Viola Isufaj
Imazhet kulturore të tjetrit janë një fenomen në poezinë e Zef Zorbës. Ato zbulojnë shumë anë të mënyrës së të menduarit dhe të psikologjisë së këtij poeti – e mund të shihen në akse të:
– marrëdhënieve intertekstore (thirrja e poetëve të huaj në tekstet e tij)
– përkthimeve (ende të pabotuara) ku ndihet afiniteti për poetët hermetikë, si dhe për Bodlerin dhe Eliotin. Marrëdhënia me tjetrin, këtu, ndërlidhet me Imagjologjinë. Problematika e ndërmjetësimit letrar, e thekson përkthimin si një ndërmjetësim ndërmjet letërsive të shkruara në gjuhë të ndryshme.
– qëndrimit të tij universal, përbotësues, kundrejt letërsisë dhe kundrejt marrëdhënieve shpirtërore mes njerëzve të kombësive të ndryshme -i cili del përmes personazheve që veprojnë si “agjentë të kozmopolitizmit” (si tek Raki e lirika). Tani “I huaji” vjen ashtu sikurse e shohim dhe si ai na sheh.
– marrëdhënieve ndërlëndore, të një fenomeni letrar me një fenomen joletrar: pra, inkorporimi i sferave tjera të shprehjes njerëzore (si piktura e muzika) në një poezi ku verbohesh jo vetëm nga dritat dhe ngjyrat e imazheve po edhe nga ato instrumentale. Fleksibiliteti ritmik, thurja e hollë arrin sharmin harmonik në favor të melodie të pastër.
Fondi i Zorbës përmban poezi me koncepte muzikore që wordpress në titujt: Allegro, Adante Mosso, Lento, Largo dhe Alegro Furioso, Introduksion, Tema e fagotit, Tema e Ksilofon -kumbonëve, Tema e Instrumentave me perkusion, Tema e Violës, Parte concertante, Kadenca e Ksilofon -kumbonëve, Kadenca e fagotit, Kadenca e Violës, Kadenca e Instrumentave me perkusion, Ripressa, Stretta Finale. Madje edhe tek cikli i fundit Në zgrip, e ndiejmë takimin me muzikën; sidomos ai është i dukshëm në poezinë Një gozhdë, me ritëm rock, -siç shpjegon autori, – bazuar mbi aliteracionet vështrimore thik, thellë, thatë, e, së fundmi, dhe pjesa Natën kur bie shi, – e konceptuar alla Ravel.