“Viktimat” nga Alfonso Gatto

 

Të qe shkruar historia nga viktimat,
ndryshe do të qe, në pak minuta
pa rreshtur milingonat do të gëlonin
në frymën tonë, një nga një edhe ato,
të gjalla e kryeneçe, do të kërkonin me qenë.

Të pambrojturit, që tej qenë flakur
prej atyre me uniforma, do të kërkojnë në vështrimin
e syve të vet, gëzimin e akthshëm
që u mundën, numrin që u harrua
në rërën e pafundme të muzgut.
Për fitimtarët, ndër hotelet e rrënuar
të harresës, asgjë më.

Mbetet, kush në mbrëmjen
e punës së kryer u zhduk, dora e tij
e të gjithëve është dhe me dashuri e bën.

Është fryma jonë që i beson, mëdyshja
mos humbasim në numër, mes nesh.

© shqipëroi Maksi Rakipaj

17 korriku është data e lindjes së poetit dhe shkrimtarit italian Alfonso Gatto (1909-1976). Vdiq pas plagëve që mori në një aksident automobilistik. Mbi gurin e varrit të tij janë gdhendur këto fjalë si lamtumirë e fundit prej mikut të tij, poetit Euxhenio Montale:
“Për Alfonso Gatto-n,
për të cilin jeta dhe poezia
qenë e vetmja dëshmi
dashurie”
Një kurreshti nga jeta e poetit: Në shkollë shkëlqente në lëndët si letërsia etj, por qe fare dobët në matematikë…kur qe 21 vjeç rrëmbeu të bijën e mësuesit të matematikës dhe u martua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *