Ana Komnena, kronistja e betejave bizantine në Shqipëri

Nga libri “Shqipëria në luftrat bizantino-normane”. Nga Luan Rama
Ana Komnena, (Annhe the Komnhnhe), (1083-1153), një nga kronistet më të referuara në shkrimet historike botërore të fillimit të mijëvjeçarit të dytë, ishte vajza e perandorit bizantin Aleksi I Komnena, (Aleksi Komnena) dhe e Irena Dukas, e cila po ashtu ishte bijë e një familje perandorake. Më 1 dhjetor të vitit 1083, Aleksi I-rë kthehej nga lufta fitimtar. Të nesërmen lindi vajza e tyre, e cila, siç shkruajnë kronistët, do t’i ngjante shumë. Katër ditë më parë, perandoresha Irenë, duke ndjerë dhimbjet e lindjes, kishte bërë shenjën e Kryqit mbi gjirin e saj duke thënë: «Prit ti fëmija im gjersa të mbërrijë ati yt». Nëna e saj që e dëgjoi vajzën, i tha: «A nuk e di ti që burri yt do dhe një muaj që të kthehet? Si mund të durosh deri atëherë?» Dhe nuk vonoi që perandor Aleks Komnena të kthehej nga luftrat e Ilirisë, ku ishte ndeshur me ushtritë e tmerrshme të normandit Robert Guiskard, i cili do të hynte në histori me epitetin “terror mundi”, pra “terror i botës”. Kjo vajzë «porfirogenet» (pra që lindi në dhomën e purpurt të pallatit imperial), sapo lindi, prindërit e fejuan atë me Kostandin Dukas, djalin e perandorit të mëparshëm Mihal VII Dukas, meqë Aleksi donte të krijonte lidhje familjare dhe aleancë me dinastinë e mëparshme. Madje Konstandini ishte lidhur tashmë me fronin perandorak. Tani edhe ai firmoste dekrete perandorake. Por meqë Kostandini vdiq shpejt, Anën e martuan me Niqifor Brienios, birin e një gjenerali që ishte mundur nga Aleksi, dhe kjo u bë sigurisht, për të ulur gjakrat midis tyre. Që në adoleshencë si dhe në rini, Ana u edukua me letërsinë dhe shkencat, me filozofinë, retorikën dhe matematikën, apo siç do të shkruante ajo me “trivium” dhe “quadrivium”.[1] Lexonte Platonin, Demostenin, Homerin, merrej me astrologjinë. Madje më pas në Konstantinopojë, ajo do të drejtonte dhe një rreth intelektualësh që diskutonin rreth veprave të Aristotit. Personaliteti i saj ishte i jashtëzakonshëm, çka do ta shtyjë më vonë që të luajë një rol politik pranë atit të saj, Perandorit. Ana kishte një dashuri të veçantë për atin e saj. Ajo e adhuronte atë dhe kjo ndihet në veprën e saj Aleksiada, (Alexiade) ku ajo e sheh atë me vetitë më të mira dhe gjithnjë fitimtar. Bazileusi për të ishte «dielli i saj», «fanari»… “Oh, ç’njeri të urtë humbën romanët!- shkruante ajo. – Sa e madhe ishte eksperienca që ai kishte fituar! Dijet e tij letrare, kultura e gjerë që ngërthente njëherësh shkencat profane e të shenjta! Ç’hijeshi kishte ai në gjithë qënien e tij. Madhështia e tij ishte jo vetëm për një fron, por akoma më shumë, për një fron hyjnor e më të mirë!…»
Aleksi vdiq në vitin 1118, siç shkruan ajo, nga një tumor «malinj» me një zhvillim të shpejtë, çka i kapi fytin. Por kur vdiq i ati, ajo nuk donte që fronin perandorak ta zinte i vëllai i vogël, Joani, i cili ishte i ri dhe pa përvojë për një perandori aq të madhe si ajo e Bizancit. Kështu, bashkë me nënën e saj, ajo u përpoq që fronin ta zinte i shoqi, gjenerali i sprovuar Brienios, të cilin ajo e përshkruan në libër me shumë simpati dhe si një njeri heroik, pas të cilit ajo ishte fort e dashuruar. Por nuk ndodhi kështu. Anën e mbyllën në një manastir të quajtur «Teotokos Kesharitomene», («Virgjëreshës gjithë hirësi»), ku pas vdekjes së burrit të saj, ajo morri penën dhe iu kushtua shkrimit të librave të Aleksiadës, siç do të quhej kjo vepër historike, e cila përmbledh 15 libra.
Shkrimi i Aleksiadës
Në fakt, jetëshkrimin e jetës së Aleksit e kishte filluar më parë gjenerali Brienios, por meqë ai vdiq më 1138 dhe kishte lënë vetëm jetëshkrimin e rinisë së Perandorit, atëherë këtë e vazhdoi Ana, që ishte gruaja e tij. ”Unë isha e lidhur me një martesë legjitime me “çezar” Niqiforin, një pinjoll i familjes Brienios, njeri që për nga veprat e bukuria, nga superioriteti e shpirti i tij, perfeksioni dhe elokuenca, i linte prapa bashkëkohësit e vet. Ta shikoje e ta dëgjoje, ishte vërtet një njeri i mrekullueshëm…” Ana shkruan se “me urdhër të të veçantë të perandoreshës, ai nisi të shkruajë historinë e Aleksit… dhe ai e filloi këtë vepër letrare duke e nisur me kohën pararendëse të Aleksit… por Brienios nuk mundi ta realizonte qëllimin e tij dhe gjithë veprën e tij. Kur e solli përshkrimin historik deri në epokën e autokrator Niqifor Botaniates, ai e ndaloi, sepse rrethanat nuk e lejuan ta vazhdonte veprën e tij… Ja pse unë vendosa ta shkruaj atë çfarë kishte bërë im atë, që të mos lejoja që këto gjëra të mos i vlenin së ardhmes…” Që në parathënien e librit, Ana shpreh shqetësimin se historia e babait të saj nuk duhej lënë në harresë: “Koha që rrjedh në mënyrë të pandalshme dhe vazhdimisht, – shkruante ajo, – merr me vete dhe fundos në humnerat e harresës si ngjarjet e padenja për t’i mbajtur në kujtesë, ashtu dhe ato të denja që duhen kujtuar ashtu siç thotë dhe tragjediani se “koha bën të shfaqet ajo që është fshehur dhe atë që duket e mbulon”. Por shkenca e historisë është një digë e patundshme që i kundërvihet pluhurit të kohës: në një lloj mënyre ajo e ndalon rrjedhën e parezistueshme, ngjarjet që zhvillohen, gjithçka ajo ka fiksuar në sipërfaqe ajo e mban në gjirin e saj dhe nuk e lë të rrëshqasë kurrë në thellësitë e harresës… Pra unë, Ana Komnena, vajza e perandorit dhe perandoreshës Aleks dhe Irena, e lindur dhe e rritur në “Profira”,[2] jam e bindur për këtë. Unë jo vetëm që s’jam e huaj ndaj letërsisë, por jam e lidhur ende fort pas gjuhës greke, pa neglizhuar retorikën… Dua që në këtë libër të shkruaj dhe të tregoj aksionet e tim ati, të cilat nuk duhen lënë në heshtje dhe as të rrëmbehen nga vërshimi i kohës në oqeanin e harresës të gjitha ato bëma që ai ka përmbushur si kur ishte në krye të pushtetit ashtu dhe para kurorëzimit të tij, kur ai ishte në shërbim të perandorëve të tjerë. Nëse kam ndërmarrë shkrimin e kësaj historie, këtë nuk e bëj për të treguar aftësinë time si shkrimtare, por që një subjekt kaq i rëndësishëm të mos mbetet i pa dëshmuar për gjeneratat që do të vijnë, pasi dhe ngjarjet më të mëdha nëse nuk i dëshmojmë që t’i ruajë historia për t’i mbajtur në kujtesë, ndryshe ato do të mbesin në errësirat e heshtjes. Në fakt, ati im, ashtu siç e kanë treguar dhe ngjarjet, dinte si të komandonte ashtu dhe tu bindej aq sa mundej prijësve të tij…” Në librin e saj Aleksiada, Ana na paraqitet si një kroniste që shkruan me penën e një shkrimtareje, pasi referencat e saj ndaj Homerit dhe autorëve të tjerë grekë apo latinë janë të shumta, përshkrimet janë të një njeriu që ka lexuar shumë: “Kam lexuar me vëmëndje traktatet e Aristotit si dhe “dialogët” e Platonit, të cilat e kanë mbrujtur shpirtin tim me «quadrivium»-in e shkencave, që duhet t’i përhap. Dhe kjo nuk është mburrje. Gjithçka që ka të bëjë me natyrën dhe shijen time për studimet, si gjithçka që zoti i madh më ka dhuruar, është e lidhur me rrethanat.Aleksiadë nuk mungojnë episode emocionante, ku përshkruhet madje dhe natyra, mjediset gjeografike, detet, lumenjtë apo gjëndjet e personazheve dhe përshkrimi fizik i tyre, siç e shohim në përshkrimin e skenës së «Traktatit të Devollit», (Deabolis – Deabolis), kur në pllajat e Devollit të sotëm, normandi i mundur Bohemond pranoi t’i nënshtrohej bazileusit, atit të saj, apo skena e gjykimit familjar ndaj kushëririt të saj Joan, nipi i perandorit, i cili ishte atë kohë duka apo guvernatori i Durrësit, (Dyrrachium – Dyrrachium), dhe që kryepeshkopi Teofilkate i Bullgarisë, i vendosur në Ohër e akuzonte fshehurazi te Aleksi për tradhëti ndaj perandorit, dhe episode të tjera, herë-herë me tensione dramatike. Jo rrallë, ajo e ndalon kronologjinë e historisë për të shprehur ndjenjat e saj personale, ndjenjat për atin e saj të adhuerueshëm apo të afërm të tjerë familjarë, për dhimbjet e saj, siç kujton dhe lidhjen e saj me Konstandin Dukas, ”një kryevepër e krijuar nga duar hyjnore”, siç shkruan ajo. Aleksiada, si një apologji e lavdisë së familjes së Komnenëve të Aleksit I, kap një periudhë të gjatë historike, pra gjithë kohën e tij në pushtet. Kjo vepër është njëkohësisht një burim i madh informacioni, pasi ajo u qëndron besnike ngjarjeve dhe datave historike. Në rrethimin e parë të Durrësit, me mjeshtëri të veçantë ajo përshkruan çastin kur Roberti sulmoi drejt bedenave të kështjellës me ca kulla të larta druri, të veshura me lëkurë, ku brënda futeshin ushtarë të armatosur mirë që pastaj, kur tu afroheshin bedenave ata të hidheshin brënda kështjellës që të hapnin portat. Ana shkruan: „Ditën e nesërme, Roberti u dha urdhër të gjithëve që të merrnin armët dhe brënda kullës së drunjtë ai futi pesëqind këmbësorë dhe kalorës të armatosur. Kur kulla iu afrua mureve, në çastin kur normandët do të ulnin portat nga lart që ato të shërbenin si ura për të kaluar dhe për tu hedhur brënda qytetit, Paleologu shtyu trarin e madh me ndihmën e mekanizmave të përgatitur si dhe me ndihmën e shumë luftëtarëve trima, çka e bëri të kotë këtë stratagemë të Robertit. Trari e pengoi plotësisht hapjen e portës së kullës së drunjtë. Pastaj, luftëtarët e Paleologut qëlluan me breshëri e pa pushim me shigjetat e tyre kundër keltëve që ishin në majë të kullës. Por ata fshiheshin ngaqë s’mund t’i përballonin goditjet. Atëherë Paleologu dha urdhër që të digjej kulla. Ai ende s’kishte mbaruar fjalët kur kulla ndërkohë ishte përfshirë nga flakët dhe tashmë gjithçka ishte kryer. Ushtarët që ishin brënda dhe lart në kullë menjëherë u hodhën poshtë. Ata që ishin poshtë hapën portën e bazës dhe ia mbathën. Kur Paleologu i pa të iknin, nga një prej portave të kështjellës ai nxorri luftëtarët e tij të guximshëm, disa me armë, të tjerë me sopata dhe mjete të tjera me të cilat duhej shkatërruar kulla. Dhe kjo manovër ia arriti qëllimit: kulla, maja e së cilës digjej, tashmë po thyhej nga ato vegla që po e bënin copë-copë duke e asgjësuar plotësisht…“
Episode të tilla janë të shumta rreth rrethimit të kështjellës së Durrësit. Po kështu ajo i bën një përshkrim të hollësishëm betejës detare të venecianëve që si aleatë të bazileusit kishin ardhur ta ndihmonin kundër trupave të shumta normande. Ata e prisnin në det flotën e komanduar nga Bohemondi, duke i lidhur anijet me njëra-tjetrën në formë rrethi dhe duke pritur sulmin e normandit: „Një betejë e ashpër nisi. Në çastin kur Bohemondi luftonte gjithë vrull kundër armiqve të tij, këta i lëshuan nga lart copat e trungjeve, dhe i çanë menjëherë anijet e Bohemondit. Meqë uji po futej në anije dhe normandët do të mbyteshin, disa prej tyre u hodhën nga anija dhe përballë rrezikut u larguan. Të tjerët që vazhuan të luftojnë kundër venecianëve, u vranë. Ndërsa Bohemondi, jeta e të cilit ishte gjithashtu në rrezik, u hodh në një anije tjetër të tij, ku u fsheh…
Me shumë interes janë gjithashtu përshkrimet e saj rreth betejave të tjera detare, veçanërisht asaj të Robert Guiskardit kundër flotës bizantine e veneciane në brigjet e Korfuzit e të Butrintit, pak kohë më parë se të vdiste i tërhequr në një nga ishujt e Qefallonisë, më 1085.
Burimet e Aleksiadës
Për shkrimin e Aleksiadës, Ana Komnena është mbështetur në informacione të shumta të asaj kohe, por së pari në tregimet e të atit me Gjergj Paleologun, siç kujtonte ajo nga rinia e saj apo thjesht nga biseda të drejtpërdrejta me të. Jo rrallë ndonjë episodi ajo i shton se “kështu na tregonte ati ynë…” Informacione të shumta për luftrat në Iliri kundër normandëve ajo i mblodhi gjithashtu nga bisedat me Niqifor Brienios, burrin e saj, një nga gjeneralët më të famshëm dhe negociatori kryesor për “Paqen e Devollit”. Në një pasazh të librit, ajo tregon se shumë detaje ajo i mblodhi nga një prej këshilltarëve të Robert Guiskardit, i quajtur Urson, i cili e kishte shoqëruar Guiskardit dhe në luftrat e Dyrrachiumit apo Gllavinicës e Petrelës e që më vonë do të kalonte në anën e Aleksit. Po kështu ajo do të mbështetej dhe në veprat e historianëve si Psellos, Ataliates apo Skilizes. Libri i saj, më pas do të referohej në mjaft kodikë të kohëve të mëvonshme, kopjuar nga kopistët e «scritoreve» kishtare, pra nga skribët e famshëm, kodikë këta që mbetën dhe burimet e vetë Aleksiadës, siç janë dy nga kodikët e hershëm të shekullit XII, Coislinianus 311 dhe Fiorentinus 70, 2 (F) shekullit XII, apo kodikët e tjerë si Vaticanus graecus, 1438,[3] Barberianus 235, Ottobianus gr.131, Apographum Gronovii, e më pas Oh.boniani i shekullit XVII, Codex 137, Codex 131, (Tractatus de bello), Apographe de Leyde, etj.
Dorëshkrimi Fiorentinus është i një formati të madh in-quarto në parchemin, i lidhur me një kapak të kuq (lëkurë mbi dru), të cilin Bandini e konsideron si “codex graecus membranaceus ms., in – 4°, saec.XII, omnium praestantissimus, quem vel desciptum, vel approbatum ab ipsa Anna doctissimus Langius suspecatur.” Bernard Leib shkruan se “Aleksiada mbetet një libër unik në llojin e vet, me shumë interes për historinë, i pasur e plot ngjyra për çdo lexues”. Historiani tjetër Charles Diehl e ka cilësuar atë si “një libër absolutisht të shënuar”. Kimbacher nga ana e tij ka shkruar se “Aleksiada është një nga monumentet e para të shënuara që doli në kohën e rilindjes letrare që filloi me Psellos dhe që vazhdoi deri tek paleologët”. Por ky monument i vërtetë letrar, edhe pse më shumë një kronikë ngjarjesh, pësoi tronditjet e kohës, për të ardhur deri në ditët tona. Kështu, bëmat e luftrave bizantine kundër normandëve në brigjet e Ilirisë u përcollën brez pas brezi përmes librave të purpurt që mbanin vulën e vërtetësisë të epokës dhe të ngjarjeve reale.
Bazileusi Aleks
Figura qëndrore e kronikës historike të Ana Komnenës është perandori Aleks, ky gjeneral dhe strateg i shquar, i cili jo vetëm rininë, por gjithë jetën e tij e kaloi me luftra nga më të mëdha të atyre epokave. Ai rridhte nga një familje perandorake. Gjyshi i tij, Isak Komnena kishte qënë perandor. Aleksi e filloi eksperiencën e tij luftarake që në moshën 14 vjeçare dhe rinia e tij shkoi nga një betejë në tjetrën. Ai njohu vrasjen e një vëllai të tij, por kjo nuk e tërhoqi nga aventura e tij ushtarake. Në fillim “strateg”, pastaj “Domestik” e “Domestik i Madh” ai u shqua krahas vëllait të tij Isak, kryegjeneral, si një nga gjeneralët më të famshëm të ushtrisë bizantine gjer ditën që ndërmori revoltën kundër perandorit Niqifor Botaniates dhe marshoi drejt Konstantinopojës ku u shpall perandor. Aleks Komnena do të mbretëronte gjatë, megjithëse kur erdhi në pushtet, perandoria byzantine përjetonte ditë të zymta dhe ishte në prag të shpërbërjes. Por sigurisht, luftrat me normandët e bënë atë një nga figurat më të shquara të asaj kohe.
Në brigjet dhe malet e Ilirisë u ndeshën dy nga ushtritë më të mëdha të epokës që ekzistonin në Perëndim dhe në Lindje: ajo e normandëve dhe ushtria bizantine e Aleks Komnenës. Ana Komnena që e adhuronte atin e saj, e përshkruan të atin e saj si një njeri me shtat jo të lartë dhe se kur ishte në këmbë, ai nuk shkaktonte ndonjë ndjesi të veçantë te të tjerët. Por “kur hipte në fronin perandorak, sytë e tij shndrisnin nga një zjarr i tmerrshëm”. Aleksit i pëlqente që kur ai i vështronte të tjerët drejt e në sy ata t’i ulnin sytë, duke mos e përballur drejtpërdrejt shikimin e tij. Ana shkruante gjithashtu se “Hirësia e mbulonte gjithë qënien e tij, siç më kanë thënë”, dhe se ai “ishte i denjë jo vetëm për atë fron por dhe për një tjetër, më të madh dhe hyjnor!…”Madje ajo e krahason hera-herës me Hanibalin, Scipion apo Aleksandrin e Madh…
[1] Quadrivium – dy pjesët e mësimit te arteve liberale në Mesjetë, si në Bizanc ashtu dhe në Perëndim. «Trivium» ishte gramatika, retorika, dialektika dhe «quadrivium», katër pjesët e shkencave matematikore ku futej astrologjia, gjeometria, arithmetika dhe muzika. Filozofia ishte mbretëresha e këtyre studimeve.
[2] Fëmijët e perandorëve quhen «porfirogjenet» pasi lindin në dhomën që quhet «porfira» të pallatit perandorak.
[3] Në format të madh me 392 folio dhe me letër pambuku, transkriptuar me një shkrim të bukur, ku në fillim lexohet: «Annae Commnenae Alexias. Emptum ex libris cardinalis Sirleti. Gjithashtu, dy dorëshkrime të tjera të Aleksiadës, që ishin shënuar në listën e Janus Lascaris kanë humbur, njëri prej të cilëve vinte nga Korfuzi dhe ku shkruhej «Libellus historicus de Alexio imperatore »… Eshtë për tu shënuar puna që bëri për botimin e këtij dorëshkrimi jezuiti francez Pierre Poussines, (1609-1686), i cili shfrytëzoi dorëshkrimin e koleksionit Barberini që e kishin sjellë në Romë më 1651. Po ai botoi dhe dorëshkrimin e Niqifor Brienios.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *