Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave iu përgjigj me një shkrim kritikave të Kryeministrit te Shqipërisë Edi Rama bërë dje, në drejtim të tyre në takimin e 11-të shkencor ndërkombëtar të mbajtur nga Alb-Shkenca.
Rama e cilësoi punën e kësaj Akademie si shembullin e rrënimit të saj ndër vite, ndërsa i sugjeroi anëtarëve të merren me studime që prekin drejtpërdrejt Shqipërinë siç është problemi i përmbytjeve.
Letra e sotme:
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e quan të nevojshme të sqarojë qëndrimin e saj në lidhje me disa pohime të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama në fjalën përshëndetëse mbajtur në Takimin XI vjetor shkencor të Institutit Alb-Shkenca, një shoqatë joqeveritare që bashkon intelektualë dhe vullnetarë të zellshëm të dijes për botën shqiptare, me temë Roli i diasporës në botën shqiptare, dje, sot dhe nesër, zhvilluar në Hotel Tirana Internacional.
Akademia e Shkencave ka mbështetur dhe mbështet nevojën urgjente që ka sistemi i institucioneve të kërkimit shkencor për reformimin e tij në funksion të zhvillimit të vendit. Për këtë, prej disa vitesh, si në pikëpamjen shkresore-institucionale, ashtu edhe përmes qëndrimeve publike të anëtarëve të saj, ka theksuar para Kryeministrit nevojën e qortimit të gabimeve që solli reforma e nxituar e vitit 2006 për kërkimin shkencor në vend dhe posaçërisht për organizimin institucional të tij. Për këtë kemi konstatuar të njëjtin preokupim edhe nga Kryeministri i vendit.
Qëndrimi ynë rreth këtij shqetësimi është bërë publik në vijimësi, i inkurajuar dhe në përputhje të plotë me deklaratat më të fundme të konferencave ndërkombëtare kushtuar gjendjes së shkencës dhe përgjegjësive shtetërore ndaj saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbajtur gjegjësisht në Berlin (2015) dhe në Vjenë (2016).
Referuar këtyre rekomandimeve thelbësore për një reformë të vërtetë në dije, Akademia e Shkencave e ka pasur dhe e ka synim parësor krijimin e një realiteti të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit të institucionalizuar ndërmjet bashkësisë shkencore dhe vendimmarrësve politikë; thënë ndryshe ndërtimin e marrëdhënieve të frytshme mes shkencës dhe politikës; mbështetjen e shkencëtarëve të rinj dhe krijimin e mundësive të qëndrueshme për karrierë; përfshirjen e suksesshme të diasporës akademike shqiptare dhe nxitjen e qarkullimit të prodhimit intelektual; përmirësimin e rekrutimeve dhe motivimin e punës kërkimore-shkencore të të rinjve, duke i rikthyer shkencës rëndësinë e merituar në një shoqëri të hapur, si dhe duke spikatur rolin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Mendimet dhe qendrimet e veta rreth gjendjes institucionale në rrjetin e kërkimit akademik-universitar dhe nevojës për një ndryshim urgjent ligjor dhe administrativ Akademia e Shkencave i ka parashtruar zyrtarisht në përkujtesën me titull Harta e rrugës – Road Map e reformës së sistemit të institucioneve të kërkimit shkencor, dërguar Kryeministrisë, me shkresën nr. 179, datë 29 prill 2016.
Akademia e Shkencave dhe anëtarët e saj janë pjesë e atij realiteti që synon ndryshimin progresiv, jo pamja më kuptimplotë e rrënimit të të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri. Me vëmendje dashamirëse dhe sipas kontributeve shkencore vetjake, Akademia e Shkencave ka përthithur në radhët e saj shkencëtarët shqiptarë më të shquar të diasporës.
Pesë prej tyre (A. Doja, A. Kastrati, A. Merkoçi, A. Durrësi e N. Gruda) mbajnë titullin e lartë akademik dhe kontribuojnë si anëtarë të rregullt të seksioneve dhe të Asamblesë së saj; ndërsa tetë të tjerë, personalitete të dijes në Kosovë dhe në diasporë, janë anëtarë nderi.
Akademia e Shkencave e ka në përvojën e saj respektimin e punës së kërkuesve vullnetarë, që i bashkon qëllimi i përbashkët në shoqata shkencore dhe organizata jofitimprurëse. Por në ndërtimin e raporteve midis saj dhe partnerëve të jashtëm ne i bashkohemi të njëjtit shqetësim që u shqiptua me forcë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të ALLEA-s (All European Academies), rrjeti më i rëndësishëm europian i akademive të shkencave, që vepron nën kujdesin e organizmave të BE-së, në të cilën, duke paraqitur situatën e kërkimit shkencor në disa vende të Europës Lindore, u vu në dukje tendenca e instrumentalizimit të disa organizatave shkencore joqeveritare, që kanë arritur të shpallen e imponohen si akademi shkencash të vendeve të tyre (në Mal të Zi, Bosnje, Rusi etj.).
Pavarësisht se në mbledhjen e Asamblesë së ALLEA-s Shqipëria nuk u përmend si vend në shqetësim në lidhje me dukuri, shprehemi të mendimit se ka vend për të reflektuar thellë. Shkenca dhe kërkimi shkencor në Shqipëri sot zhvillohen në kushtet e një vendi me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe me mundësi financiare minimale.
Në buxhetin vjetor të vendit përqindja e ndarë për kërkimin shkencor institucional është më e vogël se ajo e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Akademia e Shkencave e ka bërë të njohur këtë gjendje dhe ka kërkuar shtim e përqendrim të kërkuesve të kualifikuar shkencorë në institute dhe në njësitë bazë të tyre; mbështetjen e kërkimit me laboratorë e mjete financiare të mjaftueshme.
Kjo duhet bërë më së pari në Tiranë, me të njëjtën përgjegjësi e me të njëjtën lartësi kërkesash bashkëkohore si në vendet e tjera (dhe siç ka qenë në kohën e prof. Aleks Budës dhe Eqrem Ҫabejt, kur Tirana me të drejtë njihej si kryeqendër e studimeve albanologjike).
Kështu do të mundësohej që bashkëpunimi e bashkërendimi i veprimit shkencor brenda vendit me studiues të dalluar në diasporë, veçmas me kërkues që merren me albanologji, të ishte shumë më i suksesshëm se deri më sot.
Në lidhje me pohimin se është tronditëse që Akademia e Shkencave sot të mos ketë një regjistër të atyre që bëjnë, ose përpiqen të bëjnë shkencë dhe janë shqiptarë dhe që jetojnë kudo në botë, jemi të shtrënguar të përmendim se kjo nuk është përgjegjësi ligjore e statutore e Akademisë së Shkencave, as ndonjë detyrë parashtruar asaj prej Qeverisë.
Janë institucione shkencore të tjera të ngarkuara me akte rregulluese ligjore e nënligjore për këtë. Sidoqoftë, e gjejmë me vend të bëjmë të ditur se Akademia e Shkencave ka dhënë një kontribut të vlerësueshëm për krijimin e bazës së të dhënave për shkencëtarët që gjenden me punë jashtë vendit, madje edhe për studentët, në mbështetje të projektit Gain-Brain, që u zhvillua deri në vitin 2012 në përbërje Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Po kështu, Akademia e Shkencave ka programe të veçanta për mbështetjen e kërkuesve të rinj brenda dhe jashtë vendit, si dhe për edukimin përmes shkencës.
Kritikat e z. Kryeministër për gjendjen e drejtimit në Akademinë e Shkencave ne i lexojmë në thellësi, por jemi të bindur se këto kritika janë po aq me vend t’i adresohen vetë Qeverisë, e cila gjatë tri vjetëve ka lënë shumë pak gjurmë për të realizuar detyrat e programit të saj për shkencën, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku thuhet: Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit.
Gjithashtu do t’i ofrohet mbështetje Akademisë së Shkencave, për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore-shkencore në vend. Akademia e Shkencave qysh prej fillimit të investiturës së kësaj qeverie është në pritje të një vizite pune të z. Kryeministër, për të diskutuar rreth reformës në kërkimin shkencor dhe përballimin bashkërisht të situatave.