TIRANE – Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator nga Papa Françesku mbledh në Romë, yjet shqiptare të skenës ndërkombëtare të artit. Një koncert mbahet të shtunën më 3 shtator në Bazilikën Papale të Shën Palit, ku marrin pjesë emra si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Ramë Lahaj, Shkëlzen Doli, Rita Ora, etj.
Fatmira Nikolli shkruan në “Gazeta Shqiptare” se programi i këtij koncerti përfshin pjesë të kompozitorëve të mëdhenj të operës si edhe emra shqiptarësh në zë. Në koncert interpretohen:
“Hallelujah” e Handel nga Filarmonia e Kosovës, “Ave Maria” e Schubert nga sopranoja Inva Mula, “Agnus Dei” e Bizet nga tenori Saimir Pirgu, “What Child is This”- një duet mes këngëtares së famshme me origjina nga Kosova, Rita Ora dhe tenorit me sukses ndërkombëtar Saimir Pirgu, “Thais Meditation” i Massenet nga violinisti Shkëlzen Doli, “Arbëreshes Time” nga Shkëlzen Doli, “Panis Angelicus” nga sopranoja Ermonela Jaho (e vlerësuar në skenën ndërkombëtare), “Va Pensiero” Verdi nga kori, “Fjalët e Qiririt” të Limos Dizdarit nga tenori Ramë Lahaj (me origjinë nga Kosova dhe pjesë e skenave ndërkombëtare me sukses, së fundmi i vlerësuar me çmimin “Operalia” nga Pacido Domingo), një kompozim i ri i Kreshnik Aliçkajt për ‘soprano, lahutë dhe kor’, “Argentina flavors” (Aromat e Argjentinës) e Genc Tukiçit, kompozim i ri për piano e orkestër kushtuar Papa Françeskut, dy duete, thëniet e Nënë Terezës, dhe në fund, “Valsi Hyjnor”, himn për Nënë Terezën, interpretuar nga sopranoja Inva Mula me solistët dhe korin. Të pranishëm aty do të jenë edhe Lorik Cana, Majlinda Kelmendi, Gëzim Myshketa, Lum Veseli, Andi Bajgora.
Producente e koncertit është Diana Toska, drejtor artistik Bujar Llapaj, dirigjentë Bujar Llapaj dhe Baki Jashari, dirigjent i korit Rafet Rudi. Dirigjentët, kantautorët dhe orkestra vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Në ftesën për koncertin shënohet se shenjtërimi i Nënë Terezës është ngjarje me rëndësi të madhe “për Kishën në Kosovë dhe të gjithë popullin shqiptar, sepse Nënë Tereza vjen nga populli ynë e kisha jonë”. Po aty risillet në kujtesë se vitin e kaluar Diana Toska mori nismën për koncertin “Himn për Nënë Terezën”, koncert i realizuar në Prishtinë. “Peshkopi Dodë Gjergji e mirëpriti propozimin për ta kënduar këtë himn në Romë në prag të kanonizimit të Nënë Terezës, si në shenjë falënderimi për Zotin dhe mundësinë për ta ndarë këtë gëzim me
Kishë Universale, me pelegrinët dhe qytetarët e Romës. Kjo nismë është përqafuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dhe Kryedioqeza e Tivarit në Mal të Zi. Këngëtarët dhe instrumentistët me origjinë shqiptare të njohur në botë si edhe Filarmonia e Kosovës janë ofruar në mënyrë vullnetare, për të realizuar këtë koncert, edhe pse shumica e tyre janë të krishterë”, shkruhet në ftesë. Po aty, vihet re se koncerti mbahet në “Basilica San Paulo Fuori le Mura” më 3 shtator 2016, ora 19:30.
4 SHTATORI
Vatikani ka provuar dhe vërtetuar dy mrekullitë e saj, ndaj Nënë Tereza do të shenjtërohet në datën 4 shtator në sheshin e Shën Pjetrit. Kremtimet për kanonizimin e shqiptares Gonxhe Bojaxhiu priten të jenë madhështore. Imzot George Frendo, në Arkidioqeza Metropolitane Tiranë, Durrës në një intervistë për “News 24” ka folur për programin e përgatitur nga Vatikani si dhe detaje për të gjithë besimtarët katolikë që duan ta ndjekin nga afër ceremoninë e Shenjtërimit. Në orën 10.00 paraditen e datës 4 shtator, si fillim do të jetë Papa Françesku që do të mbajë një fjalë përshëndetëse, me pas Kardinali Amos përgjegjës për shenjtërimin e saj. “Nuk do të mungojnë besimtarët shqiptarë dhe krerët e shtetit.
Të gjithë besimtarët e interesuar kanë nisur të marrin ftesat nga motrat e Nënë Terezës dhe nga ipeshkvët shqiptarë”, ka thënë Imzot George Frendo. “Gonxhe Bojaxhi do të jete kështu shqiptarja e parë e shenjtëruar. Dy janë mrekullitë e saj të vërtetuara plotësisht sipas Vatikanit”, ka thënë ai. E pranuar si nëna e dashurisë dhe simboli i mëshirës dhe solidaritetit për njeriun e vuajtur. Misionarja e përjetshme katolike do të jetë në qendër të vëmendjes së miliona njerëzve më 4 shtator anembanë globit.
Vepra e saj është besim me zemër, dashuri për njerëzit që vuajnë, është shpresë dhe bamirësi hyjnore.