Nga Martín Caparrós
Fundjava është një shpikje relativisht e vonë. Java jo: fakti që ekziston dhe që zgjat shtatë ditë, është rezultat i një gabimi babilonian. Ata irakenë besonin se ekzistonin vetëm shtatë planetë, dhe se secili prej tyre përcaktonte një ditë të asaj jave, që vendosën ta krijojnë.
Për mijëra vite, kush duhej të punonte e bënte për gjashtë ditë, dhe pastaj pushonte ditën e Perëndisë. Por në fillimet e tetëqindës, padronët e fabrikave angleze, të lodhur me punëtorët e tyre që mungonin të hënave për shkak se deheshin dhe bëheshin tapë të dielave, u ofruan që të shkëputeshin nga puna të shtunën në mesditë, të pinin, të pushonin të dielën dhe të riktheheshin në fabrikë të hënën në mëngjes herët: krijuan “të shtunën angleze”.
Pavarësisht kësaj, oraret e punës mbeteshin të përjetshëm: punëtorët në vendet e pasura vazhduan të luftojnë për të siguruar pakëz më shumë jetë. Në vitin 1926, Henry Ford futi në fabrikat e tij javën e punës, prej pesë ditësh: jo vetëm që u pëlqente dhe stimulonte punonjësit, por u linte dhe pak kohë për të konsumuar, sepse punëtorët ishin duke u transformuar në konsumatorë. Pak kohë më pas, kriza e vitit 1929 solli një valë papunësie, dhe më pak orë pune për kokë, do të sillnin pak më shumë punë për të gjithë. Java e punës prej dyzetë orësh u shndërrua në normë.
Sikur të punonim të gjithë 15 orë në javë?
Ata që si unë janë më shumë se 30 vjeç dhe më pak se 100, fundjava prej dy ditësh u duket gjëja më e natyrshme në botë. Ka patur kohë kur ka qenë e paprekshme. Mbi të gjitha në Evropë, fundjava ishte e ngurtë: njëzetë vite më parë, në Paris, Mynih dhe Stokholm, ishte shumë e vështirë të gjeje hapur, një librari apo një këpucar. Funksiononin vetëm shërbimet publike: transportet, vendet e dëfrimit, shërbimet shëndetësore, policia. Tani nuk është më kështu: është imponuar modeli amerikan, në të cilin fundjava është një moment për të blerë, dhe kjo kërkon që miliona njerëz të jenë në punë duke shitur.
Por edhe kështu, dallimi për pak kohë u ruajt: ata punëtorë pranonin që të punonin gjatë ditëve speciale, që ishin përjashtim dhe zakonisht paguheshin më vete. Ndryshimi i madh është se tani, kufijtë mes punës dhe kohës së lirë janë bërë gjithnjë e më të padallueshëm. Ka gjithmonë e më shumë njerëz që punojnë gjithmonë dhe kudo. Disa prej nesh e bëjmë sepse na pëlqen ajo që bëjmë, të tjerë sepse janë shumë të shqetësuar nga ajo që bëjnë, shumë të tjerë për shkak të një kombinimi të vetëdijshëm të të dyjave.
Ndihmon fakti që punojmë nga shtëpia (dhe si pasojë kemi një mungesë kufiri mes kohës së lirë dhe punës) dhe që pajisjet elektronike bëjnë të mundur që, edhe për ata të cilët kanë orare dhe zyra, puna i ndjek kudo ku shkojnë. Në një epokë kur puna nuk shihet si peshë por si një privilegj, është e pritshme që ata që e kanë një të tillë, kujdesen duke u bërë të disponueshëm 24 orë në 24, shtatë ditë në shtatë, ose pothuajse.
Entuziasmi për të patur kohë në dispozicion për veten, i blinduar përballë cilitdo mekanizëm të tregut, nuk është më në modë. Por jo të gjithë të këqiat vijnë për të bërë keq. Ekziston diçka që doktorët e quajnë “Efekti Fundjavë”: pacientët që shtrohen gjatë fundjavës vdesin dhjetë përqind më shumë se sa ata të shtruar gjatë ditëve të pushimeve. Nuk dihet as se si dhe as përse, por ndodh.
Pra, ndoshta zhdukja progresive e fundjavës do të ketë një prej atyre pasojave dytësore që askush nuk i përllogarit, dhe këta njerëz nuk do të vdesin më. Ndoshta pa fundjavën do të ishim të gjithë të pavdekshëm. Ose kushedi, do të ndodhë ekzaktësisht e kundërta. / Burimi: El Pais – Bota.al