Protektorati i influencës dhe xhamadani vija-vija

Nga Dorian Koçi

Nacionalizmi shqiptar, forca lëvizëse që krijoi shtetin e parë shqiptar në Ballkan më 28 nëntor 1912, është nacionalizëm policentrik. Qendrat më të rëndësishme të tij ishin jashtë kufijve natyralë të Shqipërisë, si Napoli, Bukureshti, Stambolli, Sofja, Kajro dhe në Shqipëri në kryeqendrat e vilajeteve, Shkodër, Janinë, Manastir e Shkup e Prizren. Këtë tipar ai e ka trashëguar edhe tani në periudhën postnacionaliste, ku qendra të tij janë Tirana, Prishtina, Tetova, Presheva e Ulqini.

Suksesi më i madh i postnacionalizmit shqiptar është pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, statusi i shqiptareve në Maqedoni e në Mal te Zi. Të përpiqesh që të vendosësh zhvillimet e ketij postnacionalizmi nën një qendër sipas modelit Cavur-ian është e pamundur dhe jo realiste. Shekulli i XXI nuk është shekulli i XIX dhe shoqëritë shqiptare në rajon kanë pasur paradigma të ndryshme zhvillimi. Kjo gjë sigurisht që nuk i shkon për shtat politikës andej e këndej kufirit. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë Londineze e kanë parë gjithmonë Kosovën si një protektorat influence ku mund të luajnë lojërat e tyre për të fituar kapital politik në marrëdheniet e tyre me ndërkombëtarët. Kështu p.sh Ahmet Zogolli i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 1922 do të deklaronte nga tribuna e parlamentit shqiptar se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.) Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj nga pjesa tjetër e politikanëve shqiptarë që dëshironin të konsolidonin në radhë të parë pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë dhe përmes aleancave me fqinjët. Do të ishte po prapë Ahmet Zogu, tashmë i kthyer në mbret që në bisedimet me Çianon në Tiranë, në 1938, pas Marrëveshjes së Mynihut, që i akordoi Sudetet Gjermanisë, do t’i propozonte Italisë për të realizuar një lloj marrëveshje të tillë me Jugosllavinë meqënse Italia gëzonte statusin e fuqisë mbrojtëse të Shqipërisë që nga Lidhja e Kombeve në 1921. Kosova në këtë rast sipas kujtimeve të Çianos do të luante rolin e Sudeteve për tu bashkuar me Shqipërinë.
Kosova do të ishte kryefjala edhe e grupeve të rezistencës dhe qeverive kuislinge gjatë luftës.Përveç ndjeshmërisë së njohur të qeverive kuislinge për Kosovën që në 1941 realizuan bashkimin e tokave të çliruara me Shqipërinë Londineze edhe grupet e rezistencës e kishin prioritet kryesor. Raportimi më i saktë britanik rreth kësaj çështjeje dhe peshën që ajo zinte në diskursin politik shqiptar , ishte raporti që kish dërguar oficeri britanik Peter M.M. Kemp, nga Peza në gusht në 1943. Në një nga raportet që ai ua dërgonte shefave të tij në SOE-s në Bari, shkruante: Nuk po e ekzagjeroj kur them se për të gjithë shqiptarët që kam takuar, Kosova përbënte një shqetësim të madh. Njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme, duke filluar nga Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Vasil Andoni, Halil Maçi, të gjithë pranonin rëndësinë që kishte për Shqipërinë ndreqja e problemit të Kosovës. Mirëpo, pavarësisht kësaj rëndësie, të dy grupimet dëshironin edhe ta përdornin për qëllimet e tyre. Të parët për të krijuar një stabilitet për Fuqitë e Boshtit dhe për të furnizuar edhe me ushtarë që të ruanin prapavijat siç ishte rasti i Divizionit SS “Skënderbeu” me rreth 1500 rekrutë shqiptarë nga Kosova, të dytët për krijuar balanca në ekuilibrin e forcave brenda vendit si ishte rasti i nacionalistëve, apo dhe për të lehtësuar peshën e luftës për aleatët ideologjikë si ishte rasti i komunistëve. Pas lufte të dy grupimet sërish në varësi të politikës së ditës formësuan dhe politikën e tyre ndaj Kosovës. Komunistët shqiptarë që erdhën në fuqi nuk protestuan ndaj aleatëve të tyre ideologjikë, komunistëve jugosllavë kur Kosova mbeti brenda kufijve të Jugosllavisë, një pjesë e nacionalistëve, kryesisht ata të Bllokut Indipedent në Itali që përbëhej nga ish funksionarë të qeverive kuislinge, i dërguan letër Titos në 1951 që të rrëzonte qeverinë e Tiranës dhe ata ishin gati që t’i nënshtronin edhe Shqipërinë dhe jo vetëm Kosovën, nëse ai i çlironte nga komunizmi.
Qeveritë e pa viteve 90’ nuk kanë shpëtuar nga i njëjti sindrom i të trajtuarit të Kosovës si protektorat influence. Nuk përbën ndonjë sekret, por sa herë që kanë pasur kriza brenda vendit i janë drejtuar Kosovës duke kërcënuar ndërkombëtarët me destabilitet në rajon. Kjo është një lojë që e ka ndjerë në kurriz në radhë të parë ata që kanë pasur dhe kanë aspirata për bashkim kombëtar, numër që sado që nuk reklamohet është i madh midis shqiptarëve këndej e andej kufirit. Ne , për shkak të moskomunikimit dhe izolimit nuk e njohim ende mirë njëri-tjetrin dhe shpesh herë shfaqjet folklorike të muzikës e sportit i kemi marrë për manifestime të mëdha patriotike. Në këtë kontekst, rasti i futbollistit shqiptar Milot Rashica u keqkuptua dhe krijoi një “fortunë në një gotë ujë”. Kudo që ai zgjedh të luajë, në Shqipëri apo Kosovë është brenda së njëjtës hapësire komunikimi dhe ene komunikimi kombëtare. Sigurisht, këtë gjë nuk mund ta kuptojnë mendjet e mbyllura dhe paternaliste që Kosovën e dëshirojnë vetëm për kapital politik e kulturor, për të mbuluar me një gjethe fiku mjerimin e zhvillimeve kulturore e sportive të Shqipërisë 104 vjeçare si shtet. Miloti dhe gjithë djemtë e tjerë janë në të drejtën e tyre dhe në të drejtën e zgjedhjes se për kë do të luajnë, ndaj çdo koment ndaj veprimit të tyre në këtë kontekst do të ishte i tepërt.
Rasti shërbeu shumë mirë dhe për të matur dhe testuar opinionin se për ku vemi dhe çfarë ndjesish kemi për njëri-tjetrin. Bashkërendim të përpjekjeve duke respektuar veçantitë na bashkojnë me tepër sesa qëndrime paternaliste për t’u unifikuar në çdo aspekt. Shqipëria dhe Kosova janë xhamadani vija-vija që mund të jenë të ndryshëm si modele, por luajnë të njëjtin funksion dhe i rrinë mirë në trup, mendimit të shëndoshë kombëtar.

Gazeta Dita. 24.08.2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *