Gojëkyçur

Piero Bigongiari

Rishtas një hije, një hije që nuk zhduket
si një bisedë me qëllime cit,
dhe ky qiell pa fitore për askënd
duart e nxehta, goja vrer prej dashurisë.

E kotë t’ju flas, të vdekurit e mi të panjohur,
e kotë t’ju kërkoj, ju njerëz të rruzullit,
nga dheu i tepërt që fsheh qielli juaj,
veç juaji është qielli për të cilin vuajmë tokën kryekëput.

Tokën kryekëput dhe gabimet e rënda ngase të vogla,
plojat si mure argjili pas së cilave gjejmë strehë,
me një shami të përskuqur gjakun fshijmë që t’mos e shohim,
me një të bardhë, lotët për t’mos qarë.

Me një hap më të gjatë rropatemi, e për çfarë?,
trëndafili me një shtjellë të beftë zbulon pranverën në një shkretëtirë
dhe stinët shpëtojnë nga të shtënat me top por jo nga vështrimet e njerëzve
që ndofta ekzistojnë mbi rruzull nga gënjeshtrat pa barazpeshë

ashtu si era pa balance barometrike.
Edhe me fjalë i thajmë lotët,
me breshëri pushkësh, me miqtë që ngjisin shkallët.
Dhe trillojmë sikur shkojmë të flemë, sa për të trilluar gjësend,

teksa dëgjojmë se mes jetës dhe vdekjes ka hendek
njëmend, kjo s’vihet në dyshim, por jemi gjithsesi të lodhur
ashtu siç kur të lodhur nga muzika
dëgjojmë veç instrumentet./ 15 prill 1944

Përktheu: Beti Njuma

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *