Është prezantuar sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit zyrtarisht si drejtoreshë, Zana Çela. Prezantimi u bë nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe sekretarja e përgjithshme e ministrisë, Elira Kokona, e cila për një muaj ishte drejtore e komanduar e TKOB.
Të pranishëm ishin në sallë të gjithë punonjësit e TKOB- balerinë, solistë, orkestër e ansambël. Në fjalën e saj Kumbaro tha se në datën 7 shtator do të prezantohet edhe projekti i rikonstruksionit të Operas dhe teatrit të ri “Turbina”. Ajo shoi zërat se do të ketë pushime nga puna dhe theksoi se teatri do të funksionojë edhe gjatë kohës së rikonstruksionit. Kumbaro falenderoi kandidatët për postin e drejtorit dhe tha se ka pasur zëra për skenën e re që kanë qenë keqinformime.
Ndërsa Zana Çela, e cila rivjen si drejtoreshë e TKOB bëri një riprezantim të platformës së saj për teatrin.
“E njoh teatrin shumë mirë. Doja të prezantoja disa nga momentet kryesore të kësaj platforme. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë ndjekëse më e rregullt e shfaqjeve tuaja dhe kam përjetuar me shumë dashuri të gjitha shfaqet tuaja. Jam emocionuar shumë dhe me ato shfaqje. Ndaj, sot, meqë ju kam të gjithëve, ju përgëzoj për suksesin që keni arritur përgjatë këtyre viteve. Gjithë Teatrin e Operas, pasi është një ekip.”, tha Çela.
Ajo falënderoi dhe ish-drejtorin e TKOB, Ilir Kerni për kontributin e tij përgjatë këtyre viteve në teatër. “Falenderoj dhe drejtorin Ilir Kërni, për drejtimin e këtij institucioni”, -pohoi ajo.
Drejtoresha e re e TKOB nuk pranoi pyetje nga mediat, duke u shprehur se do ketë një takim të dytë me gazetarët për t’u përgjigjur interesit të tyre.
Pas prezantimit të Çelës në krye të TKOB, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka uruar edhe në Facebook drejtoreshën e re. Ajo ka uruar Sezon një sezon të bukur artistik dhe punë të mbarë për të gjithë ata që janë pjesë Teatrit të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
“Urime Drejtores së re të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Zana Çela!
Punë të mbarë gjithë krijuesve dhe trupave artistike dhe mbështetëse të Teatrit më të madh në vend! #Bashkë
Sezon të bukur artistik për të gjithë ata që me talentin e tyre i japin jetë skenës së Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor që sot zë vendin e nderit falë brezave që e krijuan dhe e mbajtën me pasion nga viti në vit!
Faleminderit secilit prej artistëve dhe drejtuesve që lanë gjurmën e tyre në sukseset e Tkobap Albania, kudo që ndodhen, kudo që jetojnë dhe që nuk e harrojnë skenën prej ku u nisën <3
#TeatriBrezitTjeter vazhdon me kantieret e reja të teatrove te rinj”, shkruan Kumbaro në Facebook./Pasqyre.al