Nga Elsa Demo
Vitet 1960-’70 e gjejnë gjininë e dramës shqipe në të njëjtin raport të qartë ideologjik që sistemi komunist kishte vendosur me artet dhe kulturën. Ky rregull i artit zyrtar vlen edhe për dramat që u botuan në shtypin letrar të kohës apo që u vunë në skenë e më pas u ndaluan. Vështrimi ynë fokusohet tek të tjerë autorë që shkruan dhe nuk botuan për shkak të statusit politik e shoqëror të autorit që binte ndesh me natyrën e sistemit, apo për të ruajtur të paprekur një liri të brendshme. Kasem Trebeshina (1926) dhe Shpëtim Gina (1951-1974) janë dy modele që u krijuan të izoluara nga norma e realizmit socialist. Forma e tyre letrare është e ndryshme nga tradita dhe nga zhvillimet e dramës shqipe bashkëkohore. Në njërin rast (Gina – i njihen vetëm tri drama të shkruara) ndodh shmangia dhe në tjetrin rast (Trebeshina), ndodh përmbysja e miteve letrare për atdheun, historinë, komunizmin, për vlerat e të mirës, të vërtetës, lumturisë, duke e parë hapësirën e veprimit dramatik si vend irreal idesh të individit. Nëpër të njëjtin shqetësim kalonte estetika e teatrit wordpress modern në Europë.
Përtej kufijve të shtetit shqiptar, Anton Pashku (1937-1995), ndryshe nga dy krijuesit në Shqipërinë komuniste, shkruante pothuajse në liri të plotë të brendshme të quajturat tragjedi moderne, Sinkopa (1968) dhe Gof (1976) që komunikuan në kohë reale me lexuesin dhe publikun bashkëkohës. Në përqasjen tonë krahasuese tekstet e Pashkut, simbolika për pasivitetin dhe pamundësinë njerëzore, na japin një mundësi leximi të tre autorëve për të shkuar përtej rrethanave konvencionale të kohës së shkrimit.