
Forcat greke garantuan se në rast të dorëzimit të armëve asgjë e keqe nuk do t’u ndodhte shqiptarëve të Çamërisë, gjatë takimit që patën me myftiun, kryetarin e këshillit të bashkisë dhe drejtorin e arsimit të Paramithisë. Me arritjen e këtij pakti verbal, premtimi jo vetëm që nuk u mbajt nga forcat zerviste, por menjëherë pas mbërritjes në qytet, ata masakruan mbi 200 shqiptarë të Çamërisë. Kështu masakra mbi popullsinë e pambrojtur vazhdoi për ditë me radhë. Gjatë sulmit mbi popullsinë civile, u dëbuan mbi 30 mijë shqiptarë myslimanë dhe u vranë mbi 3 mijë të tjerë. Ndërkaq, poullsia shqiptare ortodokse e Çamërisë u vendos nën terror për të mohuar identitetin duke vrarë parinë e saj e duke i lënë të varur në mes të qytetit për më shumë se tre ditë. Prej vitit 1994, shteti shqiptar e njeh këtë datë si “dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste greke”.

Për ironi të fatit, 421 vite më herët nga kjo ngjarje, një shqiptar i Çamërisë merrte drejtimin e shumicës së Botës së njohur deri asokohe. Ai ishte Ibrahim Pashë Pargaliu, i lindur në një famlije të krishterë shqiptare të Pargës, i cili që i vogël u mor si skllav nga ekspeditat ushtarake osmane dhe në një ditë si sot , më 27 qershor 1523, u bë Veziri i Madh i Perandorisë Osmane.
Dokumenti është i fondit të Këshillit të Ministrave: Memorandumi i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 25 shtator 1946.
Imazhet e tjera shoqëruese janë:
1. Pjesë e eksodit të popullsisë çame pas vitit 1944.
2. Imazhi i Ibrahim Pashë Pargaliut.

