Nga Dorian Koçi
Shqiptarët krenarë zgjedhin vetëm mos marrin pjesë në ceremoni ku përjashtohet gjuha shqip (rasti i Kryetarit të Komunës së Strugës, z. Zijadin Selaj), të tjerët pranojnë në heshtje diskriminimin e gjuhës së tyre. Kjo histori nuk ndodh shumë larg prej këndej. Ndodh në Strugë, në komunën e populluar me shumicë nga shqiptarë dhe ku sipas Prof. Agim Vincës, “gjuha shqipe është e lashtë po aq sa edhe lumi që kalon përmes saj, Drini i Zi”. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, nuk e njeh Marrëveshjen e Ohrit, qytetit pak më tej Strugës, të barazisë midis dy gjuhëve dhe për shkak të neglizhencës së politikanëve shqiptarë që harrojnë se të përfaqësosh një komb që njihet shtet formues nuk luftohet vetëm për përfaqësime politike në diplomaci, drejtësi e shëndetësi por edhe për arsim dhe kulturë.
Vonesat e pajustifikueshme në implementimin e të gjithë anekseve dhe neneve të Marrëveshjes së Ohrit si dhe nxitja dhe ringjallja e panevojshme e një nacionalizmi monoetnik maqedonas që kërkon ndërtimin e një shteti-komb në Maqedoni, çka natyrisht bie ndesh jo vetëm me qëndrimin ndërkombëtar për Maqedoninë por dhe me vetë interesat e kombeve që e përbëjnë atë, kanë bërë të mundur që në Maqedoni të vazhdojë të mbijetojë një frymë nënvlerësimi ndaj gjuhës shqipe, që në rastin ndaj shqiptarëve shkon dhe në pohime artifice se “20% vlen vetëm për pushtetin lokal por jo për organizimet ndërkombëtare”.
Statusi i gjuhës shqipe duhet saksionuar njëherë e mirë në Maqedoni. Për ta ilustruar më tej më vinë ndërmend fjalët e udhëheqësit historik të shqiptarëve të Maqedonisë, Arbën Xhaferrit, një prej nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit i cili kujton se kur dëshiroi ta provonte sesa efektiv ishte konsensusi i arritur ne rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, përshëndeti në gjuhën shqipe ngjarjen e rëndësishme për mbijetesën e dialogut midis dy palëve në konflikt, mirëpo pala maqedonase e braktisi sallën duke shkelur një nga pikat e marrëveshjes që si ishe tharë akoma boja e që fliste për barazinë e gjuhëve në shtetin shumë etnik të Maqedonisë. Shembulli flet qartë, politikanët shqiptarë në Maqedoni çdo ditë duhet të përpiqen t’i japin jetë Marrëveshjes që u dha dinjitet, i ktheu nga një pakicë në element shtetformues.