Zbulohet ekspertiza që fundosi Maks Velon: Degjenerim, pornografi dhe ndjenja shtazarake

“E gjithë ‘krijimtaria’ e Maks Velos bije në kundërshtim me porositë e mësimet e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe u kundërvihet në mënyrë të hapur vijës politike të Partisë sonë dhe realizmit socialist në art”.

Në këtë përfundim dolën ekspertët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve: Kujtim Buza, sekretar i LSHA-së, Foto Stamo dhe Skënder Milori, piktorë dhe anëtarë të LSHA-së, për krijimtarinë e Maks Velos. Ishte viti 1979 dhe mbi arkitektin dhe piktorin Maks Velo, tashmë të arrestuar, rëndonin një mori akuzash, që në fund u përmblodhën në “agjitacion dhe propagandë”.

I ndodhur jashtë sistemit që regjimi komunist ndërtonte, duke filluar që në nivelet më të ulëta arsimore, për të krijuar “njeriun e ri”, Velo paraqiste një devijim nga rregulli. I akuzuar nga kolegët si snob, ekstravagant, modernist, indiferent, madje edhe i degjeneruar moralisht, Velo do të merrte goditjen përfundimtare nga ekspertiza e “ekspertëve” të LSHA-së, të cilët nuk bëjnë thjesht punën e tyre si profesionistë, por tregohen edhe shumë të zellshëm për të vjellë vrer, jo vetëm mbi krijimtarinë, por edhe personalitetin e një njeriu që ata nuk e konsideronin si “të tyrin”.

“Nën dritën e mësimeve të Partisë dhe shokut Enver” ata nuk janë kufizuar aspak që të kryqëzojnë Maks Velon, duke e quajtur “pseudoartist, pjellë e degjenerimit politik e moral”. Akt-ekspertiza e treshes së ekspertëve, është pjesë e dosjes së ish-Sigurimit të Shtetit, mbajtur për Maks Velon, të cilën ai sapo e ka marrë ndër duar, duke zbuluar fakte që nuk i dinte më parë, spiunimet, kallëzimet, xhelozitë dhe ligësinë e njerëzve të afërt, të familjes dhe kolegëve, që sot, ende në jetë, justifikohen se “ashtu ishte sistemi”, çka i kushtoi Velos 7 vjet burg dhe një jetë nën mbikëqyrje.

Më poshtë “Panorama” boton aktekspertizën e firmosur nga Buza, Stamo e Milori, si dhe një deklarim të vetë Velos në zyrat e hetuesisë, ku nën presion pranon “gabimet” e tij, ndikimet nga rryma të ndryshme moderniste. Ai përmend edhe disa emra kolegësh, por asnjëherë duke i vënë ata në pozita fajtore dhe për ndikim negativ tek ai. Ai shprehet se pëlqente punët e Gjergos dhe Osekut dhe bisedat e tyre për artin.

AKT-EKSPERTIMI

Në Tiranë, më 15.3.1979

Ne, Kujtim Buza, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Foto Stamo dhe Skënder Milori, piktorë dhe anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, të caktuar me detyrën e ekspertit nga hetuesi i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Dhimitraq Shkodrani, me vendimin datë 10.III, 1979, për të ekspertuar punimet në pikturë të punuara nga i pandehuri Maks Velo. Nga studimi i pikturave, që na janë paraqitur si prova materiale nga ana e hetuesisë që përbëhen nga 246 piktura të ndryshme dhe 75 punime në dru, mbasi analizuam të gjitha këto punime, arritëm në këto konkluzione:

Ashtu sikundër edhe është kritikuar, në dritën e mësimeve të Partisë dhe të materialeve të Plenumit të 4-ët të KQ të PPSH-së, Maks Velo me punimet e tij në përgjithësi dhe këto që pamë në veçanti ka rënë plotësisht në pozitat e artit formalist, të rrymave dhe drejtimeve borgjeze dhe revizioniste, duke përfshirë ekspresionizmin, abstraksionizmin, kubizmin, duke u referuar e mbështetur në veprën reaksionare të ekspresionistëve gjermanë, në krijimtarinë famëkeqe të Pabllo Pikasosë, Brakut, Matisit, Kandiskijt, etj..

Duke u shkëputur nga jeta, nga problemet dhe reokupacionet e popullit tonë, nga heroizmi dhe fryma luftarake, optimizmi dhe vrulli revolucionar i masave tona punonjëse për ndërtimin e socializmit në vendin tonë, duke mos studiuar dhe thelluar në materialet e Partisë dhe të shokut Enver, në kundërshtim me to, i papjekur politikisht dhe ideologjikisht, me predispozicion të theksuar liberal, shok e mik i F. Paçramit dhe A. Osekut, E. Gjergos dhe të tjerë, armik i artit të vërtetë të realizimit socialist, i artit që i shërben interesave të larta të Atdheut tonë socialist, si snob që ishte, M. Velo ka krijuar punime që janë në kundërshtim të plotë me metodën tonë të artit të realizmit socialist, me karakterin kombëtar dhe frymën popullore, me partishmërinë proletare dhe tendenciozitetin klasor si tipar thelbësor të artit tonë revolucionar. p.sh.:

Portreti i gruas:

Është një deformim që buron jo nga vërtetësia reale e portretit të njeriut tonë të bukur fizikisht dhe mendërisht, por pjellë e mendjes së çoroditur të “Artistit” nga mostrat borgjeze dhe revizioniste, influenca të ekspresionizmit që gjymton njeriun dhe e deformon atë, shprehje e revoltës ndaj jetës dhe shoqërisë. Zgjatja e qafës, deformimi i fytyrës, mollëzave, syve të zgjatur etj., pikturuar me një kolorit marrë hua nga njollat e postimpresionistëve Gogen, krijon një eklektizëm, mostër e artit pa fytyrë, formalist e të degjeneruar.

Portret plake (dy punime):

Po ashtu ke të bësh me një përçmim dhe shëmtim të figurës së nënës, një deformim të tipareve, duke i dhënë një theks të veçantë të stërzgjatjes së qafës, rrudhave të theksuar të syve të trishtuar, duke shprehur përmes këtyre portreteve varfëri dhe pesimizëm, gjendje të mjeruar shpirtërore dhe për kë? Njeriun tonë, nënat tona!

Dy nudot:

Punuar me pastel janë shprehje e koncepteve frojdiste, qëndrime formaliste dhe njëkohësisht zbulojnë pikësynimet e tija për një art banal të gatuar me pornografizmin, ndjenjat shtazarake të epsheve, poshtërimi i figurës së gruas, shprehje e qartë e degjenerimit moral dhe shpirtëror të autorit.

Portrete gruaje me gërshet:

Është influencë direkte e formalistit italian Modilian, që e kthen njeriun në një maskë, merret me formën e jashtme të njeriut duke “lëpirë” me penel tiparet boshe që s’kanë të bëjnë me botë të brendshme dhe psikologji, por me një qenie krejt pa jetë.

Cigania me shporta:

Është shprehje tipike e qëndrimit të tij formalist, preokupimi për të sajuar linja dhe njolla të gjitha me qëllim në kurriz të tharjes dhe copëtimit të jetës, mohimit të njeriut, kthimin e tij në një masë amorfe estetizante. Kthimi i njeriut në një qenie të hollë e të gjatë, mosrespektimi i proporcioneve dhe mohimi i tyre, kthimi i figurës së gruas në një qenie që shëmbëllen me zebrën apo tjetër kafshë, është shprehje e artit formalist dhe ideologjinë borgjeze e fillozofinë idealiste që fare lehtë e kthen njeriun në gjithçka e vetëm njeri të mos jetë.

Peizazhi me selvi:

Është një punim që u ekspozua në ekspozitën e pranverës të vitit 1972. (Shtojmë se autori atëherë ishte anëtar i komisionit të seleksionimit aprovuar nga F. Paçrami dhe kryesia e atëhershme e Lidhjes). Ky punim ka influencë direkte nga ekspresionizmi, deformon natyrën dhe rikrijon një gjendje të rëndë, varri, me qëllim shëmtimin e jetës, kthimin e saj në një varr ku qeniet, pemët dhe gjithçka përreth është katastrofë.

Natyra e qetë me ibrik:

Është influencë e pikturës së Matisit dhe kubizmit të Brakut, është një reformacion i objekteve kombëtare pikturuar me njolla të eksituara ngjyrash, raporte të egra koloristike, influencë e postimpresionistëve. Ngjyra në punët e tij tingëllon si qëllim në vetvete, iluzion, mjet që çmaterializon objektet, i deformon ato dhe krijon gjendje krejt të rreme dhe artificiale, jashtë idesë dhe mendimit, shkëputet nga roli i rëndë- sishëm dhe zbërthimit realist të temës dhe idesë.

Vallja (në bakër):

Është variant i motivit që qe vendosur në hotel “Drini”, deformim dhe shpartallim i vetë figurës së njeriut, i valltarit, mospërfillje e qenies njerëzore, kthimit të tij në një ornament krejt pa adresë, lojë e mendjes së shfrenuar të një njeriu që ka rënë pre i ekspresionizmit dhe nativizmit, i artit pa skrupull borgjez dhe revizionist. Shtojmë se kjo mënyrë është kthyer në modë në vendet ku sot sundon revizionizmi.

Vizatimet me bojë kine:

Janë kërkime edhe më ekstremiste të personit, të cilit nuk i mjaftojnë influencat e ekspresionizmit, kubiste dhe naivizte, por hidhet në injorim të plotë të objektit dhe sendeve përreth, i mohon plotësisht ato, duke rikrijuar forma abstrakte që mohojnë gjithçka. Autori me këtë revan që kishte marrë tregon se me siguri do të eksperimentonte, radhë-radhë të gjitha rrymat dhe drejtimet, me siguri do të provonte edhe hiperrealizmin, pop-artin dhe ap-artin. Këtë tregon “etja” që ai ka pasur. Njeriu kthehet në fik deti, njeriu kthehet në urë, njeriu siluet kockash, etj., etj., të gjitha këto janë influenca të filozofisë idealiste të Frojdit që mjerisht pati në ndonjë rast në poezi. Ne M. Velon e shohim edhe në artin figurativ.

Natyra e qetë me ibrik:

Është vazhdim i tendencave kubiste, modele të Brakut dhe Pikasosë, të këtij babai të formalizmit, të cilin siç duket e ka adhuruar dhe i ka shkuar pas, duke harruar komplet qenien e tij.

Natyrë e qetë me shalqi:

Është klasike si vepër kubiste me format e prera, vëllimet gjeografike të objekteve që në realitet janë të plotë dhe të rrumbullakët.

Punimet e tjera:

Gjithashtu janë mostra të pjella nga influenca dhe ndikime direkte të artit formalist, shprehje e degjenerimit të plotë të këtij njeriu që me trup jetonte në tokën tonë, por me mendje dhe zemër shëtiste në bulevardet e Parisit, Nju Jorkut, Moskës dhe mbase po t’i premtonte koha, edhe të Pekinit revizionist.

“Krijimtaria” e këtij pseudoartisti është pjellë e degjenerimit politik e moral, mohim i kulturës dhe artit të madh të lavdishëm të popullit dhe artistëve tanë militantë që punojnë dhe jetojnë si revolucionarë që me veprën dhe shembullin e tyre, të udhëhequr nga ideologjia marksiste-leniniste, mësimet e Partisë dhe të shokut Enver kanë krijuar vepra të fuqishme realiste, pasqyrë e epokës sonë të lavdishme të Partisë së Punës së Shqipërisë.

E gjithë “krijimtaria” e Maks Velos bije në kundërshtim me porositë e mësimet e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe u kundërvihet në mënyrë të hapur vijës politike të Partisë sonë dhe realizmit socialist në art.

Ekspertët

Kujtim Buza (firma)

Foto Stamo (firma)

Skënder Milori (firma)

Burimi: Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *