Sot, për turpin tonë, Ana Franku është një vajzë siriane!

Nga Nicholas KRISTOF

Më 30 prill 1941, një burrë hebre këtu në Amsterdam shkroi një letër të dëshpëruar drejtuar një mikut të tij amerikan, ku i lutej ta ndihmonte të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA janë i vetmi vend ku ne mund të shkojmë”, shkroi ai. “Më shumë për hir të fëmijëve”.

Një vullnetare e gjeti këtë kërkesë për ndihmë në vitin 2005, kur ajo po seleksiononte dosje të vjetra të refugjatëve të luftës së dytë botërore në Nju Jork. Dukej si një dosje si të tjera të panumërta, derisa ajo pa emrat e fëmijëve.

“Oh”, tha ajo, qënka dosja e Ana Frankut”. Së bashku me letrën ishin edhe shumë të tjera nga Otto Frank, që kërkonte ethshëm t’i largohej persekutimit nazist dhe të merrte një vizë për në Amerikë, Britani apo Kubë – por që nuk arriti asgjëkund për shkak të një indiference botërore ndaj refugjatëve hebrenj.

Ne e dimë të gjithë se fëmijët Franku u vranë nga nazistët, por ajo që dihet më pak është mënyra sesi fati i Anës u vulos nga një frike e pashpirt nga refugjatët, që janë mes njerëzve më të dëshpëruar të botës.

Ju tingëllon familjare e gjitha kjo?

Presidenti Obama u zotua të pranojë 10 mijë refugjatë sirianë – një numër tepër i vogël, vetëm një e pesta e 1 përqindëshit të numrit të përgjithshëm – dhe Hillary Clinton sugjeroi të merreshin më shumë. Donald Trump disa herë i kritikoi rëndë ata për mungesë dëshire në pranimin e sirianëve dhe nga ana tjetër, ka apeluar për ndalimin e muslimanëve. Frika nga terrorizmi i ka lënë refugjatët muslimanë në mëshirë të fatit në Perëndim dhe pothuajse askush nuk i do më ata, ashtu sikundër askush nuk dëshironte të ndihmonte një adoleshente gjermano-holandeze me emrin Ana.

“Askush nuk fsheh familjen e tij në zemër të një qyteti të pushtuar, vetëm nëse i kanë mbaruar të gjitha mundësitë e tjera”, vëren Mattie J. Bekink, konsulent në shtëpinë e Ana Frankut në Amsterdam. “Askush nuk e merr fëmijën e vet në një varkë të lodhur për të kapërcyer Mesdheun vetëm nëse është i dëshpëruar”.

Si bir i një refugjati të luftës së dytë botërore siç jam, kam bërë kërkime për histerinë kundër refugjatëve të viteve 1930 e 1940. Ashtu si edhe Bekink lë të kuptohet, paralelet me aktualitetin janë tronditëse.

Për familjen e Ana Frankur, një jetë e re në Amerikë dukej e mundshme. Ana kishte studiuar anglisht, dhe babai i saj fliste anglisht. E kishte jetuar në rrugën 71 në Manhattan dhe kishte qenë prej një kohe të gjatë mik me Nathan Straus Jr., zyrtar në administratën e Ruzveltit.

Pengesa ishte lodhja amerikane ndaj refugjatëve që tejkalonte simpatinë. Pas pogromit të vitit 1938,  Kristallnacht kundër hebrenjve, një sondazh zbuloi se 94 për qind e amerikanëve nuk e miratonin trajtimin e hebrenjve nga nazistët, por 72 për qind ende kundërshtonin pranimin e  tyre në shkallë të madhe.

Arsyet e kundërshtisë së atëhershme janë të njëjta me arsyet për refuzimin e sirianëve sot: nuk mund të përballojmë koston, duhet të kujdesemi në fillim për amerikanët, nuk mund të pranojmë çdokënd, ata do të marrin punët e amerikanëve, ata janë të rrezikshëm dhe të ndryshëm nga ne.

“Shtetet e Bashkuara, nëse vijojnë të jenë strehë për azilantët e të varfrit, shpejt do të dëmtojnë jetën ekonomike aktuale”, paralajmëronte dhoma e Tregtisë së Nju Jorkut në vitin 1934.

Ka nga ata lexues që mund të kenë vërejtje: por hebrenjtë nuk ishin një kërcënim sa ç’janë sirianët sot. Në vitet 1930 dhe 1940, megjithatë, bota ishte në luftë dhe hebrenjtë shiheshin si komunistë potencialë apo madje edhe nazistë. Kishte një frikë të përhapur se Gjermania do të inflitrohej në SHBA përmes spiunëve dhe sabotatorëve që do të mbërrinin të maskuar si refugjatë hebrenj.

Organizatat e lajmeve nuk bënë mjaftueshëm për të humanizuar refugjatët dhe në vend të kësaj, tragjikisht, ndihmuan në përhapjen e ksenofobisë. “The Times” publikoi një artikull në faqe të parë rreth rrezikut të hebrenjve si spiunë nazistë, dhe “The Washington Post” publikoi një editorial ku falënderonte Departamentin e Shtetit se kishte mbajtur jashtë vendit nazistët e mbuluar si refugjatë.

Në këtë mjedis, zyrtarët dhe politikanët humbën gjithë humanizmin.

“Ta lëmë Europën të kujdeset për të vetët”, argumentonte senatori Robert Reynolds,  senatori i Karolinës së Veriut që denonconte hebrenjtë.

Zyrtarë të departamentit të Shtetit rregullisht shtrëngonin rregulalt e emigracionit për refugjatët hebrenj. Në këtë klimë, Otto Frank e kishte të pamundur të merrte viza për veten dhe familjen e tij, që ishin viktima pjesërisht edhe për shkak të paranojës amerikane, demagogjisë dhe indiferencës.

Historia rimon. Ashtu si e kam thënë edhe më parë, hezitimi i presidentit Obama për të bërë më shumë për t’i dhënë fund masakrës në Siri hedh hije mbi trashëgiminë e tij, dhe thjesht nuk k asnjë justifikim për dështimin kolektiv të botës që nuk arriti t’u sigurojë fëmijëve refugjatë sirianë në vendet fqinje me Sirinë, të paktën të hynin në shkollë.

Sot, për turpin tonë, Ana Franku është një vajzë siriane.

* Nicholas Kristof është kolumnist në “The New York Times” që prej vitit 2001. Diplomuar në Harvard, mësoi arabisht në Kajro. Korrespondent prej një kohe të gjatë për gazetën, ai ka fituar dy çmime Pulitzer Prizes për mbulimin e lajmeve nga sheshi Tiananmen dhe genocidit në Darfur.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *