“Këtë përvjetor të ikjes së Gjergjit tonë Kastriot, po ndaj me ju lajmin e këndshëm që dha sot studiuesi arbëresh Matteo Mandala, atë mbi gjetjen e një Kodiku të shek XV që ruhet në Londër, në të cilin zihet në gojë një muzikant venedikas i cili luan muzike flamande në oborrin e Kastriotit në “Lesha”. Për këtë paguhet shumë mirë nga oborri arbër. Mandala shkruan se “Skënderbeu shfaqet kësisoj në një aspekt krejt të panjohur deri më sot: domethënë se ishte edhe një kultivues i muzikës dhe organizonte koncerte në Lezhën e tij”. Mandala e mbyll njoftimin e tij duke sfiduar: “Po të doni flasim për “mitin” e tij”.
Njoftimi i mësipërm ishte i Artan Shkrelit, studiues e arkitekt. Duke cituar studiuesin e njohur arbëresh Matteo Mandala ai jep një lajm shumë të mirë për historinë e trashëgiminë shqiptare.
Bëhet fjalë për një citim në një kod të gjysmës së dytë të shekullit të XV-të, të ruajur në Londër, nga një trombetist venecian i quajtur Xorxi (Giorgio/ Gjergj) i cili kishte patur nderin të performonte muzikë flamande në oborrin mbretëror të Gjergj Kastriotit në Lezhë (në versionin anglez emri i qytetit është shkruar “Lesha”).
Brunilda Ternova sqaron më tej se muzikanti venecian kishte deklaruar se kishte marrë nga Skënderbeu një kompensim shumë të lartë ekonomik për performancën e tij, ndër më të lartat që kishte marrë deri në atë moment si artist.
Nga kjo dëshmi e rëndësishme del në pah fakti se përveçse udhëheqës, strateg dhe organizator i jetës shoqërore të shqiptarëve në mesjetë, i akredituar në kancelaritë europiane e i nderuar nga Venecianët me një statujë në Bucintoro, i përjetësuar në pikturat dhe afresket e artistëve më të njohur të epokës së tij, Skënderbeu shpalos një tjetër aspekt te ri të figurës së tij: ishte adhurues i kulturës muzikore dhe organizonte gjithashtu edhe koncerte në Lezhë. (Pasqyre.al)