Intervista/ “Artistët i janë shitur lirë politikës si dekor parazgjedhor, teatri më ka shpëtuar”

Dramaturgu Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë dhe kryetar i Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka dhënë një intervistë ku ka folur për shumë tema: nga udhëtimet te raporti art-politikë, nga veprat që ka përzemër te morali e optimizmi.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pse janë shtuar budallenjtë?! Kjo është pyetja ndoshta kryesore për të cilën hamendësoj më së shpeshti. Natyrisht, bashkë me këtë pyetje, janë edhe pyetjet a vramendjet përcjellëse të tipit “eh, sa budallai është n’këtë botë!?”, “shihe more ahmakun si vozitë!?”, “kokan çu peshë budalltë sot!”, “avash, oj lopë!”, apo “take it easy, budallë!” etj etj. Pra, nuk bëhet fjalë për pyetje e hamendësime të thella filozofike, por të thjeshta, praktike.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Ai prej shtëpisë deri në Qendrën Multimedia, që i bie prej Veternikut deri në lagjen Dardania. Natyrisht, për drekë jam në qytet, kryesisht në lokalet rreth Teatrit Kombëtar. Dhe, kjo është pjesa më e komplikuar e ditës, sepse kur
dal, mandej përtoj të kthehem sërish në punë, në Qendrën Multimedia. Pasdreka shpesh më shkon duke takuar shokë e havera.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ndoshta “Njëqind vjet vetmi” e Markezit? Por nëse do ta zgjeronim pyetjen, unë medoemos do të kisha përfshi në listë pos librave të Markezit, edhe ato të Kafkës, Dino Buxatit, Homerit, Dyrenmatit, Joneskos, Kadaresë, Gogolit e Dostojevskit. Natyrisht, lista e autorëve do të zgjerohej shumë më tepër.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Disi, ndoshta për faktin se tërë kohën jam në kontakt me teatrin, kam përshtypjen që aty, brenda teatrit, kam gjetur njëfarë shpëtimi. Teatri të cilin e bëjmë në Qendrën Multimedia është kryekëput politik, dhe prandaj krejt këto kriza shoqërore e politike, disi, reflektohen dhe zënë vend edhe në shfaqjet që realizojmë. Kjo i bie që, krizën nuk e shohim prej perspektivës pasive, veç si spektator, por ajo shërben për krijim kreativ. Dhe kjo është njëlloj terapie ose ndoshta, mburojë, për neve që përfshihemi në këtë proces krijues, e besoj, edhe për publikun që i sheh këto shfaqje pastaj.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Vështirë të jepen diagnoza të përgjithshme, megjithatë, ajo që mund të thuhet është se s’ka asgjë për t’u krenuar. Në anën tjetër, as për kujë nuk është. S’ka dyshim që krejt këto vite, kultura s’e ka pasur vëmendjen e merituar, megjithatë, kujt duhet t’ia lëmë fajin? Politikës? Dakord, por s’është se edhe ne artistët kemi qenë aq këmbëngulës, të artikuluar dhe bindës në kërkesat dhe nevojat tona. Një pjesë e artistëve, në anën tjetër, i janë shitur tepër lirë politikës, të tjerë kanë preferuar të heshtin dhe të shohin ‘seri’, kurse të tretët, një grusht i vogël, kanë refuzuar të pajtohen, megjithatë kanë qenë tepër pak për t’u marrë seriozisht. Dhe si rezultat, politika bash ka luajtur si ka dashur me neve, na ka trajtuar si dele e na ka përdorur vetëm si dekor parazgjedhor.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Sot është shumë më mirë se dje, por është shumë më keq sesa nesër.

Vazhdoj të jem optimist. Por, të qenit optimist, nuk më ka bërë oportunist me realitetin, të kënaqur, përkundrazi kam qenë dhe vazhdoj të jem kritik. Por jo nihilist i gjithçkaje, si do koprracë që tërë ditën rrinë duke u ankuar në facebook. Nëse gjërat janë duke shkuar keq në këtë vend, pjesë e përgjegjësisë jam edhe unë, dhe secili prej nesh. Dhe që ky vend të bëhet më i mirë, është përgjegjësi edhe e imja, ashtu siç është e secilit prej nesh.

Një pikturë, një poezi, një këngë, një dramë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Në pikturë më pëlqen Salvador Dali, në poezi Allen Ginsberg e plot poetë të tjerë, në dramë Ionesko e në film Alfred Hitchcock.(Zëri)

****

Jeton Neziraj (1977), dramaturg, ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, kurse aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë.

Neziraj ka shkruar mbi 20 drama, të cilat janë vënë në skenë (rreth 40 produksione) në Evropë e në Amerikë, e po ashtu janë përkthyer dhe botuar edhe në rreth 15 gjuhë të tjera.

Ka shkruar skenarin e filmit artistik “Gomarët e kufirit” si dhe po ashtu, ka shkruar edhe skenarë për disa filma të metrazhit të shkurtër, të realizuar nga regjisorë kosovarë. Neziraj ka qenë anëtar Bordi i Dokufest-it, (Prizren) dhe Institutit Kosovar për Paqe. Ai gjithashtu ka qenë edhe padron kosovar i Bienales teatrore në Wiesbaden “New Plays from Europe”. Aktualisht koordinon Komitetin shqiptar të përkthimeve teatrore EURODRAM si dhe është Kryetar i Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai është po ashtu anëtar i Parlamentit Kulturor Europian dhe i FENCE.
Shkrimet e tija për teatrin dhe për fenomene të ndryshme kulturore janë botuar në dhjetëra revista lokale e ndërkombëtare, në mbi 20 gjuhë të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *