Gazetaria dhe “gazetarët si prostituta intelektuale”

Gazetari dhe publicisti amerikan me origjinë skoceze John Swinton (1829 – 1902), një herë i pat cilësuar gazetarët si prostituta. Gazetarët janë prostituta intelektuale! – thoshte ai. Ne jemi mjetet dhe vasalët e njerëzve të pasur prapa skenave. Ne jemi kukullat. Ata tërheqin penjtë ndërsa ne vallëzojmë. Koha jonë, talenti ynë, jetët tona dhe mundësitë tona, të gjitha janë pronë e dikujt tjetër. Ne jemi prostituta intelektuale. – ky cilësim i Swinton-it, është skajshmërisht shterues kur bie fjala për anën e errët të gazetarisë si veprimtari. Siç dihet, tregun e botës e ka në dorë një grusht njerëzish, prandaj për rrjedhojë edhe gazetarinë.

Shkruan: Imer Topanica

Kur analizojmë kontekstin socio-politik të vendit tonë, kuptojmë se grupe të ndryshme të interesit, politike a para-politike, gazetarinë e shohin si arenë po kaq të rëndësishme, për t’i artikuluar idetë e tyre dhe jo vetëm. Çështja e kontrollimit të masës, menaxhimit të dëshirave dhe kërkesave të saj, është filozofia politike e kohës, e cila nuk mund të jetësohet pa gazetarinë. Si rrjedhojë jo vetëm që jemi të njohur me gazetarë që i shërbejnë politikës, por edhe mediume a rrjete mediale që ua kryejnë këtë shërbim. E keqja e madhe këtu nuk është fakti i flirtit të gazetarisë me politikën, fatkeqësia është se në maje të piramidës së shtetit ndodhet politika dhe për mendësinë e shumicës ajo përfaqëson autoritetin e pakontestueshëm pothuaj në të gjitha rrafshet. Mu kjo maje piramidale ka ndikuar në ndërtimin e imazheve të deformuara të gazetarit si misionar i cili detyrë të parë e të fundit e ka informimin e saktë e të shpejtë ose, ose gazetarit si intelektual i cili e ngrit zërin dhe bëhet armik i pushtetit të keq. Duke qenë që mbijetesa e gazetarisë është varur për fatin e politikës ditore, rehabilitimi i raporteve ndërmjet gazetarit dhe politikanit ka ardhur si formë epidemie. Njohim mediume që me kënaqësi derdhin të vjellat mbi figura të caktuara politike e duke u rezervuar për të tjerat, ndërkohë gjejmë kundërshtare të tyre që aplikojnë të njëjtën strategji, duke u dalluar vetëm në përzgjedhjen e figurave, heronjve dhe armiqve të tyre. Përfundimisht, gazetaria është stërkequr skajshmërisht dhe për shumicën përfaqëson arenën ku kultivohen të pavërtetat të cilat vishen me fustanet e së vërtetës.

Të përpiqesh të ndërtosh një medium të drejtë, të pandikuar politikisht, alternativ dhe të paanshëm, të shpejt e të fuqishëm, me një fjalë, me ndikim, do të thotë të fillosh një mision të vështirë. Ekzistenca e këtij mediumi varet vetëm nga përkushtimi në punë vetëmohuese. Ekzistenca e saj për një kohë të gjatë, do të varet vetëm po u shndërrua në ushtare e së vërtetës. Natyrisht që ky mision është i vështirë, veçmas për shkak të numrit të madh të armiqve që ta zënë rrugën. E vërteta, nuk është mike me ata që pushtetin e perceptojnë si pronë të tyre dhe e shfrytëzojnë si të tillë. Për rrjedhojë ajo (e vërteta), nuk mund të gjejë vend në mediumet që ushqehen prej politikës ditore.

Gazetarisë në vendin tonë sot nuk i mungon asgjë, veç shpirtit të saj të pavarur. Ajo nuk ka forcë të shndërrohet në katalizatore e ndryshimeve. Ajo nuk e ka krijuar lidhjen me lexuesit, nuk e ka ndërtuar besueshmërinë me qytetarët. Në shumë plane, ajo mund të qëndrojë mirë, por reputacioni i saj me të drejtë vihet në dyshim. Në vendin tonë gazetari nuk është sinonim i ushtarit që lufton për ta zbuluar të vërtetën, ai sot është një sinonim i prostitutës e cila ekziston për ta kënaqur politikanin, shefin, shefat etj. Kështu, me rekomandimet e politikës, gazetaria e vendit tonë, shpesh përpiqet të krijojë “kauza” të reja, për ta zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga çështjet e ndjeshme. Herë pas here e realizon këtë mision dhe mbase ky është shkaku pse shoqëria jonë nuk e kupton në fondament demokracinë. Zgjimin e shoqërisë nga letargjia, duke ia mësuar asaj se ç’është e vërteta dhe kë në të vërtetë e ka armik duhet ta kemi për mision. Ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë mediume me shpirt të pavarur, të guximshme dhe katalizatore të proceseve si ai i demokratizimit të shoqërisë. Duhet të ndikojë sidomos në përmbysjen e autoriteteve të pakontestueshme, duke i bërë të ndërgjegjshëm qytetarët për pozicionin e tyre karshi këtij fenomeni./gazetaere.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *