Folklori brilant i labërisë dhe vargjet polifonike, një pasuri e paçmuar!

Nga Petrit Ruka

Qysh në fillim të herës, kërkoj ndjesë, që më duhet të bëj një sqarim. Mos prisni të jetë ndonjë kumtesë shkencore, ndonjë studim i mirëfilltë, ndonjë vështrim kritik. Është thjesht një trajtesë mbi vlerën ndikuese të folklorit. Thjesht, kur miku im Agim Mato më kërkoi në se mund të referoja ndonjë gjë për poezinë i thashë të vërtetën. Kam një vështrim modest mbi bukurinë e folklorit lab dhe mbi atë çka mund të mësojë poezia prej tij. Një trajtesë që e kam mbajtur dikur në Tepelenë dhe që më duhet t’i bëjë disa rishikime freskuese. Si poet i viseve jugore e kam aq për zemër atë, sa që kam mësuar shumë prej saj se si shkruhet poezia. Por besoj se këto shënime modeste janë aq shlodhëse sa nuk të mërzisin kurrë dhe unë besoj se duke shpjeguar bukurinë e saj, dashur pa dashur, ke mësuar se si mund të të shërbejë si një model i shkëlqyer lakonizmi dhe se si funksionon fuqia e saj artistike.

Po e filloj me një këngë lufte nga më të vonat, në Luftën e Dytë Botërore. E me që jemi tek lufta le të ngjitemi pak në Kurvelesh.
“Kurvelesh, o zemra ime, Kurvelesh,
Të dërgon Duçja lëvdime, Kurvelesh…”
Ndërsa ti shqyen sytë se si është e mundur kjo hata, se si ka ndodhur ky turp aty ku nuk ka patur kurrë tradhti, përgjigja vjen si rrufe artistike. I beftë dhe drithërues, vjen vargu gjëmëmadh që të shastis…
“Me top e me bombardime….”
Ne marrim frymë lirisht. Doemos, këto janë lëvdimet që mund të dërgoj Duçja e me këto lëvdohet Kurveleshi ynë. Gjetja është gjeniale. Kalimi nga një situatë e pazgjidhur kuptimore drejt e në një qartësi verbuese, bëhet pa asnjë varg ndërmjetës. Të tillë dekorata pranon Kurveleshi i Bilbilenjve, asgjë tjetër. Me to është mësuar prej njëmijë e ca vjetësh. Dhe tjetër lëvdatë nuk do veç heroizmit të tij. Një mrekulli e tërë në pesë-gjashtë vargje. Tabloja është rrënqethëse, njerëzia është nëpër shpella, po nuk jepet. Qiejve kalojnë gjylet dhe foshnjat kanë mbetur jetime. Por nënat nuk jepen edhe kur qumështi i gjirit thahet nga rropama e luftës. Mjeti më i thjeshtë i letërsisë, elipsi, ai i gjithëngjenduri, pa të cilin letërsia do ish prozë e rëndomtë bisedore arrin kulminacionin e vet. E tillë është kjo racë e pamposhtur, nuk jepet edhe kur greku vjen me urë në dorë si në vitin e zi, 1913.
“Seç na erdhi greku me urë në dorë,
Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë,
Me djepe në krah, me foshnja në dorë,
Qaj, moj Shqipëri, ulëri e gjorë…”
Këtu vargu i parë është i çuditshëm. Nuk fillon me mjerimin e masakrave ashtu sikundër mund të pritet në një këngë lufte. Por me habinë e madhe deri në një hata. Ka ndodhur një gjëmë: fqinji, me të cilin ka kaluar një vëllazëri prej qindra shekujsh ka bërë një gjë të pamendueshme. Është çmendur dhe është vërsulur me urën e zjarrit në dorë kundër vëllait të tij, sapo ai ka formuar një shtet. Tek fjala e vogël “seç” është mpiksur një habi deri në tmerr. Por se mos harroj dhe ju se vini re! Nuk ka asnjë sharje për fqinjin e tij shekullor, thjesht përshkruan një marrëzi, nga ato që shpesh bëjnë të gjitha qeveritë e poshtra në kohë të pista historike. Kjo është fuqia marramendëse e këngëve labe, e poetëve të rrallë që lindin këto male. Më tej pamja është biblike dhe e gdhendur me kaq pak fjalë. Mijëra gra dhe fëmijë zvarriten poshtë nëpër ullishtat e Vlorës, por burrat janë aty, tek përroi i Salarisë, ku beteja vazhdon me muaj të tërë, dhëmb për dhëmb. Nuk ka gjumë viti 1913. Dhe kënga, si asnjë historian, gazetë apo akademi e tërë, sjell në tre rreshta tërë atmosferën e luftës aty. Një grusht burrash, të futur në një shpellë diku matanë përroit të Salarisë, presin agimin që të dalin të luftojnë. Por gjylet nuk i lënë të flenë, të marrin një sy gjumë për ditë të tëra.
Dhe ja se si përshkruhet në mënyrë gjeniale një situatë lufte:
“Hall i madh që na ka zënë,
Nuk na lënë gjylet të flemë,
Do këndojmë apo çdo bëjmë?!”
Ç’janë këta burra të marrë që nuk ua bën syri tërr?! Nuk dinë ku i kanë fëmijët, nuk dinë në se do gdhihen gjallë deri nesër. Po atyre aq u bën. Me që është errësirë dhe nuk luftojnë dot, atëherë mund të këndojnë këngë labe, një ilaç çudibërës për zemrën. Të tjerët mbase nuk e kuptojnë, por ata e dinë që në bark të nënës se si mbahet zemra gjallë. Me këngë labe… Asgjë sqaruese banalisht për trimërinë, karakterin, cilësitë e tyre. Pse çfarë duhen? Ato janë midis rreshtave. Çfarë njerëzish janë këta që luftën dhe vdekjen e kanë kaq të zakonshme e të papërfillshme?! A kanë emra dhe çfarë sekreti zotërojnë?! Kënga vjen në ndihmë me shpjegime të kursyera deri në magjepsje.
“Mersin Meçe, rahmet xhani,
Hodhi zinxhirët tek varri…
O djem këtu u mbani,
Se nuk ka vend Junani…
“ Si është e mundur që të vizatohet vetëm me 15-16 fjalë një portret kaq i qartë dhe madhështor? Ja që kjo mund të ndodh në këngën popullore. Një burrë nga Dhemblani i Tepelenës bën të pabërën, na thotë kënga. Lidhet me zinxhirë pas varrit të vet! Domethënë bën një pakt me varrin e tij. Dhe tani ç’mund t’i bëjnë gjylet këtij, Mersin Meçes?! Me se mund ta trembësh këtë burrë?! Fuqia e këtyre vargjeve është një magji që nuk komentohet. Dhe nuk e tepëroj aspak, nëse ju them që ajo ia kalon për nga dendësia artistike dhe emocionale si gjetje edhe lidhjes me zinxhirë te vepra e Eskilit, “Prometeu i Lidhur.” Dhe ja, sepse… Në se heroi i parë i botës, Prometeu, pasi u vodhi zjarrin dhe gërmat Perëndive në Olimp dhe ua dha njerëzve, Zeusi e dënoi duke e lidhur me zinxhirë tek shkëmbinjtë e Skithisë. Këtu, në vargjet që citova, heroi i këngës është ku e ku më i paepur. Nuk e lidhin. Vetëlidhet në emër të lirisë pas varrit të tij.
Shtatë vjet më vonë, një shoku tjetër të Mersinit, i vjen thirrja e luftës në mënyrë urdhërore:
“O Selam do veç në Vlorë….
Do vete në paça forë,…”
Çfarë modestie prekëse dhe përgjigje të pabujë zgjedh poeti popullor në përgjigjen e Selam Musait. Sa burrërisht përgjigjet: “do vete në paça forë.” (fuqi.) Dhe si për t’i ngritur kultin e lavdisë Heroit të Njëzetës, poeti popullor, në këtë rast tepelenas, gjen një rrugë të tërthortë që të shqyen mendjen për nga bukuria: nuk e vlerëson vetë Selam Musanë, por gjen një gjykatës suprem, më të madhin e jetës mbi tokë, diellin. Ia drejton atij pyetjen se ku bie ai në fillim, kur del në mëngjez..
“O dielli proto ku bie? “
Dhe dielli e ka përgjigjen në majë të gjuhës:
“Në malet të Salarie… ”
Selam Musai kur vije…” e të tjera.
Se përse dielli, më parë se sa në Himalajë, bie këtu, në këta “malet e Salarie,” kjo nuk ka nevojë për spjegim dhe poeti popullor nuk merret me sqarime të kota, nga ato që bëjnë të patalentuarit. I kursen fjalët, se ato i çmon më shumë se floriri. Dielli është diell, dhe e di vetë se çfarë burrash nderon. Mençuri drithëruese. Gjetje brilante nga ato që çdo poet mund t’i kish zili dhe pa asnjë mëdyshje mahnitëse. Lakonizmi, ja magjia e artit të madh. Kapërcime të befta që të trondisin.
“Ra një ves e mbuloi dhenë,
ra Tafili në Tepelenë…”
Çfarë prisni që të ketë mes vargut të parë dhe të dytë? Sqarime se përse është këtu fjala?! Për shpejtësinë e këtyre burrave, për befasinë e këtij trimi dhe të shokëve të tij. Paralelizmi midis vesës që bie e mbulon dheun dhe kryengritësve të Tafilit nga Buzi, nuk ka nevojë për asnjë koment. Nuk është vetëm shpejtësia, por edhe sasia e bujshme e trimave të tij. E mbulojnë vendin si vesa!
Në një këngë për Hodo Nivicën vijnë ca pamje që nuk i gjen dot as poshtë mureve të Trojës, nga ato që shkruan babai i letërsisë botërore, Homeri. Në se këto, për Hodon, do të ishin përkthyer në gjuhë të mëdha dhe do të ishin bërë pronë e artit botëror, krahasimet nuk do të dukeshin aspak të tepërta. Ja seç ndodh në këto vargje…Pas shumë betejash Hodo Aliut i ka ardhur ora e rënies. Poeti popullor bën një kataklizëm të vërtetë me tre vargjesh mahnitës.
“Gjylja mbi kokë i ra,
Koka më dysh iu ça,
Ai bën sikur se pa…”
Vetëm një letërsi e madhe mund të krijojë skena të tilla biblike, madhështore, përtej arsyes. Ka rënë gjysma e kokës në tokë. Mirëpo Hodua është ende në këmbë edhe dy- tre sekonda me gjysmën tjetër. Ka akoma një sy për të parë se çfarë ndodhi. Çuditërisht, ai as që denjon ta shikojë gjysmën e kokës që është rrokullisur në tokë. Aq i bën për të. A thua se ajo gjysmë koke, e cila pranoi të binte përdhe nga një gjyle, nuk e meriton të vështrohet fare, përderisa nuk qe e zonja të qëndrojë ende mbi supe, si gjysma tjetër. Në të vërtetë vargu i tretë thotë, “ai bën sikur se pa”. Domethënë e ka parë, po bën sikur nuk e ka parë, nuk begenis fare t’i kushtojë vëmendje.
Njësoj si tek kënga e Bilbilit të xhixhisë, komitit tjetër, Bilbil Nezhës, që kur e pyesin se ku i ka nja dy pika loti për veten, tani që u vra, përgjigja është rrënuese për dëgjuesin;
“O Balil ç’i bëre lotët,
i kam derdhurë për shokët… “
Ja pra pse nuk e llogarit më fare veten. Nuk i kanë mbetur më shokë dhe ky është fundi i botës, si mund të rrohet më tej pa ta.
“Bilbilenjtë shkojnë kaluar,
Me byzylykë në duar…”
Ç’janë këta burra që mbajnë byzylykë në duar kur dihet që ato i mbajnë vetëm grate? Eh! Ka ca raste kur edhe burrave u vënë “byzylykë” dhe ato dihet që janë prangat. Por jo prangat që u vihen ordinerëve, por burrave të lirisë…Çfarë bizhuterie e mrekullueshme! E panjohur fare për botën e stolive…
Nuk e di se sa të vështirë do ta kishte historia pa këtë pasuri kolosale. Përveç bukurisë dhe tronditjes emocionale që të sjellin, burimet e tyre informuese janë kaq të sakta dhe detajuese, sa ndonjëherë as kronikanët më skrupulozë nuk do të ishin kaq të padiskutueshëm. Doni të dini se në ç’muaj i kapën Bilbilenjtë, komitët e famshmëm antiosmanë? Këtë jua thotë kënga: në shkurt. Ndodhi, atij shkurtit që “hodhi borë të rëndë”. Ku i çuan, në këmbë apo kaluar, ku ishte vendi i varjes, në çfarë peme, si vdiqën, ç’fjalë thanë tek cigarja e fundit? Aty i kemi, te kënga, tek ajo kënga e tyre me pesë- gjashtë vargje, të pakët për nga sasia, por që krijojnë një botë të tërë, a thua se po i sheh si në një film epokal.
Ishim deri tani nëpër ca të pakta këngë trimërie, por po të futemi në këngët e dashurisë, aty do të pataksemi edhe ca më shumë me bukurinë e këtij folklori marramendës. Nuk do të zgjatem me to, sepse po u fute në thesarin e tyre të pafund, nuk ia del dot mbanë, por do të sjell vetëm dy a tre shembuj, Do t’ju citoj një këngë që në pamjen e parë duket thjesht si një këngë vuajtjeje, por që vlen sa një dramë e tërë.
“O kokë e qëne, moj qëne,
pse s’dite për veten tënde,
nga bodrumi pse s’u trembe?
Bodrum nate e bodrum ditë,
na qorroi kandili sytë.
– Ç’haber më dërgon moj, Vitë?!
-Çaj hapsanën, dil e ikë!”
Kjo është një poemë e tërë dhe një kryevepër e rrallë dhe e pashoqe për nga dendësia dhe fuqia artistike. Është si një skenar filmi, ku nuk mungon asgjë, nga vetmia homerike e gurëve, drita e pakët si në ferr prej kandilit që po e verbon, lagështia e fjalës bodrum, dhe deri tek harresa e shokëve dhe miqve. Është tërë jeta njerëzore. Dhe befas, atëherë kur mendon se këtij njeriu nuk i ka mbetur asgjë më për të jetuar, ai i drejtohet të vetmit “çengel” shpëtimi, një gruaje, një Vite, (= një bukurie, zane, drite, gruas së tij të jetës.) Çuditërisht ajo bën atë që nuk pritet prej një gruaje. Ndërsa ti prêt që ajo të qaravitet, të përlotet, ta mishërojë e t’i japë shpresë, a mëshirë me ca fjalë përkëdhelëse, vijnë fjalët e saj porsi një marsh trimërie, pikërisht në kohën urdhërore. “Vita” i kujton të vetmen gjë që mund të bëjë një burrë si ai që ajo dashuron…I thotë të çajë hapsanën dhe të dalë, të iki drejt saj…. Ajo beson se ai mund ta bëj për të.
Edhe gratë e “Iliadës” qajnë sipër mureve të Trojës për burrat e tyre që po ndeshen e po vriten. Kjo jo. Përkundrazi… Çfarë gruaje, çfarë vlerësimi për veten e saj, çfarë besimi tek fuqia e burrit që do, çfarë zemre me kockë ka kjo grua labe!…
Dhe çfarë nderimi ka për femrën në këto këngë!
“Gryka me gjerdane zënë,
Dhe një çikë që kishe lënë,
Ndrinte si bora në hënë…”
Ajo… ka harruar të mbërthej komçën e fudit të fustanit dhe Ai ka parë një pjesë të qafës së saj farfuritëse. Kaq ka mjaftuar për të lindur një kryevepër poetike. Ballëpërballë ata kanë qënë vetëm disa sekonda… Ajo, “leshraverdha, tëndë-tëndë,” brenda një ose dy sekondash i ka kthyer atij shpinën në kalim e sipër. Mirëpo në ato dy sekonda të shkreta, ai, me sa duket pati kohë të vinte re që fustani i saj, i kopsitur deri afër grykës, kishte një hapësirë të pafshehur… E aty derdhej një çiiiikëz gushë, nga gryka e saj… me “moj, grykëzënë.” Ka ndodhur çudia,… një nga dy-tre çuditë më të mëdha të gjithë poezisë popullore shqipe… dhe të të gjithë kohrave… Prej asaj copëzës së vogël sipërfaqe, në qafën e një vajze, të një vashe diku, në një katund të humbur malor, lindën dy nga vargjet më të fuqishme që kam dëgjuar në këtë jetë prej fjalës shqipe… “Dhe një çikë që kishe lënë, Ndrinte si bora në hënë…”
Atij duhet t’i ketë kaluar nëpër trup drithërima e borës, një shkumë e madhe mornicash. Nuk ka qënë drita dhe përndritja e qafës së saj, që i ka sjellë asociacionin e borës ndër mendje. Së paku, në çastin e parë. Përkundrazi, ndjesia e borës i ka ardhur së brendëshmi. Pastaj duhet t’i ketë mbrritur vegimi i shkëlqimit verbues që jepte në sytë e tij ajo qafa e saj e hollë dhe e gjatë… Mirëpo edhe pse e bardhë dhe rrezëllitëse, si dëbora e virgjër e shpateve të malit, ku ai është rritur, nuk e ka ngopur dot poetikisht për njëmijë arsye zemrën e tij. Është e vërtetë që ajo qafë ka po atë bardhësi dhe virgjëri, si bora e pashkelur e maleve të tij. Eshtë e vertetë që është po aq delikate dhe e brishtë si ajo, t’i merr sytë e t’i lëbyr me përshkëndritjen e saj. Por kjo nuk mjafton. Si djalë fshati, madje si bari, që kushedi se sa netë i ka kaluar me bagëtitë e tij në stane, ai e ka parë dëborën nën dritën e hënës dhe ajo e ka magjepsur. Thonë se drita e hënës mbi dëborë është si e përtejbotshme.
Mirëpo nëse këtu hëna është hënë e dashurisë, kënga labe ka sa e sa hënëra të tjera…Ja një hënë tjetër nga ato që nuk ta prêt mendja:
Doli Hëna për kusarë,/
dil, moj Hënë!”
Si njeri i letrave kam dëgjuar tërë jetën që ka hënë dashurie, hënë pesëmbëdhjetë, që i bën vajzat e pamartuara t’u dhembin gjinjtë netëve, hënë çobenësh, hënë mbi dëborë, hënë për kullotën e mëngjezit, hënë për qafën e grave (“dhe një çikë që kishe lënë/ ndrinte si bora në hënë,”) hënë për dasma dhe për ujët e ri të dhëndërrit, hënë lugate, hënë që lan fëmijët në gjumë (melaiqet- ëngjejt) hënë fyelli për kuje gjëmash, për të lajmëruar të dashurën (Tanë, moj e zeza Tanë…, ) hënë malli. Janë të pafundme Hënë-rat në folklor. Po se paska edhe një hënë për kusarë, ja këtë e vë re nje ditë krejt papritur! Është një varg i mahnitshëm artistikisht. Si qenka kështu një hënë që dalka apostafat vetëm për kusarët?! Si dreqin është? E plotë, hënë kunadhe nëpër re, hënë kurnace, e ftohtë si një teh thike apo kushedi se si?! Këtë vetëm këngët labe e dinë dhe e merr vesh vetëm kur i dëgjon të kënduara nga këngëtarë të mëdhenj. Kuptimin nuk ua gjen dot nëpër fjalë, po në shpirt, në mënyrën si zgjatet dhe ndërpritet fryma e marrësit, e isos…
E dëgjoj dhe e ridëgjoj, dhe ende s’ia marr dot vesh të fshehtat. Diku shfaqet në këngë një shark që ia veshin dhëndërr- vëllait, po ku niset ky dhëndërr? Dhe përse e lë ai shtëpinë për t’u nisur nën një hënë kusarësh? Vë veshin të dëgjosh më tej, por hëna ikën, bje terri, kënga pushon, isua ndërpritet si me thikë dhe ti mbetesh në mister, krejt në terrin e pyetjeve pafund. “Doli, Hëna për kusarë,/ Dil, moj Hënë!” Duket sikur thirrja nuk vjen prej atyre që po nisen, por prej një tjetri. Kush është ai, apo ajo, tek lutet që hëna të kusarojë mirë në qiell?! Po ata që janë nisur për kusarë?! Mos kërkoni të dini për këtë. Është e pamundur të dihet kjo. Hapësirat e paqarta dhe të pasqaruara në poezinë popullore janë tërë kripa e tyre, ajo që ne të kultivuarit e quajmë mister e kushediçfarë tjetër. E kotë ta shpjegosh. Por le të shijojmë këtë varg madhështor në kohën “lutëse” që i drejtohet Hënës lart në qiell! Kalendari i hënës në këngët me iso është i çmeritur deri aty ku nuk ta pret mendja! Si për çudi, Dielli, ai që duhet të ishte një sovran këngësh, gjendet pak, mjerueshëm aq pak, sa të vjen keq për të. Ndërsa asaj, Hënës, nuk i gjendet fundi i hijeshisë nëpër këngë. Ndoshta nga që ashtu si këngët, që më mirë ngjizen e venë natën, edhe ajo është gjaku i natës.
“Doli Hëna për kusarë…/dil, moj Hënë!”
Për ç’vjedhje, natën, ca burra Labërie janë nisur me nxitim?! Për ndonjë grua“grykëzënë,” që babai nuk do t’ia japë këtij trimit, që ka vendosur të dhëndërrojë me kokën e tij jetën e vet?! Të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie. Por ata, duke u nisur një natë për Diku, shpikën edhe një Hënë të re, që nuk gjendej në asnjë kalendar astronomie e as në ndonjë letërsi të derisotëshme.

Zoti e bekoftë “shpikjen e tyre!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *