Vera emocionuese
Vallë a u frigove ti ta quaje pemën e bredhit të gjelbër?
ta quaje gështenjën në pranverë një katedrale prej luleradhiqesh?
a u frigove se mos të të ngatërronin me një halë bredhi?
a një kokërr gështenje?
mos ki merak. çfarë është, është tashmë. ti tashmë je, ky që je.
(mos iu frigo dashurisë së pamundur – madje
dhe keltët e njihnin atë – e përveç kësaj
ajo është e vetmja)
Ti do të kthehesh nesër, apo jo?
Buzët si shkumë deti vazhdojnë të buzëqeshin në Pärnu
por një mizë në buzë të filxhanit të kafesë ia vesh fytyrën
fundit të verës. Këtë vit do të hash më mirë
se atë që shkoi – thua ti – dhe vitin që vjen akoma më mirë.
Pse atëherë gjithçka duket kaq errësisht? Shtëpitë,
rrugët do të veshin një shkëlqim të ri, të artë, a mendon kështu dhe ti?
Deti dhe Pärnu-ja do të vazhdojnë të buzëqeshin. Ujku, Ariu,
Frashëri, Lisi, Verri, zor se i falin mbiemra këtyre njerëzve,
i sjellin kujtime për pyllin që shumë shpejt, besomë,
do të vishet me një shkëlqim të artë. Madje edhe më shpejt se të mendosh që:
parashuta nuk u hap. Zëri yt, kur
ti the, në rregull, hajde të presësh autobuzin nesër,
tingëlloi si një herë, si përherë.
Akoma nuk mësohem
Një lumë i kripur
Më përshkon –
Dje jeshil
Sot i turbullt
Gjithmonë në lëvizje
Kush mund të pushojë
si mali
poshtë një manastiri?
Nën vështrimin e Moxartit
fëmijët patinojnë
përmes diellit
Nën ujë
Ishulli Maid këndon
Stefan Cvajg
Me mjekrën e varur
Si një gur në kraharorin e tij –
A parashikoi vallë
që nga ajo lartësi
sipër në malin e manastirit?
Një tingull sonate vdes nëpër natë.
Bota takohet
Një grua eshtake e bardhë në shkëlqim, Brunhilda
Një djalë i vogël kokërrodhe që ngiste një balenë femër: Gunteri,
në fakt një princ maroken.
(A nuk është perëndimi i diellit kaq i bukur këtu, ti më pyete,
rrugës për në Santiago)
E gjithë bota takohet në Mõisaküla
në Ipiku, në pyjet ndanë kufirit, ku Reine Sepp
imagjinon studentet tek marrin autobuzin në Tartu
Valkuritë, ashtu si Odini
në Kilingi-Nõmme në varrezën e Saarde,
ku babai im, gjyshi dhe gjyshja
janë zgjuar në netët e pranverës nga aroma
e jarganëve dhe jaseminëve që vret shpirtrat e varrosur e të gjallë.
E diktuar nga një ëndërr
Ti më tregove një pjatëz letre
e kishe mbushur me vija të hijshme
shenja trëndafilash që ne nuk
prisnim të shihnim
Ti doje t’i jepje Zotit një dhuratë, apo jo?
Në cilin sirtar e ruajmë ne adresën etij?
Gjithë mbrëmjen ti bëre bilbila letre
për t’ia dhënë të gjithë fëmijëve estonezë
kështu, ti thua, do të çlirohesh
nga gjithë të këqijat e jetës tënde të vogël
Në cilin sirtar e ruajmë wordpress në adresën e tij?
Ti imagjinon madje femrën e pangopur
Që dëshironte të bëhej vetë Zot
të cilën karavidhja gjigande e çoi në një stallë
vetëm se ti ke mëshirë për të, – e bëre Zot në stallën e derrave
Vera që po vjen
Ardhja e shiut të verës i bëri dritaret e autobusit
të derdhnin lot plot
Matanë lëndinës së shtëpisë së prindërve
lule të vogla lulëzuan
tamam sikur gëzimi i Marta Liisës
të kishte shpërthyer papritur, e mbushur
të gjithë shtëpinë
E vetmja degë e patharë e qershisë së vjetër kish çelë
një bashkim i limfës në degë
që e bën pemën të harrojë të kalburin
trung
maja, trungu i vjetër – trathtari –
zhytet ngadalë në jeshillëk
tamam sikur po mbytet në detin e luleradhiqeve.
Jüri Talvet përfaqëson figurën e plotësuar të intelektualit ndërkombëtar, duke qenë njëherësh poet, eseist, kritik letrar, përkthyes dhe profesor. Lindi më 17 dhjetor 1945 në Pärnu të Estonisë. Në vitin 1974 fillon mësimdhënien në lëndën e “Historisë letrare perëndimore” në Universitetin e Tartu-së. Doktorohet në universitetin e “Shën Petërburgut” në 1981. Që nga viti 1992, është profesor i “Letërsisë botërore”, drejton “Shoqatën estoneze të letërsisë së krahasuar”. është redaktor i “Interlitteraria-s”, revistës ndërkombëtare të letërsisë së krahasuar, etj. Përveç kontributit të tij shumë të rëndësishëm akademik,Talvet është përkthyes i veprave nga autorë të njohur si Francisco de Quevedo, Gabriel Garcia Marquez, etj. Veprat e tij kryesore janë Äratused (“Zgjimi”, 1981), Teekond Hispaaniasse (“Një udhëtim për në Spanjë”, 1985) “Ambur ja karje” (“Shigjetari dhe britma”, 1986), Hispaaniast Ameerikasse (Nga Spanja në Amerikë”, 1992), Eesti eleegia ja teisi luuletusi (“Elegji estoneze dhe poema të tjera”, 1997), Unest, lumest (“Ëndrrave, borës”, 2005), Sümbiootiline kultuur (“Kultura simbiotike”, 2005), etj.
Jüri Talvet është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të tilla si çmimi poetik “Juhan Liiv” (1997), Urdhri i Yllit të Bardhë i Republikës Estoneze (2001), Medalja e Tartu-së (2008), Urdhri i Qarkut të Alatskivi (2015), etj. Në vitin 2011 ai u bë anëtar aktiv i “Akademisë Ndërkombëtare Lindje-Perëndim” (Rumani), ndërsa që nga viti 2016 është anëtar i “Akademisë Evropiane”.
Përktheu në shqip: Mariza Kërbizi