Charles Baudelaire (Sharl Bodler) është konsideruar si i fundmi i romantikëve dhe i pari i modernëve.
Sharl Bodler, mbahet si më i madhi ndër poetët francezë. Pothuajse i injoruar nga bashkëkohësit, i dënuar, i dërmuar nga jeta, alkooli dhe droga, ai pat një fund jetë të përdëllyer duke vdekur në vitin 1867 në moshën 46-vjeçar, i paralizuar dhe me gojën të humbur.
Emri i poetit të mallkuar, sipas një kërkimi në Google, përmendet nga 6 milion e 130 mijë faqe interneti. Një prej shkrimtarëve më të klikuar të rrjetit, si dhe më të përdorurit.
Në të gjallë, ai nuk pati botuar veç një përmbledhje poezish. Atë me titull “Les Fleurs du Mal” (Lulet e së Keqes).
Me veprën e tij, Charles Baudelaire krijoi principet bazë të poezisë moderne, simbolizmit e surealizmit. Gjatë jetës dhe pasionit të tij për të bukurën, ai ishte vazhdimisht i ndarë në dysh, mes ekstazës dhe tmerrit të jetës dhe të vetë ekzistencës njerëzore.
Sharl Bodler (Charles Baudelaire) lindi në Paris më 9 prill 1821. Ai nuk ishte veç shtatë vjeç kur e ëma e tij e ve u rimartua me gjeneralin Aupick, një lidhje kjo të cilën ai s’do ta pranonte kurrë.
I vendosur fillimisht në një pension në Lion, Bodler studioi më pas në liceun ‘Louis le Grand’ në Paris ku, mbi të gjitha u shqua për mungesën e disiplinës e, për pasojë, u përjashtua prej tij, në prill 1839. Megjithatë, ai e mori diplomën e maturës e pas kësaj, nisi të endet nëpër Paris, duke bërë një jete prej bohemi, gjë e cila zgjati gjer më 1841, datë kur njerku i tij i shqetësuar për të si edhe për t’u dhënë fund aventurave e hipi me forcë në anijen “Paquebot des Mers du Sud”, për ta çuar sa me larg e pikërisht në Indi. Gjatë rrugës, zbriti në ishullin Bourbon (la Réunion) i cili do linte gjurmë të thella në botën e tij rinore e, në mënyre të veçantë, në përfytyrimet e tij ekzotike – temë kjo mjaft e dëshiruar dhe e lëvruar prej tij, në shkrimet e mëvonshme.
Kur u kthye prej atij udhëtimi, Bodler, do të binte me vete në Paris edhe poezitë e para të vëllimit të tij të parë ‘Lulet e se Keqes’ e mes tyre edhe një të titulluar ‘Një zonje kreole’ (À une dame créole). Kjo poezi kishte një histori. Pak para kthimit të tij në Paris më 1842, Bodler u njoh me kreolen e bukur Jeanne Duval e cila u bë ‘Venusi i zi’ (Vénus noire) i veprës së tij poetike, mishërimi i gruas ekzotike, sensuale e të rrezikshme, të cilën ai e dashuroi për shumë kohë, edhe pse marrëdhëniet mes tyre ishin vazhdimisht plot stuhi e dhembje.
Por, kjo dashuri, në fakt, s’e pengoi atë të lidhej edhe femra të tjera. E, pikërisht me Marie Daubrun më 1847 dhe zonjën Sabatier më 1852. Me këtë të fundit, Bodler përjetoi ndjenja vërtet të jashtëzakonshme të cilat, atë grua, do ta kthenin në një figurë qendrore shpirtërore, e që do të ishte, në të njëjtën kohë edhe ‘Muza e Madona’ e vëllimit poetik ‘Lulet e së keqes’ (Les fleurs du Mal). Me kalimin e moshës, poeti i ri, kërkoi që të gëzonte trashëgiminë e atit të tij të vdekur e, me të fituar pjekurinë për këtë punë – më 1842 – mori një shumë të mirë të hollash e nisi të bëjë një jetë prej ‘dandy’, duke frekuentuar hotele, restorante e bare të kushtueshme e duke mos mbaruar së bleri plot sqimë, veshje elegante për gardërobën e tij të hijshme.
E, jo vetëm aq, por edhe të blejë vepra të kushtueshme arti e të nisë përdorimin e alkoolit dhe opiumit, pra të asaj që më vonë ai do ta quante parajsë artificiale.
Kjo mënyrë jetese, natyrisht do të kish edhe një fund. Trashëgimia po fironte. Për të shmangur katastrofën e plotë, njerku dhe e ëma, bënë atë që ata mezi prisnin: pra e vendosen nën tutelë gjyqësore; gjë e cila do të thoshte se pas kësaj, djaloshi dorëlëshuar s’do të mundte të bënte harxhime pa hesap, por do të jetonte e dëfrente duke punuar vetë.
Dhe ishte pikërisht nevoja për të holla e cila e shtyu Bodlerin të shkruante nëpër gazeta, me qellim për të shëndoshur deri diku ekonominë e tij delikate.
Më 1848, ai nisi përkthimin e veprës së plotë të autorit amerikan Edgar Allan Poe, tek i cili Bodleri shihte ‘vetveten’ (Edgar Poe – jeta dhe veprat). Në vazhdim, ai nxori në dritë edhe krijime të tjera.
Në qershor të vitit 1857, Bodler nxori tek miku i tij botues Poulet-Malassis, vëllimin me poezi ‘Lulet e së Keqes’, e cila përmblidhte poema të botuara e të pabotuara. Por, dy muaj më pas, ai thirret në një proces gjyqësor, pikërisht për ketë botim i akuzuar për ‘fyerje të rëndë të moralit publik e zakoneve shoqërore’ (po atë vit, të njëjtin fat pati njohur edhe romani ‘Zonjo Bovari” i Flaubert, por autori i tij ja kish dalë mbanë në saje të mbrojtjes së një avokati të njohur).
Bodleri s’e pati një të tillë fat dhe u dënua me gjobë të rëndë dhe u shtrëngua të heqë prej vëllimit gjashtë poezi, të cilat u cilësuan si të turpshme për lexuesin.
Në pranverën e vitit 1866, gjatë një udhëtimi në Belgjike, ku kishte shkuar për të mbajtur një cikël konferencash, Bodler u sëmur. Pasojat qenë të renda. Ra në paralizë dhe, për më keq akoma, iu bllokua edhe të folurit. Pas kësaj, poetin në atë gjendje që ish e kthyen ne Paris, ku edhe vdiq pak më vonë, në 31 gusht 1867. Sharl Bodler la pas, përmbledhjen ‘Les Fleurs du Mal’, e cila është vepra më e shquar poetike e tij e një nga më të shquarat e poezisë franceze.
20 thënie nga i mallkuari Sharl Bodler
1- Burrat të cilët dinë të rrinë me gratë janë të njëjtët që dinë të rrinë shumë mirë dehe pa ato.
2-Dashuria, i vetmi krim që nuk mund të kryhet pa një bashkëpunëtor.»
3- E vetmja mënyrë për të harruar kohen është ta shfrytëzosh atë.
4- E dashura është një shishe me verë, gruaja është shishe vere.
5- Çdo njeri që nuk i pranon kushtet e jetës, e shet shpirtin e tij.
6- Çdo gazetë, nga rreshti i parë tek i fundit, nuk është gjë tjetër veçse një rrjet tmerresh, unë nuk e kuptoj sesi një dorë e pafajshme mund të prekë një gazetë pa u dridhur nga neveria.
7- Secili, me kusht që të dijë si të jetë argëtues, ka të drejtë të flasë për veten.
8- Që i vogël unë ndjeva në zemrën time dy gjëra kundërthënëse: Tmerrin e jetës dhe harenë e jetës.
9- Bukuria është ambicia e vetme, qëllimi ekskluziv i shijes.
10- Arsyeja e thjeshtë na tregon ne se gjërat tokësore janë të pakta, dhe se realiteti i vërtetë ekziston vetëm në ëndrra.
11- Edhe sikur të jetë e provuar se Zoti nuk ekziston, feja do të jetë gjithmonë e shenjtëruar dhe hyjnore.
12- Për tregtarin, edhe ndershmëria është një spekulim financiar.
13- Sa pak ka mbetur nga njeriu që ishte dikur, përveç kujtesës së tij! Por kujtimi është e vetmja formë e vuajtjes.
14- Është ora të dehemi! Të mos jemi më skllevërit martirë të kohës, të jemi pafundësisht të dehur. Me verë, me poezi, apo me virtyte, me çfarë të doni.
15- Botën e vërtit rrotull vetëm keqkuptimi.
16- Janë po aq lloje të bukurisë sa dhe mënyra të zakonshme të kërkimit të lumturisë.
17- Nuk ka ëndërr dashurie, sado ideale të jetë ajo, e cila nuk përfundon me një foshnjë topolake, qaramane që varet tek gjinjtë.
18- Jeta është një spital ku çdo pacient është i zotëruar nga ideja për të ndërruar shtrat.
19- Çfarë është dashuria? Nevoja për të dalë nga vetvetja. Njeriu është një kafshë adhuruese. Të adhurosh është të sakrifikohesh dhe të prostituosh. Kështu, çdo dashuri është edhe prostitucion.
20- Truku më i bukur i Djallit është të na bindë se nuk ekziston./Tirana Observer