Në një hapësirë të braktisur, të neglizhuar, siç e quan, arti ka dhënë shpirt. Ish-“Rilindja” ka marrë tjetër pamje nga veprat artistike të artistes Koja, që në këtë hapësirë hapi ekspozitën “Përmes”.
Nga Dafina Kabashi/ Zëri
Artistja për të cilën të krijosh do të thotë feniks, krijimet e saj vijnë si reagim mbi pozitën e artistes dhe gruas në shoqërinë kosovare.
“Të krijosh për mua do të thotë feniks”, thotë Koja, që pas hapjes së ekspozitës ka preferuar të mos flasë shumë. “Nuk kam fjalë, shpresoj në jehonën e ekspozitës”, shprehet Koja, për ekspozitën e hapur këtë javë në objektin e ish “Rilindjes”.
Për të, hapësira e ish-“Rilindjes” është një vend, i cili përfaqëson memorien kolektive të këtij vendi. “Si i tillë mua më ka provokuar shumë, jo vetëm për historinë që mban mbi supe, por edhe për degradimin që i është bërë për gjitha këto vite”, thotë Fitore Isufi për “Zërin”, e njohur në botën e artin me emrin Koja. “Pavarësisht faktit që ky vend është i braktisur, i neglizhuar totalisht, e i nënvlerësuar, unë besoj që publiku është ndjerë i pushtuar nga madhështia që arkitektura dhe historiku i saj prezantojnë”, është shprehur Koja, për të shtuar se pothuajse në të njëjtën situatë është edhe shoqëria kosovare. “Është tejet e politizuar dhe e kapluar nga kapitalizmi, si dhe e drejtuar nga mentaliteti patriarkal, janë edhe artistët edhe gruaja – që vetëm kur kalon “Përmes” tyre fillon dhe e ndjen madhështinë e tyre”, ka treguar Koja, me “Përmes”, solli një ekspozitë multidisiplinare, që krahas videos kishte instalacion, perfomancë dhe tekst, duke ofruar gjuhë të ndryshme për njerëzit që kanë preferenca të ndryshme në përthithjen e adresimit të çështjeve që trajton në ekspozitën e përkrahur nga “Culture for All” dhe Ministria e Kulturës.
“Të jetuarit në një mjedis të egër kapitalist dhe patriarkal, statusi i artistit me statusin e femrës baraspeshohen”, thotë artistja, për të cilën të dyja marrin formë, varësisht nga normat që përcaktojnë këto sisteme në veprim.
“Gruaja në shoqërinë kosovare është pothuajse si para 100 viteve në kontekstin e sotëm”, është shprehur Koja. Ajo me ironi, por me elegancë prek temat me mashkullin gjithmonë protagonist, i cili e ngre zërin edhe për artisten edhe për femrën në këtë rast. “Gruaja, në veprat e mia është e zhurmshme me elegancë”, ka treguar artistja, duke shtuar se roli i artistit në këtë shoqëri kapitaliste është shumë i rëndësishëm. “Artisti në artin tim është i zhurmshëm”, ka thënë Koja, e cila artin e saj e lidh me artistet dhe gruan. “Sot arti i paangazhuar është utopik”, shprehet artistja që shfrytëzon hapësirat publike për të komunikuar me publikun