Virion Graçi: Për letërsinë dhe demonë të tjerë

Diçka e thjeshtë dhe e zakonëshme të bëhet lajm i pranuar nga redaksia e portalet duhet patjetër të fillojë me shprehjet : “shpërthen Filani,” “çmendet Filania,” “sulmon Ai e godet Ky.” U bëra dhe unë lajm i kronikës së zezë si sulmues, goditës. Në fakt kam bërë një shënim informal për miqtë e mi në FB duke përmbledhur në tre rreshta çfarë ka ndodhur në dy vitet e para të çmimit letrar “Kadare” pa u ngatërruar me të tretin në të cilin isha vetë finalist. Mbaj mend se u kam shkruar ideuesëve të çmimit se, një grup aq i vogël njerëzish si ju, të lidhur në interesa pagash mujore e honoraresh javore me institucionin që e jep atë çmim dhe e propagandon si vlerë e madhe mbarë shqiptare, doni të impononi publikut reliefin e ardhshëm të vlerave duke e populluar para dhënie me emra të rëndësishëm për ju. Mu përgjigjën me korrektesë e natyrshmëri, shkëmbyem mendime përmirësimi dhe e kaluam si një çështje që mund të përpunohej nga të interesuarit në rrugë e sipër. Në dy vitet e para, për arsyet e përmendura nuk u bëra pjesë e asaj gare dorëshkrimesh. Sivjet, emrat e Bashkim Shehut dhe Ylljet Aliçkës në juri, të respektuar të dy si intelektualë e krijues me vlera të rangut të parë, më lanë të besoj se diçka do të ishte më mirë. Dhe ashtu shkoi, pati mjaft prurje, dolën disa finalistë e prej tyre, një kryefinalist, një fitues, pra. Personalisht e urova autorin e promovuar duke uruar njëherësh që vepra e tij e ardhëshme, teksti fitues të vlejë, ta përligjë vëmendjen e shoqërisë dhe investimin e institucionit që e mbështeti, e zbuloi, ia ofron lexuesit si vlerë e rëndësisë së parë.
Disa që duan të bëhen lajm, pas leximit të shënimit tim informal çmenden prej vërteti, shpërthejnë prej vërteti, sulmojnë mua lidhur me faktin se, meqë nuk isha fituesi nuk më takon të diskutoj. Çdo pjesëmarrës vendos në atë garë çfarë ka të shenjtë e të dashur, krijimtarinë e tij. Dhe secili do të dijë, të verifikojë a ka vërtetë seriozitet, ndershmëri apo janë gara fasadë, duke thirrur çdo shqiptar pa dallim feje, krahine, gjinie e ideje për t’i dhënë rëndësi, shkëlqim provizor një fituesi të paramenduar, të paracaktuar?!
Fiton apo jo asnjë gërmë nuk ndryshon në cilësinë e veprës tënde të radhës, çmimet e pamerituara të bëjnë të dyshimtë, qesharak, madje, të skualifikojnë në sytë e lexuesëve të kulturuar. Unë nuk kam çuar libra në konkurse dhe jam lexuar, vlerësuar, pranuar nga lexuesit që në fillimet e mia. Kur konkurset u bënë pa vullnetin e autorit duke marrë direkt hyrjet vjetore në Bibliotekën Kombëtare, nuk mund të vetpërjashtohesha me deklarata të një modestie bërtitëse, dhe, dy vjet më parë kam marrë tre çmime për një libër i cili kishte disa muaj në duart e lexuesëve.
Në kohën kur nuk kishte kaq kureshtje televizive, radiofonike, elektronike për letërsinë në qindra orë biseda “specialistësh”, intervista somelierësh letrarë, kur nuk kishte përnatë udhërrëfyes letrarë për popullin e “paditur”, kuvendime e tryeza pa qoshe për problemet e ashtuquajtura të letërsisë sonë shqipe, njerëzit lexonin më shumë, krijuesit punonin më qetë, ishin më indiferëntë ndaj përmasave artificiale, mediatike të vetjeve të tyre. E unë, i kësaj mendësia jam, nuk mund të bëhet shkrimtari njeri shfaqesh televizive. Por, nga ana tjetër, kur kaq shumë ciceronë librash e “kulturologë”, sistemues vlerash e gjykatës publikë të hierarkive e fakteve historike – letrare, në mënyrë tendencioze, të përsëritur, të stërpërsëritur, përpiqen të keqpërdorin, të denigrojnë dhe si prani fizike në kohë e hapësirë punët e mia, atëherë, pa dashur të bëhem lajm portalesh, rjetesh, ju premtoj se do ta mbroj veten time prej tyre, pasi nuk më kushton aspak mund, aspak dhimbje, asnjë vështirësi në gjetjen e epiteteve e stigmave përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *