25 vite harresë/ Rrëfimi i parë i Pinokut, aktores Eva Pëllumbi pas ikjes nga ambasadat (VIDEO)

Nga Jonida Hitoveizi 

E mbani mend “pinokun shqiptar”, personazhin aq të dashur për fëmijët e brezit të viteve 80 në Teatrin e Kukullave?

Ndoshta Po, por aktoren e talentuar që i dha shpirt dhe kujtesë këtij roli, Eva Pëllumbin nuk e ka kujtuar askush.

Të paktën deri më sot, kur bëhen plot 25 vite kur ajo iku nga Shqipëria së bashku me vajzën e saj, Juna, 14 vjeçe në atë kohë.

Eva u largua dhe në Shqipëri nisën të zënë vënd të tjerë “personazhe kukullash” që vinin nga Perëndimi, ndërsa ata tanët largoheshin pa kthim drejt tij. Eva u largua nga Shqipëria atë ditë të 2 korrikut të vitit 1990 kur Europa hapi dyert e saj mu në mes të kryeqytetit, atje ku hyjnë rreth 5000 shqiptarë duke lënë pas atdheun e tyre të burgosur ende nga komunizimi.

 

 

Ja si e kujton Eva momentin e ikjes dhe të hyrjes në ambasadën gjermane.

Nuk mendova asnjë gjë në atë moment, vetëm mendova për vajzën. Në atë kohë ju e dini mirë që aq shumë gënjenin njerëzit, doja ta shpëtoja vajzën që të mos të mësonte gënjeshtrën. Unë kam vuajtur shumë dhe nuk kam menduar. Ikja ime ishte pa mendime në kokë fare, se ku nuk kisha asnjë plan fare.

Ne ishim në shtëpi dëgjojmë një zë nga ballkoni, Eva, Eva ishte komshiu dhe më thotë Eva shpejt se janë hapur ambasadat.

Dhe kështu kam ikur..

Ne kemi ndenjur aty dy javë në ambasadën gjermane. Gjithë ditën flisja me vajzën që t’i mbushja mendjen hajde ikim, por ajo nuk i dinte hallet e vendit të vet. Nuk kishim asnjë lloj të drejte. Kam punuar shumë….

Ishim ndarë 100 veta, mbaj mend në krah të ambasadës u bënin njerëzve me dorë, “Hajde futuni brenda”. Unë në atë moment hyra brenda. Mbaj mend që po vinte një grup policësh, njerëzit shikonin… Disa duartrokisnin ndërsa disa të tjerë ishin të shtangur.

Eva, në intervistën për Tema tv, të parën e saj pas 25 viteve te ikejs nga Shqipëri na rrefen se nuk është kthyer kurre sepse është harruar.Po aq sa nuk u vleresua kur jetonte ne Shqiperi, pasi sic thote ajo, per tu vlersuar si profesioniste, ne ate kohë duhet te ishe e martuar.

Nuk jam kthyer asnjëherë sepse jam shumë e mërzitur, nuk më është bërë asnjë ftesë.

Jam propozuar si artiste e merituar. Për të qenë artiste e merituar duhet të isha anëtare e lidhjes. Duhet të bëja punë jashtë orarit. Unë bëja tre të tilla.

Kudo që kam shkuar dhe thoja pse nuk po marr titullin, në ministri më thonin martohu. Nuk e kuptoj ca kishte lidhje me martesën.

Kam bërë 3-4 filma artistik dhe gati 100 filma… Mund të pyesni regjisorët që kanë bërë filma për fëmijët. Kam qenë e vetmja dhe shumë pak aktorë kanë bërë ndonjë gjë të vogël, por e shumta është me zërin tim.

Eva e ka të vështirë t’i mbaj lotët në bisedën e zhvilluar përmes Skype, kur flet për këtë harresë nga institucionet, po aq sa dhe e emocionuar që ne kete 25 vjetor te ikjes se saj, dikush e ka kujtuar dhe ai publik që e ka dashur mund ta dëgjojë sërish zërin, e saj edhe pse një zë që ka mall, brenga e zhgënjime.

Ju falenderoj, që u kujtuat. Është një evniment për mua. Mbas 25 vjetësh është shumë emocionuese.

Miqtë e saj, njëri prej tyre Bujar Kapexhiu, i kontaktuar në telefon na tregon se Eva ishte një ndër aktoret dhe imitatoret më të mira në Shqipëri.

Kapexhiu thotë se ajo kishte një plastikë të shkëlqyer dhe se ka dhuruar rolet më të përkryera. Ajo ka dubluar shumë filma vizatimorë dhe u ka dhënë zë shumë personazheve, tregon ai kur e pyesim për Evën.

Eva e ka ndërtuar jetën e saj në Gjermani, ku thotë se arritja e saj me e madhe ka qenë fakti se i ka dhënë të bijës një jetë, ndërsa jeta e saj artistike u mbyll kur hodhi hapin e parë për tu futur brenda ambasadës gjermane për të ikur nga Shqipëria. Ajo tregon se do të kthehej vetëm nëse dikush do të kujtohej ta vlerësonte për punën kolosale që e ka lënë në arkivat e shtetit shqiptar.

Unë njoha një person dhe me atë jetoj prej gati 24 vjet dhe nuk mund ta lija, sepse ai bëri shumë për mua. Është gjerman. Vajza u martua, ka një fëmijë dhe nuk mund t’ia prish familjen, sepse në rast se unë do fitoja një nga të gjitha të drejtat do isha shumë e lumtur të kthehesha pasi “guri rëndon më shumë në vendin e vet”.

Intepretimet e shumta të Eva Pellumbit në filmat vizatimorë, si “Ditëlindja e Bardhoshes”, “Çufo dhe bubi kaçurrel&##8221;, “Babai i arushit”, roli në Teatrin e Kukullave si “Pinoku, e dhjetëra të tjerë, pavarësisht mungesës së një çmimi simbolik për karrierën e saj të gjatë, i kanë dhënë Evës dashurinë e qindra fëmijëve, të një brezi të tërë dhe të një publiku, nga i cili nuk do të harrohet me siguri, kurrë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *