Nga Ag Apolloni
Sot lexova disa postime që m’u shfaqën, pa i kërkuar, në facebook. Shkrime për muslimanët, pro dhe kundër tyre. Ndër ato postime, pashë që disa me krenari e postonin një deklaratë të Maks Velos, të cilën, siç e kuptova pas disa klikimeve, e paska dhënë në një intervistë shumë më herët. Në atë intervistë, ai paska folur kundër veriorëve dhe kundër muslimanëve, por meqenëse debatet në FB lidhen më shumë me religjionin, qenka stërcituar deklarata e tij antimuslimane, që është kjo: “Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit. Lavdërim Muhaxhiri, mysliman kosovar, edhe 120 xhihadistët e tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më tremb se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell”. Pasi e lexuat këtë prononcim, e kuptoni se deri ku shkon urrejtja fetare. Islamofobia e këtij njeriu më tmerron edhe mua që jam laik. Ai është ekstremist, vetem se ekstremist i krishterë. Sipas tij, ne duhet ta duam Skenderbeun, sepse ai na bashkon me Europën e krishterë. Që duhet ta duam Skenderbeun, pajtohem dhe pajtohet çdo shqiptar, por jo për arsye se ai na bashkon me Europën e krishterë, por sepse ka qenë lider që është munduar t’i bashkojë shqiptarët rreth një qëllimi për të mirën e atdheut, jo për të mirën e Vatikanit. Që duhet ta duam Nënë Terezën, pajtohem dhe pajtohet çdo shqiptar, por jo pse ajo ka qenë e krishterë, po sepse ka qenë, në radhë të parë, humaniste. E, humanizmi është shpikur si reaksion ndaj krishterimit dhe ndaj besimeve të tjera që nxisin urrejtje ndërfetare, apo ndërracore. Shqiptarët u dashka të jenë pjesë e Europës së krishterë? Shkoni atje pa mua, ju lutem! Europa ka qenë e krishterë vetëm në periudhën mesjetare. Para Mesjetës dhe pas saj, Europa ka qenë laike dhe sigurisht jo agresive ndaj besimeve të ndryshme. Është pikërisht një i krishterë, Papa Gregori IX ai që, nëpërëmjet doktrinës së tij “Perpetua servitus iudaeorum” (“Skllavëri e përjetshme për hebrenjtë”), legjitimoi përndjekjen e hebrenjve deri në Ditën e Gjykimit. Është një i krishterë tjetër, Leopoldi II i Belgjikës, ai që vrau dhe masakroi rreth 16 milionë afrikanë dhe, po ashtu, është një i krishterë tjetër që quhej Adolf Hitler, i cili, duke synuar ta bëntë Europën krejtëisht të krishterë, vrau miliona hebrenj. Hiç më i mirë nuk ishte as i krishteri tjetër, Benito Musolini, që po ashtu synonte ta bënte Europën vetëm të krishterë. (Nuk po i përmend këtu aktivitetet monstruoze kristiane kundër shkencës, pasi ato janë aq të njohura dhe të urryera nga të gjithë europianët normalë). Këtu përmenda vetëm disa shembuj të mjaftueshëm, mendoj, për ta kuptuar që Europa me dhunë është mbajtur si e krishterë, me dhunë po përpiqet të bëhet muslimane, por identiteti i saj i vërtetë është laik, sekular, jofetar. Pra, shkurt e shqip, Europa ka qenë e tmerrshme kur ka qenë kristiane, do të jetë e tmerrshme nëse bëhet muslimane.