“Zemër në qelq”, një pjesëz nga romani ri i Tobias Xhaxhiut

-Diçka e çuditshme po ndodh, – tha ai, – mirë?

Përsëri kjo fjalë, mirë? S’ka rendësi. Nuk është hera e parë që e dëgjoj. Por kish diçka në zërin e tij. Një shqetësim të arsyeshëm, porsi ankthi i një burri të martuar që mëson rreth shtatzënisë së beftë të dashnores. Frymëmarrjen e kish të thellë, të vështirë, ndofta nga ajo dreq maskë e gjelbër që mban veshur prej ditësh. Mund ta shihja, atje, në katin e fundit të spitalit, duke qëndruar në këmbë ballë vetratës së xhamtë. Para syve, i gjithë qyteti me oxhakët e tij të hirtë. Në duart që i dridhen nga orët e gjata në sallën e testimeve, Tomasi shtrëngon telefonin, gjithnjë të versionit të fundit.

Një herë më pat treguar, si duke qeshur, se për të s’kish gjë më ndjellëse se sa një zëmër që rreh, thënë në kuptimin e parë të fjalës. Mbeta e shastisur. Ah, po, këtë s’e kam rrëfyer. Tomasi beson se fillimisht nuk u dashurua me mua, por me zemrën time. Ky pohim erdhi pikërisht në çastin më të gabuar, si batuta e paqëlluar e një ngadhënjimtari. Ne sapo kishim bërë dashuri për të parën herë në muajin e mjaltit. Unë pasqyrohesha krejt e zhveshur në tavanin pasqyrë të dhomës së hotelit. Siç rëndom para një bypass-i apo autopsie, gishtërinjtë e tij kockorë vizatuan një qerthull imagjinar mbi gjoksin tim. Gjesti më i madh i dashurisë, sipas Tomasit, do të ishte kundrimi i zemrës time të burgosur në një enë të qelqtë, çdo mbrëmje pasi ai të linte turnin e pafund në spital. Doemos, Tomasi është një burrë me ndjeshmëri të veçantë.

Makina po i qaset shtëpisë. Guralecët klithin nën goma. E kam të vështirë ta mësoj motivin e protestës, por duket se e urrejnë të shtypen, ashtu si dhe unë. Rrugica është e ngushtë. Dritaret e shtëpive të fshatit reflektohen pasqyrave si sy kureshtare dhe, herë pas here, perdet kapsiten vrullshëm. Si duket, erërat e marsit e kanë sjellë panikun e kryeqytetit deri këtu, në këtë cep të thepisur të Shqipërisë së poshtme. Ndofta, pas së gjithash, Tomasi ka të drejtë. Çfarëdo qoftë kjo gjë e çuditshme, po i çmend të gjithë…

 

Nga romani i ri i Tobias Xhaxhiut

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *