Janë prezantuar sot në Ministrinë e Kulturës gjashtë kandidatët për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Zana Çela, Kleanthi Gjika, Ylber Gjini, Josif Gjipali, Agim Hushi, Gëzim Xhaxhaj kanë treguar planet dhe strategjitë që ata kanë për të drejtuar Operën në këtë kohë, kur edhe pritet të nisë rikonstruksioni. Ata prezantuan plane për shfaqje në rrethe gjatë kohës që teatri është në ndërtim, por edhe rikonceptim të tij, sa i takon vlerësimit të artistëve dhe cilësisë artistike të shfaqjeve që vihen në skenë. Theks i veçantë iu dha edhe gjetjes së fondeve përmes sponsorëve për të rritur të ardhurat për Operan, si edhe mënyra të ndryshme për të rritur publikun spektator, duke ofruar shumëllojshmëri shfaqjesh.
Të gjitha këto u thanë në intervistat e dhëna para komisionit të Ministrisë së Kulturës, një komision i përbërë nga: Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës Elira Kokona, artisti Jusuf Beshiri, drejtoresha e MK-së Herida Duro, drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli dhe drejtoresha e Ministrisë Ornela Cikuli.
Pas daljes nga intervista, baritoni Ylber Gjini, pjesë e stafit të Operës dhe një nga kandidatët për drejtor tha: Nuk dua të fitoj, jam i lumtur që ka artistë që konkurojnë për këtë post. I falenderoj që duan të sakrifikojnë për të bërë një gjë të mirë për teatrin-tha jashtë para mediave Gjini.
Ndërsa Josif Gjipali, theksoi se “unë jam brenda kësaj fushe dhe po nuk konkurova unë, kush do e bëjë. Habitem me çudinë që ka për kandidimin tim”.
Zana Çela preferoi të mos e komentonte plaformën e saj, ndërsa të gjithë kandidatët vlerësuan Ministrinë e Kulturës për përzgjedhjen e komisionit dhe për demokracinë në prezantimin të kandidatëve.
Posti i drejtorit të TKOB mbeti bosh pas dorëheqjes së Ilir Kernit. Në 4 gusht Ministria shpalli konkursin për ketë detyre, ku u prezantuan kandidatët e mësipërm.