Durrësi së shpejti me tunel nëntokësor që lidh qytetin me Currilat

Së shpejti plazhi i Currilave dhe ai i Kallmit do të bashkohen me qytetin bregdetar të Durrësit me anë të një tuneli, e kjo falë një projekti që pritet të realizohet së shpejti. Burime nga Bashkia e Durrësit kanë bërë të ditur se tuneli do te fillojë në Rrugën e Dëshmorëve, në drejtim të kryqëzimit me rrugën “Aleksandër Goga” poshtë Muzeut të Dëshmorëve nën fabrikën e tullave dhe do të dalë në pjesën perëndimore të kodrës së Currilave. Gjatësia e këtij tuneli parashikohet të jetë 1.2-1.4 km, ndërsa pika e nisjes së tij do të merret kryqëzimi i rrugës “Kasem Durrësi” me rrugën e “Dëshmorëve”, nga ku do të fillojë rampa zbritëse për në tunel. Projekti më i ri që pritet të realizohet në Durrës është një tunel që do të nisë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në Currila, një projekt gjigant që do ta lehtësonte aq shumë jetën e qytetarëve durrsakë. Për projektin e ri është bërë edhe thirrja për pjesëmarrje në tender për hartimin e një Studimi dhe Projektimi për Realizim të Tunelit në aksin Muzeu i Dëshmorëve-Currila.

Ndërtimi i këtij tuneli është domosdoshmëri për lehtësimin e trafikut në pjesën jugperëndimore të qytetit duke filluar nga hyrja e Portit dhe drejtohet për në Plazhin e Currilave deri në Kallm dhe krijon një unazë me qendrën e qytetit me zonën perëndimore. Fondi limit për hartimin e Studimit dhe Projektit është 12. 500. 000 (dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë dhe mbulohet nga buxheti i bashkisë së Durrësit. Ende nuk dihet se kur është vendosur të ndërhyhet për të filluar punimet, por janë zgjuar shpresat se shumë shpejt mund të niset me realizimin e një prej projekteve mbase unike në vendin tonë, por jo për vendet të tjera që janë krejt të zakonshme dhe të natyrshme, ku nënkalime të tilla kanë bërë që të funksionojnë kryeqendra të mëdha botërore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *