Fillimisht e paraqiti veten në fron si një nuse të bukur dhe të pafajshme, për ta transformuar më pas veten në një figurë të hapur, me zemër të madhe kontroversale. Në një kohë shumë të shkurtër, Diana u bë një nga figurat më të famshme dhe sigurisht më të fotografuara.
Më 31 gusht 1997, Diana, Princesha e Uellsit, vdiq në spitalin Pitie-Salpetiere të Parisit pas dëmtimeve të rënda të marra në kraharor, nga një aksident me makinë. Shoqëruesi i saj, Dodi Al Fayed, vdiq menjëherë në përplasjen e orës 12:25 të mëngjesit. Shoferi Henri Paul ishte i dehur dhe humbi kontrollin e Mercedesit në një tunel. Ai po udhëtonte me shpejtësi të madhe në përpjekje për të shpëtuar nga fotografët paparac. Badigardi i Dianës, Trevor Rees Jones, shpëtoi me dëmtime të rënda. Ai ishte i vetmi që kishte vënë rripin e sigurimit. Vdekja e Dianës, e adhuruar nga miliona vetë për bukurinë dhe natyrën e mirë, zhyti botën në zi.
Diana Frances Spencer lindi më 1 korrik të vitit 1961 në Park House, shtëpinë që prindërit e saj e kishin marrë me qera, në pronën e Mbretëreshës Elizabetë II, në Sandringham, Angli. Në fëmijërinë e saj, kishte shoqëri me Princin Andrew dhe Princin Eduard, djemtë më të vegjël të Mbretëreshës Elizabetë. Kur babai i saj trashëgoi titullin Earl of Spencer, në vitin 1975, Diana u njoh si Lady Diana Spencer. Pasi mbaroi shkollën, Lady Diana u bë mësuese në kopësht në një shkollë në periferi të Londrës.
Në vitin 1980, ajo filloi një histori dashurie me Princin Çarls, djali i madh i Mbretëreshës Elizabetë. Në shkurt të vitit 1981, 33-vjeçari, Princi i Uellsit, shpalli fejesën me 19-vjeçaren.
Bukuria e Dianës dhe ndrojtja e saj u bënë objekt i medias. Më 29 korrik, të vitit 1981, rreth një bilion shikues, në 74 vende, u bënë dëshmitarë të martesës së Princit Çarls, trashëgimtar i fronit mbretëror të Britanisë, me Lady Diana Spencer.
Të martuar në një ceremoni madhështore, në Katedralen St. Paul, në prezencën e 2.650 të ftuarve, romanca e çiftit ishte për momentin lakmia e të gjithë botës. Fëmija e tyre i parë, Princi William, lindi në vitin 1982, dhe fëmija i dytë, Princi Harry, lindi në vitin 1984.
Çifti përrallor ishte gjithnjë nën vëzhgimin e medias. Paparacët e pavarur e bënë Dianën një nga gratë më të fotografuara të botës, por kjo i shkaktonte asaj depresion.
Në vitin 1992, Diana dhe Çarlsi u ndanë zyrtarisht. Në gusht të vitit 1996, princi dhe princesha, pas bisedimeve të stërzgjatura, arritën një marrëveshje për divorcin e tyre.
Në këmbim të një vendstrehimi dhe të drejtën për të mbajtur apartamentet, në Pallatin Kensington, dhe titullin e saj, si Princesha e Uellsit, Diana pranoi të heqë dorë nga titulli, Lartësia Juaj, dhe çdo pretendim në të ardhmen, për fronin britanik.
Pas divorcit, princesha popullore ndihej mirë në rrugën e saj për të arritur ëndrrën për t’u bërë “mbretëreshë në zemrat e njerëzve”.
Ajo mbeti njeri publik dhe vazhdoi të promovonte shumë kauza humanitare, duke përfshirë përkrahjen për të sëmurët me SIDA dhe fushatën kundra minave tokësore.
Në fund të vitit 1996, Diana u lidh me milionerin Dodi Al Fayed, djalin e pronarit egjiptian të dyqaneve Harrods. Lidhja e tyre u thellua në vitin 1997 dhe në gusht ajo shkoi me pushime me Dodin në Mesdhe. Si gjithmonë, paparacët i ndoqën nga pas, dhe një fotograf u pagua 3 milion dollarë, nga tabloidët, për një fotografi të Dianës dhe Dodit, duke u puthur në jahtin e tij.
Më 30 gusht, Diana dhe Dodi shkuan nga Sardenja në Paris. Diana kishte planifikuar të kthehej në Pallatin Kensington të nesërmen, pasi të kalonte një natë në vilën e Dodit në Paris. Atë mbrëmje, Diana dhe Dodi darkuan në një restorant, në hotelin Ritz në Paris, pronar i të cilit është babai i Dodit që prej vitit 1979. Pas darkës, Dodi i kërkoi shoferit të tij të nisej për në vilë, në përpjekje për të larguar fotografët. Nga ana tjetër mori si shofer Henri Paul, zëvendësshef i sigurisë në hotelin Ritz. Ai pranoi, edhe pse ishte i dehur dhe po merrte ilaçe anti-depresive që nuk duhej të përziheshin me alkool.
Rreth mesnatës, Dodi dhe Diana dolën nga hyrja e pasme e hotelit Ritz. Paparacët, që nuk ishin gënjyer nga hileja e mëparshme, fotografuan çiftin, kur po futej në një Mercedes antiplumb, bashkë më badigardin e Dianës. Ndërkohë që po ecnin përmes qytetit, ata po ndiqeshin nga afër nga shumë paparacë me motorë. Në Place de la Concorde, Henri Paul rriti shpejtësinë, në përpjekje për t’u larguar nga paparacët. Në kohën që arritën në nënkalimin e Pont de l’Alma, shoferi po udhëtonte me 120 milje/orë, në një zonë ku shpejtësia lejohej deri në 30 milje/orë. Kur ata u futën në nënkalim, Paul humbi kontrollin, dhe Mercedesi u përplas me një mur dhe goditi kolonat. që mbanin tavanin e tunelit. Paparacët, që ishin 100 jard (91.44 m) pas, patën mundësinë të ndalonin në kohë, në momentin e aksidentit. Disa prej tyre vrapuan për në tunel dhe filluan të bënin fotografi, të cilat u konfiskuan më vonë nga policia.
Mercedesi, që gjendej i përplasur në kolonën e 13-të, ishte bërë si një lëmsh metalik që nxirrte tym. Diana ishte e bllokuar brenda, ishte e gjallë, por me dëmtime serioze në kraharor. Ambulancat erdhën për disa minuta, por, ngaqë makina ishte bërë prej çeliku antiplumb, u desh rreth një orë e gjysëm për ta nxjerrë atë nga makina e shkatërruar. Ajo u dërgua në spitalin Pitie-Salpetiere, ku pësoi atak kardiak disa minuta pasi mbërriti në spital. Kirurgët nuk arritën ta kthenin në jetë, dhe ajo u deklarua e vdekur në orën 3 të mëngjesit. Ishte vetëm 36 vjeç.
Badigardi i Dianës ishte i vetmi i mbijetuar nga përplasja. Ai pësoi tronditje dhe dëmtime të tjera dhe nuk kujtonte asgjë nga përplasja por as nga ngjarjet që kishin pasuar. Autoritet franceze arrestuan 10 fotografë paparacë, të cilët po ndiqnin Mercedesin, dhe u akuzuan për përfshirje në vrasje. Akuzat ranë kur një investigim zyrtar arriti në përfundimin se Henri Paul ishte i vetmi fajtor për aksidentin fatal.
Vdekja tragjike e Dianës shkaktoi një shpërthim ndjenjash të britanikëve, që nuk ishin parë që prej festimeve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit, që bënë homazhe, sollën më shumë se një milion buqeta lulesh, në pallatin mbretëror, dhe pritën në rresht më shumë se 12 orë, për të firmosur në librin e ngushëllimeve.
Më shumë se 3.500 linja telefonike u vunë në dispozicion, për të mbledhur donacionet për një fond përkujtimor. Brenda një viti, fondi i mbledhur, nga bamirësia, ishte 133 milion dollarë, nga të cilat 48 milion dollarë u mblodhën nga shitjet e këngës, që Elton John ia dedikoi Dianës, “Candle in të Wind 1997”, dhe 20 milionë dollarë u mblodhën nga suveniret e Dianës.
Familja mbretërore përgatiti një funeral shtetëror, për Dianën, në Westminster Abbey, më 6 shtator. Arkivoli i Dianës u dërgua nga Pallati Kensington në Abbey, dhe rreth një milion persona, që vajtonin, rrethonin rrugën. Djemtë e Dianës, William, 15 vjeç, dhe Harry, 12 vjeç, u bashkuan me babain e tyre, Princin Çarls; gjyshin, Princin Filip; dajën, Çarls Earl of Spencer, për të shoqëruar kortezhin me arkivolin. E vetmja zhurmë që dëgjohej ishte trokëllima e kuajve dhe kumbimi i kambanave të kishës.
Shërbesa u shikua nga rreth dy miliard shikues në botë. Bashkëpunëtorët e Dianës, në bamirësitë e ndryshme të saj, përfaqësonin 500 nga 2000 vetat që ishin ftuar të merrnin pjesë në funeral. Elton John, një mik i Dianës, preku pjesëmarrësit në ceremoni kur ai këndoi “Candle in the Wind” duke luajtur vetë në piano. Pas shërbesës, trupi i Dianës u dërgua, me një makinë funeralesh, në pronën e trashëguar të familjes së saj, pranë Althorp, në veri të Londrës. Në një ceremoni private, ajo u preh, në një ishull të mbuluar me pemë, pranë një liqeni të vogël, sigurisht larg aparateve fotografikë.
Që prej vdekjes së Princeshës Diana, Althorpi, pronë e familjes Spencer, që prej 500 vjetësh, është bërë tani një vend tërheqës për turistët.
10 fakte që ndoshta nuk i dini për Lady D
1- Ajo kishte një trashëgimi mbresëlënëse
Dhe s’e kemi fjalën vetëm për qarqet e aristokracisë ku ajo ka lindur duke qenë e bija e Earlit të tetë të Spencer. Ajo kishte marrëdhënie mjaft mbresëlënëse me Audrey Hepburn, Winston Churchill dhe një pjesë të vogël të presidentëve amerikanë përmes dukeshës së Devonshire Georgiana Cavendish, karakteri i filmit të vitit 2008. Diana ishte e lidhur edhe me mbretëreshën Mary të Skocisë, ç’ka do të thotë se gjaku mbretëror ka qenë gjithmonë tek ajo.
2- Gjyshja e saj ka punuar për familjen mbretërore
Ajo ishte gjithashtu një mike shumë e ngushtë e Mbretëreshës dhe një pianiste, në festivalin e mbretit Lynn, të njohur gjerësisht.
3- Ajo e filloi karrierën e saj në mësimdhënie dhe kujdesin e fëmijëve
Para se të ishte një princeshë, Diana u angazhua në një rrugë shumë të ndryshme nga ajo e karrierës. Duke filluar punë në moshën 19-vjeçare, punët e saj të para ishin: një Babysitter, një ekzekutive dhe asistente e një mësuesi për të rinj.
4-Motra e Dianës, Sarah gjithashtu dilte me Princin Charles
Natyrisht para Dianës. Lady Sarah tani është e martuar me Neil McCorquodale, por ajo është ende shumë e afërt me familjen mbretërore në vitet pas vdekjes së motrës së saj. Në vitin 2013, ajo është parë me Prince William, dukeshën e Kembrixhit dhe Prince George në 16 vjetorin e vdekjes së Dianës pranë Grantham.
5-Ajo ftoi Cindy Crawford në kohë që princi Willian e dëshironte
Kur Princi William ishte 13 vjeç, i la të kuptonte të ëmës se kishte një dëshirë “adoleshenteske” me Cindy Crawford. Kështu që çfarë mund të bënte tjetër Diana veçse ta ftonte supermodelen për darkë?
Crawford rrëfeu se ishte tmerruar nga takimi me të. Ishte pak e çuditshme, tha ajo në vitin 2006. Ai ishte një fëmijë, kështu që unë s’doja të dukesha idiote. Por nuk doja të dukesha si e dalë mode. Unë e dija se si dukej një supermodele në sytë e një fëmije”.
6- Ajo i ndryshoi botës mënyrën e të menduarit për AIDS
Është e ditur se filantropia zinte një pjesë të madhe nga jeta e princeshës Diana. Ajo mbështeti mbi 100 organizata bamirëse dhe madje fitoi çmimin Nobel për Paqe, disa muaj para vdekjes.
Një nga këto arsye ishte edhe ndërgjegjësimi për HIV dhe AIDS
7- Ajo ishte një kopertinë e preferuar për revistat
Shtypi zinte një pjesë të jetës së saj. Gjatë jetës së saj, ajo kishte dalë në kopertinën e revistës People më shumë se 50 herë, revista Time e kishte paraqitur tetë herë në kopertinën e saj dhe Newsëeek e kishte publikuar 7 herë në kopertinë.
8- Dëshironte të bëhej balerinë
Ajo u fejua me princin Charles kur ishte 19 vjeçe dhe u martua kur ishte 20. E zgjodhi unazën e fejesës nga nja katalog. Fustani i saj i nusërisë është më i rëndi i përdorur ndonjëherë në familjen mbretërore
9- Ëmbëlsira e saj e preferuar ishte pudingu. I argëtonte fëmijët e saj në vende që nuk ishin tipike për familjen mbretërore. Ngjyra e saj e preferuar ishte pink
10- Nxori në ankand 79 nga fustanet e saj duke mbledhur 5, 76 mln dollarë ndihma për të sëmurët nga AIDS dhe kanceri./ Tirana Observer