Woodstock-u i Ballkanit


Një regjisor e përshkroi DokuFest-in si “Woodstock-u i Ballkanit”, e ndonjë njeri i fesë e politikan e ka përshkruar si “lojë e djallit!”. Dokufest-i ka kohë që është renditur në “momentet” që e kanë ndërtuar historinë e re të Kosovës, anën e bukur të saj, kushdo që ndihet në siklet për “haramet” e tij,
le të rrijë larg “dreqnive” e lojës së tyre.

Nga Blerina Rogova Gaxha

Dikush thotë se gjatë kohës së DokuFest-it bota takohet aty në Prizren. Edhe në javën e shkuar, si në secilin vit, qe shumë ‘cool’ të ishe në Prizren. Nuk ka nevojë të ta thotë kush, por mjafton një foto në mediet sociale, në ato që brenda natës kanë fuqinë të krijojnë ‘revolucione’, dhe gjithë miqtë virtualë që rrinë para tastierës o para touch screen-it të tyre, do t’u dalë flaka…. “Një kerr për Perzeren”! Në këtë formë tashmë e sa kohë nis e mbaron fushata e Festivalit Nderkombetar të Filmit Dokumentar, DokuFest. Një ‘kerr’ për disa kilometra larg qyteteve ku rrojmë. Dhe, kryeqendra e dikurshme e shqiptarëve e djeg çdo gusht kryeqytetin e sotëm të Kosovës. ‘Një kerr për Perzeren‘, e të gjithë drejt qytetit të shadërvanit, aty ku njerëz, gjuhë e kultura të ndryshme janë shkrirë në qytetin e bukur. Kinematë, panelet, punëtoritë, programet, vullnetarët, panot e vendosura nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, bëjnë që vizitorët të mos përqendrohen vetëm në një vend në qytet. Duket sikur njëmijë gjëra po ndodhin në të njëjtën kohë e njëmijë e një rrëfime janë mbledhur në pak net.
DokuFest-i nga Prizreni sigurisht se kërkon të thyejë kufijtë në art e në jetë, me anë të rebelimit e reagimit. Shpirtin e ri në Prizrenin ‘plak’ mbase jo më kot regjisori rus Alexei Dimitriev e përshkroi si krejt origjinal, kur tha se “Ky festival i mrekullueshëm, është Woodstock-u i Ballkanit”.

Woodstock-u amerikan i para 47 viteve kishte moton e “paqes e të muzikës”. Njerëz të mëdhenj kanë thënë se festivali ka shënuar një ndër momentet më të rëndësishme në historinë e rock-ut. Por “Woodstock-u i Ballkanit” ose i Prizrenit kishte për moto diçka shumë esenciale për shoqërinë kosovare “Korrupsionin”. Sa është dhe a është fillimisht e mundur që një ngjarje arti, kulture të ndikojë, apo të ndryshojë një realitet të zhytur thellë në një dukuri rrënuese? Kjo gjithnjë mbetet pikëpyetje dhe diçka për të cilën arti/artistët vetëm mund të ngrenë vepra e kryevepra artistike. Dhe të bjen n’mend thënia e një filozofi “Se e kemi artin për të mos na vrarë e vërteta!”.

Nën moton e sivjetme “Coruption” dizenjuar në germat me lule, DokuFest kallëzon se nuk i ka harxhuar idetë, as bateritë, siç dëshmon se është më shumë se një festival, është shndërrim i kulturës në aktivizëm dhe apel shoqëror për më shumë drejtësi e liri në vend. Regjisorë të huaj, jo rrallë, kanë thënë për festivalin se Dokufesti i Prizrenit t’i ofron të gjitha pa mburrje, por me përulësi.

Struku- struku shteti i vogël që për artet e bukura kurrë s’pati zemër të madhe.

DokuFest-i jo rallë ka pasur performanca rebeluese herë për “pazare të pista” e herë vetëm për të ngritur vetëdijen e atyre që do të duhej, por që s’e “rruajnë” për artin e shtatë.

Ndaj, nën emrin “Corruption” protestat e tyre artistike, ndonëse protestë e bërë shumë herë te ne, sërish ka zënë shumë vend, meqë ngritet kundër e lufton mendësinë e një pushteti. Denoncimi social te shqiptarët, megjithatë akoma nuk ka fituar hollësinë që do të duhej. Në shoqërinë e kamufluar nga mendësia korruptive, denoncimi social do të duhej të rritej çdo herë e më shumë kundër të gjithë atyre që na e kanë vjedhur rrojtjen normale, në një vend jonormal.

dokufest3

Po nga ky sektor, politika, këtë vit, erdhën edhe akuzat për “kopilët e degjenuar”, për ‘drogaxhinj e prostituta’. Bile vitet e fundit ka pasur thirrje edhe nga njerëz të fesë që Prizreni “të shpëtohet nga DokuFest-i i alkoolit, drogës e imoralitetit”.

Me gjasë, Prizrenin e kalldrëmeve e të kalasë, për disa, duket sikur e ka kapur dreqi! Thirrjet e ndonjërit që vjen nga politika e religjioni, që kërkonin bashkimin e njerëzve për ta gjetur dermanin e të madhit, e për t’i mbyllur fëmijët brenda gjatë gjithë ‘javës së dreqit’, me arsyetimin se përpjekjet për art e kulturë, nuk janë veçse pallavra për t’i kthyer ato në përpjekje për ta ndaluar islamin, nuk janë lojëra të pafajshme. Lojërat e tilla e kanë hilen e vet! Siç mund të ketë hilen edhe loja e politikanit të Prizrenit që u ankua për drogë e imoralitet gjatë ditëve të DokuFest-it. Dikush tjetër e ka në dorë dhe mund ta kontrollojë këtë çështje, nëse ka vullnet.

Mbase jo i përmasave të Woodstock-ut të dikurshëm, po edhe Dokufest-i ka kohë që është renditur në “momentet” që e kanë ndërtuar historinë e re të Kosovës, anën e bukur të saj. Revolucionet e mëdha e kanë ndryshuar botën, ndërkohë që revolucionet artistike, kanë arritur pak nga pak të kthjellin e të ndëshkojnë. Kushdo që ndihet në siklet për “haramet” e tij, le të rrijë larg “dreqnive” e lojës së tyre.(Kallxo)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *