Virginia Woolf: Sytë e të tjerëve janë burgjet tona, mendimet e tyre janë kafazet tona

Fjalët e Virginia Woolf japin një paraqitje të shkurtër të një shpirti të munduar që nuk ka gjetur kurrë pak qetësi. Ato shprehin qartë talentin e madh të autores, por edhe skepticizmin e jashtëzakonshëm. Virginia Woolf ishte dëshmitare e tmerreve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, të cilat patën një ndikim të rëndësishëm në ndjeshmërinë e shumë artistëve të kohës.

Virginia Woolf lindi në Londër në vitin 1882. Ajo ishte një nga eksponentet më të rëndësishme të letërsisë moderne dhe një feministe e palodhur. Ajo humbi nënën në moshën 13-vjeçare dhe jo shumë kohë më pas motrën dhe babanë. Disa biografë të Virginia Woolf pohojnë se ajo ishte viktimë e abuzimit seksual nga njerkët e saj.

Kush do të jetë në gjendje të masë ndonjëherë entuziazmin dhe dhunën e zemrës së një poeteje, kur ai kapet dhe bllokohet në trupin e një gruaje?

Virginia Woolf, megjithatë, ishte gjithmonë konstante në prodhimin e saj letrar. Citimet që kemi mbledhur në këtë artikull zbulojnë shqetësimin e brendshëm të autores, por edhe talentin e saj të jashtëzakonshëm. Një autore për të lexuar dhe rilexuar, dje, sot, gjithmonë.

Dashuria: një temë e përsëritur në veprën e Virginia Woolf

Citimet e Virginia Woolf-it mbi dashurinë kanë një nuancë ekzistencialiste. Autorja sigurisht nuk e ka parë këtë ndjenjë me naivitet apo romantizëm, por me një realizëm vendimtar: “Dashuria romantike është një iluzion i pastër, një histori e shpikur për një person tjetër”.

Megjithë trazirat e shumta nervore dhe përvojat traumatike të adoleshencës, shkrimtarja ishte me fat në dashuri. Ajo u martua në moshën 30-vjeçare dhe pas 25 vitesh, deklaroi në autobiografinë e saj se ishte ende e lumtur pranë të shoqit. Nuk ishte dashuria e saj e vetme, megjithatë, ajo kishte marrëdhënie të tjera të diskutueshme. Në lidhje me këtë ajo vetë ka zbuluar: “Asgjë nuk është aq e çuditshme, kur je e dashuruar, sa indiferenca totale e të tjerëve”.

Bëhu vetvetja

Shumë fraza nga Virginia Woolf i referohen autenticitetit, për shembull: “Ji e sinqertë dhe me siguri që rezultati do të jetë tepër interesant”. Është një deklaratë shumë e thellë që tërheq vëmendjen për veçantinë e çdo personi, e cila është dhurata më e rëndësishme.

Megjithatë, Virginia Woolf e kishte shumë të qartë se të qenit të sinqertë nuk ishte një detyrë e lehtë, “sepse përtej vështirësisë së komunikimit, ekziston vështirësia më e madhe, ajo për të qenë vetvetja”. Për të krijuar një lidhje me veten, nëpërmjet komunikimit, para së gjithash duhet të jemi ata që jemi dhe nuk është e lehtë.

Këtë ide e përforcon edhe një fjali tjetër e autores që thotë: “Nuk ka nevojë të nxitohesh. Nuk ka nevojë të shkëlqesh. Nuk është e nevojshme të jesh dikush tjetër, përveç vetes tënde”. Prandaj, autenticiteti kishte një vlerë të madhe për këtë shkrimtare. Në fakt është një vlerë supreme, por nuk është vetëm kjo, është edhe një sipërmarrje titanike.

Kultura

Bazuar në idenë e vërtetësisë, Virginia Woolf na fton të rimendojmë origjinën e ideve tona: “Ne nuk ndalojmë së menduari: cili është ‘qytetërimi’ në të cilin gjendemi të përfshirë? Në cilat ceremoni duhet të marrim pjesë dhe pse? Cilat janë profesionet me të cilat duhet të fitojmë para dhe pse?”.

Shkrimtarja na fton të reflektojmë mbi atë që mund të duket e qartë. Një mënyrë për t’u kthyer te pse-të origjinale, pasi ato mund të jenë çelësi për të rizbuluar veten tonë autentike. Jemi thirrur të reflektojmë për mënyrën se si e jetojmë jetën tonë të përditshme, ndonjëherë në mënyrë mekanike.

Lidhur me kulturën, Virginia Woolf shprehet: “Humori është dhurata e parë për të vdekur në një gjuhë të huaj”, që do të thotë se një gjuhë është shumë më tepër se një grup rregullash sintaksore dhe gramatikore, është kultura. Kultura është ajo që i jep kuptim çdo deklarate. Dhe sensi më i prekshëm ndaj gjithë kësaj është ai i humorit.

Burgjet dhe shenja e rinisë

Në këtë fjali të bukur Virginia Woolf përshkruan në një mënyrë shumë poetike kontrastin midis pamjes dhe shpirtit: “Të gjithë e kishin mbyllur të kaluarën e tyre brenda vetes, si faqet e një libri të mësuar përmendësh, të cilit miqtë mund t‘i lexojnë vetëm titullin”.

Një frazë tjetër i referohet kushtëzimit të imponuar nga të tjerët, krahasuar me një burg: “Sytë e të tjerëve janë burgjet tona, mendimet e tyre janë kafazet tona”. Jemi të bllokuar në shikimin dhe opinionin e të tjerëve. Ne nuk jemi të lirë derisa t’i shpëtojmë ndikimit të tyre.

Së fundi, një nga thëniet më interesante nga Virginia Woolf, me të cilën ajo përshkruan një nga tiparet më të bukura dhe më të buta të rinisë, vëllazërinë: “Një nga tiparet e rinisë është lindja e një ndjenje miqësie me qeniet e tjera njerëzore teksa gjejmë vendin tonë mes tyre”.

Shkrimtarja angleze ka një vend të veçantë në fushën e letërsisë. Me kalimin e kohës ka pushtuar gjithnjë e më shumë lexues, por është kthyer edhe në një nga zërat më të rëndësishëm të feminizmit. Trashëgimia e saj vazhdon dhe vepra e saj sigurisht që do të vazhdojë të magjepsë për një kohë të gjatë. / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *