Zona është e Lirë, por jo Njeriu

Nga Gilman Bakalli

Në një intervistë me gazetarin Çim Peka, moderatori i “Zonë e lirë” Arian Çani, shpjegon qëndrimin e tij ndaj kritikave të ditëve të fundit ndaj emisionit në fjalë. Është një rrëfim i sinqertë, aq i sinqertë saqë edhe drejtuesi i intervistës detyrohet ta theksojë këtë fakt. Kjo intervistë, në mënyrë të pavetëdijshme nxjerr në pah sekretin e ndjekshmërisë së lartë dhe në rritje të emisionit “Zonë e lirë”. Vetë Çani shtron pyetjen se “pse njerëzit, të cilëve nuk u pëlqen emisioni i tij, nuk e fikin televizionin? Pse këta njerëz nuk largohen nga emisioni e tij dhe vazhdojnë ta ndjekin edhe pse nuk e pëlqejnë…”? Dhe e jep po vetë përgjigjen: “thellë-thellë, unë duhet të të dua që të shoh, përndryshe nuk kam pse ta ndjek një emision…diçka duhet të interferosh në jetën time…” Në fakt, ky është thelbi. Çani e ka kapur audiencën përmes pikës së saj më të dobët: Dobësia njerëzore për imazhe me lakuriqësi mishi. E thënë ndryshe, në mënyrë stereotipike, Çani e ka kapur idenë se forca e seksit të dobët është dobësia e seksit të fortë për seksin e dobët. Miliarda eurot e përvitshme të një industrie gjigante mediatike pornografike e nxjerrin zbuluar lakuriq këtë prirje të errët njerëzore për kofshët, gjokset apo vithet femërore. Forca e lirisë te “Zonë e lirë” bazohet te mungesa e lirisë njerëzore për ta fikur televizorin apo për të ndërruar kanal televiziv, kur ajo përballet me imazhe me përmbajtje seksuale.

“Zonë e lirë” ka një emër sugjestionues, siç janë të gjithë titujt që përmbajnë emrin “liri”. Ideja që kemi për një shoqëri ideale është ajo e një shoqërie, e cila ia lë në dorë individit të vendosë çfarë librash të lexojë, çfarë imazhesh të shohë, cilit Zot t’i lutet. Kufizimi i lirisë mund të përligjet vetëm nëse ajo shkakton vuajtjen e dikujt tjetër. Edhe sot po të pyesësh se çfarë e karakterizon një sistem demokratik, fjala e parë që na vjen ndërmend është “liria”. Ky refleks i automatizuar ngrihet mbi dy themele. Së pari, i kemi akoma të freskëta rreziqet që burojnë nga ndërhyrja e një autoriteti shtetëror. E ndjejmë intuitivisht që rreziqet nga ndërhyrja në jetën dhe lirinë e tjetrit dominon ndaj dëmeve të mundshme që mund të sjellë liria e plotë e vetëvendosjes. Arsyeja e dytë pse e mbrojmë lirinë, lidhet me faktin se, në thelb, e konsiderojmë veten krijesa të pjekura, të rritura, që udhëhiqemi nga arsyeja dhe jemi në gjendje të perceptojmë dhe të ndjekim interesat tona, pa pasur nevojë për një autoritet këshillues apo censurues. Besojmë se nuk infektohemi aq kollaj nga librat që lexojmë apo imazhet që shikojmë, nuk bëhemi të dhunshëm nëse lexojmë një tekst të dhunshëm, nuk e humbim moralin nga një foto apo një film. Fundja, besojmë se aparati ynë mendor e shpirtëror është më rezistent se sa mund të mendojnë autoritetet pedagogjike apo institucionet monitoruese mediatike.

Mirëpo problemi qëndron pikërisht te ky besimi ynë i patundur se jemi krijesa të forta e të arsyeshme. Nuk jemi aq të fortë. Nuk jemi aq të lirë. Mund të ishim ndoshta të tillë, po të mos ishte pushteti i seksualitetit. I cili, ashtu si droga dhe alkooli, mund ta zbusë rezistencën tonë të domosdoshme për të mos devijuar nga ajo që konsiderojmë jetë e mbarë dhe morale.

Arian Çani ka të drejtë kur thotë se “vajzat që puthen në studion e tij”, gjokset dhe bythët e zbuluara, nuk përbëjnë aspak skandal dhe provokim. Në një kohë invazioni imazhesh me përmbajtje të forta seksuale nëpër të përditshmet online, në fakt, duhej të thoshte, nuk përbëjnë as skandal e as provokim. Por Arian Çani nuk ka të drejtë kur pretendon prej teleshikuesit të pamundurën: Të jetë në gjendje të shohë një grumbull vajzash të bukura dhe lakuriq dhe të vazhdojë mbrëmjen me qetësi a thua se s’ka ndodhur asgjë. Apo ta fikë televizorin. Apo të ndërrojë kanal televiziv. Sepse emisioni i tij, tashmë shfrytëzon pikërisht mungesën e lirisë së teleshikuesit për ta fikur televizorin e për t’iu përkushtuar leximit të tregimeve të Çehovit, kur në skenë shfaqen disa bukuroshe shalë-e-gjoks-jashtë. Kur Çani në intervistën e tij ngre pyetjen naive se pse në kësi rastesh njerëzit nuk ndërrojnë kanal televiziv, ai thjesht po e zhvesh seksualitetin nga forca dhe pushteti i tij për psikikën e njeriut.

Jam kundër pozicioneve moraliste dhe apeleve patetike që thërrasin në skenë modelin ideal të njeriut. Ideja ime është që pa e shtypur paksa libidon tonë, nuk mund të jetojmë të qetë. Meqë nesër do dalim në punë, do çojmë fëmijët nëpër shkolla, do kujdesemi për gjërat e së përditshmes, do të duhej të mos i jepnim flatra pushtetit seksual, qoftë në televizion, qoftë nëpër portale online. Thjesht do na shkatërronte. Seksualiteti është njëra prej atyre forcave, për të cilat zor se uron njeri seriozisht që të çlirohen plotësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *