“Mbërritur në këtë pikë, dua t’u bëj vetëm një pyetje të gjithë atyre që e kanë lexuar legjendën e përmendur: A nuk është dashuria ajo forcë që mund ta ngrejë të vdekurin nga varri? Kjo pyetje është kyçi që shkon e çel arkapijat, siç do të shprehej Migjeni”, Virgjil Muçi.
A u muros vërtet e gjallë Rozafa për të mbajtur në këmbë kështjellën? Pse Kostandini e martoi të motrën larg? Një njeri kërkon të shohë përtej legjendës dhe zbulon këndvështrime të tjera mbi mitet. Në romanin “Mëkati fillestar”(Botimet Pegi), Virgjil Muçi rrëmon në ndërgjegjen kolektive të popullit për të dhënë një këndvështrim tjetër nga ai që jemi mësuar të shohim prej shekujsh.
Një Rozafë tradhtare e murosur së gjalli e një incest mes motrës e vëllait, që ngre nga varri Kostandinin! Libri i Muçit mundet të shkaktojë debate mbi vërtetësinë e dy prej legjendave më të dashura për shqiptarët, por hedh padyshim ‘hije’ mbi legjendat në tërësi. A janë, vallë, patriotizmi, besa, flijimi dhe vetësakrifikimi për hir të atdheut thelbi i vërtetë i tyre? Vetë shkrimtari në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se “kjo nuk do të thotë se çdo përpjekje për ta rishkruar është një sakrilegj dhe shkrimtari është një përdhosës i të ashtuquajturit nder kombëtar”. I pyetur se pse ka vendosur të rrëzojë mitet, Muçi thotë: “Nuk mund të them se kam vendosur të rrëzoj apo të marr nëpër këmbë mitet dhe heronjtë e tyre në shenjtërinë e vet, siç do të shprehej Migjeni. Në fakt rrëzimi dhe përdhosja e tyre shpesh ka një haraç që, detraktori, pra, njeriu që merr përsipër këtë gjë lypset ta paguajë”. Më poshtë intervista e tij për “Gazeta Shqiptare” ku i jep përgjigje mbi pikëpyetjet që ngre libri.
– “Mëkati fillestar” a është një provokim nga ju për një publik të rritur me mite?
Më shumë se një provokim është një sprovë për të këqyrur sesa e gatshme është një shoqëri si e jona, por jo vetëm e jona, për të kthyer kryet pas dhe për të këqyrur me sy kritik gjithë atë korpus dijesh me të cilin është ushqyer dhe edukuar qysh në moshë të njomë. Kam këtu parasysh një brez të tërë si imi, i cili u mëkua me mite historikë e letrarë, dhe iu kërkua të pranojë gjithçka pa pyetur dhe, sidomos, pa hedhur ndonjë vështrim kritik mbi atë që i ofrohej. Pa kryer këtë proces katarsisi, do ta quaja, zor se do të kemi një marrëdhënie normale, të esëllt me veten tonë dhe realitetin. Duke shkruar këtë libër, fillimisht në mënyrë krejt të pavetëdijshme kam ndjekur një këshillë të Lukianit, kur thotë se, i duhet përmbajtur parimit për ta ritreguar një mit, kësisoj s’ka për t’u besuar domosdoshmërisht. Legjendat dhe mitet janë një libër i hapur, të cilat, gjithsekush mund t’i lexojë e gjykojë si të dojë. Askush nuk ka dhe nuk mund të mëtojë të ketë të drejtën e patjetërsueshme mbi to.
– Si lidhet Ernest Koliqi me librin tuaj? Ju e keni personazh kryesor atë?
Takimi me Ernest Koliqin në Bibliotekën Kombëtare, më sak i librit të tij në një prej rafteve të saj, ishte diçka fatlume për mua. Them fatlume ngase duke shfletuar e lëçitur punimin e tij “Si lind në Shqipëri një këngë popullore” hasa në elementin koaguluese të lëndës letrare që kisha prej kohësh nëpër duar dhe, kësodore, gjeta kyçin për të kaluar nga një pamje e triptikut tim letrar te një tjetër e kështu me radhë; të tria pjesët janë shkruar si novelëza më vete, por lypset pasur parasysh se janë konceptuar si një vepër unike. Pamja e Parë nuk shërben vetëm si një kyç, por, edhe si një mekanizëm logjik që vjen në ndihmë për të shpjeguar, së pari, dhe, kuptuar, së dyti, teknologjinë e shestimit të mitit, i cili fsheh në rropullitë e veta ngjarje reale që, për një arsye ose një tjetër – arsye që s’kemi për ta mësuar kurrë në të vërtetë – krijuesi ka dashur ta fshehë pas vellos së mitologjisë. Këtë proces e kam shtjelluar gjerë e gjatë në epilogun e librit, ndaj nuk po ndalem më tej.
– Nëse gërmojmë përtej legjendës, çfarë do gjejmë, atë që ka gjetur Ernest K.?
Duke hulumtuar me pasionin e eksploratorit, Ernest K. zbulon diçka tronditëse, diçka që shemb një idhujtari, që venit një adhurim gati-gati qiellor dhe i jep të kuptojë se kënga (arti, me fjalë të tjera), ashtu si politika, media, mund të shndërrohet në një instrument deformimi të realitetit, të manipulimit të opinionit publik për një arsye ose një tjetër, por kurdoherë të mbrapshtë, për t’ia përcjellë më pas kumtin e gabuar asaj që e quajmë kujtesë kolektive, e cila, shtresë pas shtrese shndërrohet në të ashtuquajturën kujtesë historike.
– A i trajtojmë jetët tona si legjenda, pra duke fshehur disa mëkate fillestare, duke pastruar gjithë ç’nuk i shkon asaj që ne duam të dukemi a të jemi?
Çdo shoqëri përmes legjendave të veta, qofshin ato krijesa të moçme ose sajesa të kohëve moderne ku jetojmë, krijon një perde tymi si oktapodi që lëshon lëngun e errët për t’u fshehur e marrë arratinë prej kundërshtarëve ose vetvetes. Njerëzimi ka nevojë për legjendat, ndaj dhe i krijon në çdo kohë, ashtu siç, paradoksalisht, ka nevojë për mite të rremë, siç i quante Migjeni ynë. Marrja për një kohë të gjatë me këtë korpus të krijimtarisë popullore – dëshiroj të kujtoj këtu një punimin timin të para disa viteve që shtjellonte një lëndë të ngjashme me titull “Erotikoni dhe Satirikoni” – më ka shtyrë drejt arsyetimit se legjendat nuk janë dhe një produkt që lidhen me një periudhë të foshnjërisë së njerëzimit. Tezës që i sheh si akte krijimtarie të njeriut primitiv, i cili për shkak të kufizimeve të veta dhe pamundësisë për të shpjeguar ndodhi të caktuara shkon e u vesh një trajtë fantastike, i vë përballë hipotezën se ka ngjarë pikërisht e kundërta e asaj çka pohohet dhe mëtohet më lart; legjendat janë produkt i një mendjeje të sofistikuar, gati-gati djallëzore për gjith’ato arsye që përmendëm më lart.
– Ajo çka kuptohet prej librit tuaj është se Kostandini përtej marrëdhënies familjare, kishte një tjetër marrëdhënie me të motrën, Doruntinën. Përtej trukeve të letërsisë artistike, ku i bazoni ato që keni shkruar?
Në leximet dhe fantazinë që ushqen krijimtarinë e tij letrare. E përsëris letrare; shkrimtari nuk është si historiani që një tezë të vetën duhet ta mbështesë në dokumente dhe vetëm në dokumente për të qenë i bindshëm në sytë e lexuesve dhe kolegëve. Nga ky këndvështrim edhe legjenda që përmendni ju, pra ajo e Kostandinit dhe e Doruntinës, nuk është një vepër historike, është thjesht një fikcion dhe si e tillë është mëse normale që një shkrimtar ta lexojë dhe interpretojë në mënyra të ndryshme. Fjala vjen, ne të gjithë jemi rritur me rrëfenjat e mrekullueshme të Kutelit te “Tregime të moçme shqiptare”, një ëndje që e provojmë edhe sot e kësaj dite kur e marrim në dorë atë libër dhe e rilexojmë, por kjo nuk do të thotë që ai është leximi i vetëm që mund t’i bëhet asaj legjende, nuk do të thotë se çdo përpjekje për ta rishkruar është një sakrilegj dhe shkrimtari është një përdhosës i të ashtuquajturit nder kombëtar. Mbërritur në këtë pikë, dua t’u bëj vetëm një pyetje të gjithë atyre që e kanë lexuar legjendën e përmendur: A nuk është dashuria ajo forcë që mund ta ngrejë të vdekurin nga varri? Kjo pyetje është kyçi që shkon e çel arkapijat, siç do të shprehej Migjeni.
– Ndërkaq, Rozafa shihet ndryshe nga ju. Murosja duket ka ardhur si pasojë e tradhtisë nga ana e saj, një tradhti bashkëshortore?
Pa dashur t’u kthehem argumenteve të mësipërm dhe të orvatem të ndërtoj një alibi për atë që kam shkruar, çka nuk kam ndër mend kurrsesi ta bëj, dua ta ftoj lexuesin të flakë tej aureolën e shenjtërisë me të cilën e ka rrethuar legjendën dhe ta shoh atë si një ngjarje reale, e cila ka ndodhur diku pranë ose larg nesh dhe në të cilën janë përfshirë njerëz me mish e me gjak, njerëz me vese dhe virtyte, si ata që na rrethojnë në jetën tonë të përditshme, dhe jo shenjtorë e virgjëresha. Sado paradoksalisht të tingëllojë ishte fantazia që, teksa lexoja e stërlexoja “Legjendën e Rozafës”, kuturisa në shtigje, me gjasë të pashkelura dhe ngrita ato pyetje që i shkojnë më për shtat një detektivi sesa një shkrimtari: Si ka mundësi që muret që ngrihen ditën të vithisen natën? Dhe më tej, Kush të ketë gisht në këtë mbrapshti? E më tej ende, çfarë fshihet vallë pas këtij misteri shkatërrimtar?
– Pse keni vendosur t’i rrëzoni mitet?
Nuk mund të them se kam vendosur të rrëzoj apo të marr nëpër këmbë mitet dhe heronjtë e tyre në shenjtërinë e vet, siç do të shprehej Migjeni. Në fakt rrëzimi dhe përdhosja e tyre shpesh ka një haraç që, detraktori, pra, njeriu që merr përsipër këtë gjë lypset ta paguajë. Migjeni vetë është një shembull i njeriut që e ka paguar atë haraç, duke qenë se u përpoq t’ia heqë bragashkat shoqërisë ku jetonte. E vërteta është se unë nuk mëtoj të marr mbi shpinë një barrë të atillë, thjesht jam rrekur të bëj një lexim ndryshe të dogmës, nëse mund të shprehem kështu. Me fjalë të tjera, të zhbiriloj me syrin e psikoanalistit – në letra ka plot raste kur shkrimtari shkon dhe e merr përsipër këtë rol – për të mbërritur në atë çka në libër e kam quajtur thelb racional. Ka një shprehje të Ajnshtajnit që e shoh me vend ta citoj këtu: “Me logjikë mund të shkosh nga pika A në pikën B; me fantazi mund të shkosh gjithandej”. Udhëtimi im me krahët e fantazisë më ka çuar në ato vise që lexuesi mund t’i sodis përmes leximit të librit tim.
– A jeni përgatitur për një debat të mundshëm mbi ‘njollosjen’ e miteve?
“Mëkati fillestar”, pra, i imi, kësisoj unë marr përsipër barrën e “fajit” është një ftesë letrare, por jo vetëm letrare, për të hapur një diskutim rreth miteve e mitologjive që kanë kapërthyer shoqërinë tonë dhe botën e saj shpirtërore. Për hir të së vërtetës, përtej çdo gjykimi ose paragjykimi ky diskutim është shprehje e një shkalle pjekurie dhe emancipimi të një shoqërie dhe i të gjithë segmenteve të saj. Kështu që, metaforikisht, unë kam shtruar gostinë me haje e verë të vjetëruar, ndaj, bujrum çdokush është i mirëpritur të ulet rreth kësaj tryeze dhe të shijojë atë çka është servirur. Por, siç ndodh në kësi gostish, dikujt ia ka ënda të kthejë një kupë më shumë dhe t’i jap gjuhës e nëmë e mallkojë, çka është pjesë e debatit a e dafrungës letrare, quajeni si të doni!(Fatmira Nikolli, GazetaShqiptare)