Xhunga u përgjigjet kritikëve për Nexhmije Hoxhën: Nuk janë gazetarët që u bëjnë gjyqet personazheve

2-58-905x395
Rudina Xhunga i përgjigjet ”zemërthyerve” lidhur me faktin që ka risjellë edhe njëherë në ekran bashkëshorten e ish diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxhën.

Përmes një artikulli, Xhunga thotë se nëse nuk do e kishte intervistuar ajo, do e bënin kolegët e tjerë ndërsa thekson se nuk janë gazetarët ata që duhet t’u bëjnë gjyqet personazheve.

“Nexhmije Hoxha, do të japë sonte, intervistën e saj të fundit. Është lamtumira e saj, rrëfimi i një jete që nisi në Manastir dhe po mbyllet ne Laprakë. Është mesazhi i saj, kujtimi i 95 viteve, tregimi i jetës dhe punës me Enver Hoxhën, është brenga e saj, është besimi i saj, po sidomos është sfida e saj, sfida që i bëri jetës, një grua që nuk është thjesht dëshmitarja e pothuaj 10 dekadave histori Shqipërie, por protagonistja e pothuaj gjysmës së kësaj historie.

Ajo që më kalonte ndërmend, gjatë kohës që e intervistoja, jo gjatë atyre 5 orëve, por një viti parapërgatitje, është momenti kur Maria Antuaneta, po tregonte versionin e saj në gjyq dhe kur u ul, pyeti me zë të ulët: mos isha shumë krenare?

Kam dashur ta kem intervistën e saj të fundit dhe kam punuar për të. Mbi shumë dosje, ditarë, arkiv të familjes Hoxha. I madhi, ankth që kam, është mos, kur intervista të mbarojë, më merr Robert Shvarc në telefon, si dikur pas intervistës së parë, transmetuar në ‘99, në TVSH dhe më thotë atë fjalë: Pse?

Shvarc nuk është më, por unë e kam në mendje zërin e tij dhe i përgjigjem, pa më pyetur.

Nëse nuk do ta merrja unë, këtë intervistë, do ta bënte, Qafoku, Rakipi, Thano, Bugajski, e mijëra gazetarë të tjerë. Sepse në kohën tonë nuk bëhet më pyetja: pse e more atë? Kjo pyetje, na çon pas në kohë, na kthen në kohën e Nexhmije Hoxhës. Tani është koha që e lejon edhe atë vetë të flasë. Përndryshe, do të humbisnim dhe të vetmen çfarë kemi fituar këta 26 vjet, lirinë.

Problemi nuk është, pse e merr, as si e merr, se çdo gazetar që e ka takuar e di mirë, çfarë të lejon dhe çfarë jo, një njeri që të vë përballë heshtjes, për pyetjet që nuk i pranon.

E pyeta Nexhmije Hoxhën; Ju tregoni një Enver gati demokrat, liberal, të dashur, të dhembshur, por Enveri diktator, paranojak, ku është? Nuk u përgjigj, thjesht ktheu kokën nga kamerat dhe u kthye nga unë, për të thënë thatë: vazhdojmë!

Nëse unë do e marr këtë frazë dhe do e bëj spot, dhe do të vë mandej, reagimin tim dhe do e mbush emisionin me çfarë kanë thënë për Enver Hoxhën, ajo nuk është më dëshmia e së shoqes.

Kur koha të bëjë të vetën dhe të shuajë, jo kujtimet, por emocionet, ajo që do të mbetet, është rrëfimi i saj i fundit, që historianët, jo gazetarët, do ta ballafaqojnë dhe tregojnë historikisht.

Nexhmije Hoxha, sonte, do të tregojë në Vizion Plus, të vërtetën, sipas saj, jetën sipas saj, monologun e saj të fundit.

Kush do ta dëgjojë, nuk do të ndryshojë mendim, për të, as për 50 vitet e Enver Hoxhës.

Gjëja që unë uroj, të prekë dhe të ngacmojë ajo intervistë, është ajo ndjesia e pafuqisë paralizuese, që ndjen shqiptari, përballë shtetit, përballë të parit të shtetit, që dikur të jepte punë, burrë, shkollë dhe po të dilje nga rreshti, të internonte, të burgoste, të përjashtonte, të zhdukte.

Tani shteti, të lë pa punë, pa bukë, të çon në Gjermani, kur i del tepër, të zvarrit gjykatave, spitaleve, hipotekave, të lë të përfundosh në depresion, drogë, krim, prostitucion. Sepse kjo është psikoza jonë kolektive: e di shteti. E di i pari. Ai i di të gjitha.

Në thelb ne jemi ende në bunker, ne jemi paraqytetarë. Na mungon shpirti i rebelimit, i përplasjes, i vetëdijes, i vetëbesimit, që po t’i kesh, nuk të lënë, të nënshtrohesh para më të fortit dhe t’i hakërrehesh më të dobëtit. Që nuk të lënë ta shohësh shtetin si zot dhe veten si rob.

E pra, gruaja që do të shikoni sonte, në intervistën e fundit, ishte dikur gruaja e Enver Hoxhës. Po tani, si jeton, ku e çoi pushtetin, mos e trashëgoi? Si po e mbyll jetën, në atë dhomë, ato kushte, të krahasueshme me çdo familje shqiptare, në minimum jetese?

Nexhmije Hoxha e bëri burgun e saj, burgun e kafeve, jetoi për të parë zhvarrimin e të shoqit dhe përmbysjen e gjithçkaje ndërtoi dhe besoi në jetë. Tani çështja nuk është më a flet, apo çfarë tregon. Nuk është as, mos po e rikthejmë kohën e Enverit, duke intervistuar të shoqen. Se nuk ka njeri, a shans ta ringjallë atë kohë. As më nostalgjiku, jo më unë, që e kam parë në Televizor bardh e zi, kur isha në kopsht.

Problemi real, që duam t’i fshihemi, siç e kemi zakon me problemet, se e dimë që zgjidhen vetë, është: ku jemi, ku shkuam ne, kohë pas përmbysjes së atij regjimi?

Ja ku shkuam: Aleks Nika protestoi në demokraci dhe e vranë. Gruaja e tij i kërkon të drejtën një zyrtari të zakonshëm në Bruksel, se nuk e gjen dot, në vendin e vet. Ky është shembulli tipik i pafuqisë sonë për të gjetur të drejtën, për të protestuar, për të dënuar, për të ndëshkuar, për të besuar se jemi zot të kësaj toke dhe ata që janë ulur në zyrat e Enverit dhe Mehmetit, janë thjesht administratorë të radhës, jo mbretër. Janë të zakonshëm, të zëvendësueshëm, të vdekshëm, janë asgjë para fuqisë së qytetarit, që kërkon të drejtën e tij, deri në një.

Nuk na e kanë fajin intervistat. Nuk na e kanë fajin, as Saliu dhe Koçoja. Jemi ne që i krijojmë ata, dhe pastaj mërzitemi, kur gazetarët i intervistojnë. Sepse duam, gjyqin që nuk ia bëmë dot vetë, ta bëjë gazetari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *