnjë jam gati ta pranoj admirimin tim për moralin e Ungjijve, përballë idhujtarisë që ka përmbytur sot kulturën pop dhe që synon t’i bëjë qytetarët të adhurojnë jo të drejtën, as të mirën dhe as të vërtetën – por thjesht forcën lakuriqe.

Shënim: për disa nga parashtrimet më lart, në lidhje me krenarinë si mëkat brenda etikës së krishterë, i jam referuar gjerësisht këtij artikulli nga Paul Sands: The deadly sin of pride.

Peizazhe.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *