Nesër shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan, 13 krerë shtetesh konfirmojnë pjesëmarrjen

Shenjtërimi i Nënë Terezës pritet të bëhet nesër në kryeqendrën e katolikëve në botë, në Vatikan. Në Meshën Solemne që do të organizohet në Sheshin Shën Pjetri, do të bëhet shenjtërimi i Nënë Terezës nga Papa Françesku, në praninë e qindra të pranishmëve.

Ditën e sotme, Para zhvilloi katekizëm në një ceremoni për jubileun e mëshirës.

Në shtetin katolik po zhvillohen festime për Shenjtërimin e Nënë Terezës.

Ndërkaq, Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë ka informuar se 13 krerë shtetesh e qeverish kanë konfirmuar deri më tani praninë e tyre në ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës, nesër më ora 10.30 në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Edhe Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani në krye të delegacionit zyrtar, janë nisur drejt Vatikanit për të marrë pjesë në ceremonitë që do të organizohen me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku.

Kremtimi radhitet në kuadrin e Jubileut të veprimtarëve dhe vullnetarëve të Mëshirës.

Gjatë Meshës së shenjtërimit besimtarët do të luten për të varfrit dhe të fundmit e tokës, edhe për të krishterët që, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, të vihen në lëvizje nga dashuria veprimtare.
Në gjuhën bengali do të thuhet një lutje për qeveritë e parlamentet, që të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu, duke promovuar paqen e drejtësinë.

Në gjuhën kineze do t’i lartohet Zotit lutja për të krishterët e persekutuar, që Ai i Lumi t’i ngushëllojë me praninë e Tij, t’u prijë në natën e errët e të bëjë që të lindë për ta dielli i drejtësisë.

Së fundi, në gjuhën e Shën Terezës, në shqip, lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *