BERLIN, 23 mars 2016 – Kryetari i Radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, mirëpriti sot vendimin e Këshillit Ministror të OSBE-së për ta zgjatur mandatin e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, për një periudhë njëvjeçare.
“Dunja Mijatović është një avokate e përkushtuar dhe e palodhur e promovimit dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë”, tha Steinmeier. Ai theksoi se veçanërisht në këto kohë konfliktesh dhe krizash, një zë i fortë dhe i pavarur, që i përmbahet fuqimisht kauzës së lirisë së medias, është më i rëndësishëm se kurrë.
Dunja Mijatović mori postin e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias në mars 2010 dhe u emërua për një mandat të dytë trevjeçar më 2013.
“Do të doja ta falënderoja Dunja Mijatović-in për performancën e saj të shkëlqyer gjatë gjashtë viteve të fundit dhe për gatishmërinë e saj për ta vijuar këtë punë kërkuese edhe për një vit”, tha Steinmeier. Ai u bëri thirrje Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të mbështesin Përfaqësuesen e Lirisë së Medias në përpjekjet e saj për të përmbushur mandatin e rëndësishëm të vëzhgimit të zhvillimeve të medias, si pjesë e funksionit të paralajmërimit të hershëm dhe për të ndihmuar Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së t’u përmbahen angazhimeve të tyre për lirinë e shprehjes dhe median e lirë.
Përpara se të shërbente si Përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medias, Mijatović ishte Drejtore e Divizionit të Transmetimit në Agjencinë Rregulluese të Komunikimit në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kryetare e Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregulluese. Më 2015, Mijatović u vlerësua me çmimin Médaille Charlemagne.
Pas një procedure transparente dhe gjithëpërfshirëse, të organizuar nga kryesia serbe (2015) dhe ajo gjermane (2016) e OSBE-së, për të zgjedhur pasuesin e Mijatović-it në kohën e duhur, pas përfundimit të mandatin të saj të rregullt dyvjeçar, 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së nuk mundën të arrinin konsensus për asnjë nga kandidatët. Kryesia gjermane do të vijojë të përpiqet për arritjen e konsensusit për një Përfaqësues të ri të Lirisë së Medias, brenda fundit të vitit 2016.