Zeta shpall çmimin “Ardhje” për artistët, fituesi dy muaj në New York

Qendra Zeta ka shpallur të hapur Çmimin “Ardhje” 2018 dhe fton artistët e rinj, nën moshën 35 vjeç të dërgojnë aplikimet. Në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU), që pret artistin fitues për një rezidencë dy-mujore në New York, dhe mbështetjen e The Trust for Mutual Understanding, Zeta organizon edicionin e X të “Ardhjes”.

Çmimi “Ardhje” u krijua nga TICA, më 2005, duke u bërë pjesë e rrjetit Young Visual Artists Awards (YVVA), më 2007. Çmimi “Ardhje” tashmë organizohet nga Qendra Zeta si një konkurs dhe çmim i përdyvitshëm, që ka për qëllim të nxis krijimtarinë, ekspozimin publik, dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht. Ardhje, ashtu si dhe çmimet simotra nëpër Europën Lindore dhe Juglindore, është një konkurs i hapur, që fton artistët të marrin pjesë në një proces transparent, që ofron jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional. Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtar, do të përzgjedhë 4 finalistë, të cilëve do t’iu mundësohet një buxhet prodhimi prej 30,000 lek dhe një kurator për ekspozitën. Fituesi/ja e çmimit do të zgjidhet për meritën dhe premtimin artistik të demonstruar në bazë të portfolios artistike dhe CV’s, veprës së ekspozuar në ekspozitën e finalistëve, intervistës me jurinë ndërkombëtare dhe potencialit për të përfituar nga përjetimi i skenës artistike të New York-ut, përgjatë dy muaj qëndrimi tek Residency Unlimited.

Afati përfundimtar për aplikimet është 15 shkurt, 2018.

Lista shkurtër e 4 artistëve të përzgjedhur si finalistë do të publikohet me 2 mars, 2018. Hapja e ekspozitës së 4 artisteve finalistë dhe shpallja e fituesit me 1 qershor, 2018. Një takim informativ për “Ardhjen”, rrjetin YVAA, dhe programin e rezidencës tek Residency Unlimited, si dhe punëtori profesionale do të mbahen tek Qendra Zeta me datë 15-17 janar.

KRITERET E APLIKIMIT

Çmimi dhe rezidenca në NY është projektuar për një artist individual, nën moshën 35 vjeç.

Thirrja është e hapur për artistë aktivë në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri, si dhe ndërkombëtarisht, prej së paku 3 vjet. Artistë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, duhet të jenë pjesë e komunitetit artistik në vend, duke ekspozuar rregullisht gjatë 3 viteve të fundit. Artistë që nuk janë shtetas/e të Shqipërisë mund të marrin pjesë vetëm nëse kanë një kontribut të posaçëm në zhvillimin e skenës së artit në vend, si dhe karriera e tyre artistike të jetë ngushtësisht e lidhur me Shqipërinë.

Artistë, të cilët punojnë në të gjitha gjinitë e artit pamor, që përfshin pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe performancë. Përjashtohen artistë që punojnë kryesisht në artet e aplikuara, dizajn, teatër, vallëzim, dhe film artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *