Vikena Kamenica: Pasionin nuk e vret asgjë, vetëm dorëzimi!

Jonida Hitoveizi

Një rrugë e shenjuar deri diku prej rrënjëve, prej geneve, sepse Vikena Kamenica është vajza e dy artistëve të njohur, tenorit Guri Kamenica dhe mexosopranos Vera Kamenica, por nuk ishte mjedisi prej nga ajo vinte, ai që e diktoi në mënyrë përfundimtare rrugën e saj. Ishte skena ajo që e rrëmbeu, vendi ku siç rrëfen ajo në intervistën për Newsbomb, i jepte ndjesinë se ishte ajo që donte, vendi ku të qenit merrte kuptim, madje aty, ndjesia e herës së parë, përsëritet çdo herë që ajo del para publikut, si një dashuri që nuk shter kurrë. Por pas talentit të trashëguar dhe pasionit, qëndron pas puna e palodhshme, sfidat, dilemat e sidomos përpjekja për të arritur të përsosurën. Kërkimi i së përsosurës është i lodhshëm si proces, thotë ajo, po ama është e vetmja rrugë që artistët njohin. Në këtë rrëfim për Newsbomb, Vikena flet për jetën në skenë, por më shumë për atë çka ndodh pasi perdet bien, pasi instrumentet ndalojnë së luajturi. Është jeta e saj, si nënë, si bashkëshorte dhe si grua e së njëjtës shoqëri që ende vuan tranzicionin e saj. E për këtë Vikena thotë se të gjithë duhet ta përdorim zërin për të folur për ato që nuk shkojnë, për gjërat që na përkasin të gjithëve, sepse në fund askush prej nesh nuk është i paprekshëm nga ajo çfarë është shoqëria, mjedisi social rreth nesh.

 ( BOTUAR NE revisten NewsBomb)

Vikena më shumë se 20 vite karrierë, mes muzikës së lehtë dhe asaj operistike. Çfarë të mbajti më shumë tek kjo e fundit?

 

Ky është deri diku problemi im, se unë  asnjëherë nuk i kam ndarë nga njëra-tjetra. Një nga gjërat ishte për hir të shkollës që bëra, për hir të personalitetit të ndërtuar në një familje me traditë artistike dhe operistike, e ndjeva veten se isha ajo hallka kyçe, ku o mund ta prishja o mund ta vazhdoja këtë rrugë. Edhe pse më kapi në vite jo të lehta, jam matura e 97-ës, diploma e viteve 2000, më kanë rastisur periudha jo komode. Aspak komode për artin, për vendin, jo komode për krijimtarinë, për zhvillimin për më tepër. Ka një situatë të asaj periudhe, një stresi të krijuar në një moshë, që po të kisha qetësinë për të bërë vetëm një gjë do kishte një formë më të qetë dhe ndoshta një zhvillim tjetër. Ishin vite shumë të vështira që ndikuan edhe në zgjedhjet e mia.

Stimuli në atë kohë për operan ishte shumë modest, edhe pse angazhimi dhe përkushtimi ishte maksimal. Ishte periudha ku gjithë artistët ikën, por duke qenë se unë mbajta muzikën e lehtë, e lidhur shumë me familjen, i gjeta vetes komoditetin për të mos u larguar nga vendi im, njëkohësisht e edukuar edhe me idenë që guri rëndon në vend të vet, etj. Im atë që gjithmonë me një optimizëm besonte se vendi bëhet, se gjërat do ndryshojnë, që ti je shumë mirë këtu.

 

Je penduar në një moment për këtë vendim?

 

Shumë herë. Por nëse s’do të kisha mundësitë e tjera artistike dhe të natyrës sime, që të përballoja dhe muzikën e lehtë dhe operan, që plotësonin njëra-tjetrën, ndoshta do ishte ndryshe. Unë në ato vite hyja tek njerëzit më me stimul artistik, sepse vërtetë punoja në opera, por kisha pjesën tjetër që vërtetë ma mbante figurën shumë të ndërtuar aty ku duhej. Unë kam dashur të kisha këmbët diku, jo ku të dilte puna dhe ky institucion ma ka dhënë këtë gjë, edhe pse me shumë sakrifica. Direkt pas shkolles kontratën e parë të punës në teatër e kam firmosur me Zana Çelën drejtoreshë! E para që më dha besimin që Opera duhet të ishte froni im i nderit dhe ku nisi një frymë e re! Më pas në vitet në vazhdim me Zhani Cikon, ku vazhdonte vizioni që Opera duhet te kishte një hapje të rëndësishme në bashkëpunimet me artist të ndryshëm të huaj. Kjo bëri një qasje me botën jashtë shumë të bukur. Prezantoi shumë autorë në repertorin operistik, vepra shumë të mira dhe t’i mendoje vërtet që gjërat po ndryshonin! Mbaj mend kam realizuar operën “Ëerther” Massenet me kostumografi të ardhura nga Franca, së bashku me Saimir Pirgun, “Anna Bolena” Donizetti e shumë të tjera edhe pse në kushte aspak komode nga amortizimi i teatrit. Keto i përkasin një periudhe,  por tashmë ka pësuar shumë ndryshime!

Atëherë nuk ka qenë koha e mediave sociale dhe historia është në arkivën e Operas dhe e gjallë në kujtesën tonë!

 

Sot kemi një Teatër të Operas të rikonstruktuar…

 

Unë e pata me emocion rikonstuksionin e Operas, sepse isha rritur aty dhe fakti që u amortizua në një pikë të patolerueshme dhe u mor përsipër të realizohej, personalisht jam shumë falenderuese. Më pas iu dha prioritet artistëve për t’iu ngritur stimulin, por gjithmonë në dëshirën dhe kërkesën për të shkuar aty ku ky institucion e meriton. Bashkëpuntorët kur kanë ardhur vetëm nga kapaciteti që kanë parë, gjithmonë thonin që këtu ka vlera të jashtëzakonshme për të qenë njëlloj si çdo teatër i rëndësishëm i një vendi. Ne vazhdojmë kemi burim talentesh, thjesht duhet dhënë forcë dhe stimul që zhvillimin e tyre ta mbajmë këtu dhe të bëhemi konkurues duke qenë këtu.

 

20 vite më pas është kjo ofertë artistike, gjithë ç’ka ndodhur, ajo që kishe ëndërruar se do të ishte më mirë?

 

Po, por besoj janë vonë. Të paktën siç e shoh unë, sepse kam pritur një ndryshim më të hershëm.

 

Një familje artistësh, ku dhe vëllai yt po ashtu këndon

 

Po. Por ai e zhvilloi ndryshe. Mos të harrojmë vitet e tranzicionit, për djemtë ishte edhe më e vështirë. Ai ka një zë shumë të mirë, një muzikant i jashtëzakonshëm, djalë i bukur, por u dorëzua në pikën për të vijuar me operan. Pati më të thjeshtë muzikën e lehtë, ai vazhdon e bën duke ushtruar aktivitetin e tij. Jemi shumë të ndryshëm, si natyra, por unë dua vetë që të jetë mirë dhe i lumtur.

 

Keni menduar të bëni diçka bashkë?

 

Jo, jo. Unë jam ajo që jam shumë kërkuese, shumë kritikuese. E tillë jam rritur, sepse mami ka qenë shumë kërkues. E kam patur të vështirë të kënaqem me pak.

 

Të ka ndihmuar kjo qasje e nënës, jo vetëm artistikisht?

 

Deri diku, e them në këtë moshë, më ka ndihmuar patjetër, por nga ana tjetër më ka lodhur, sepse edhe sot që ne flasim unë vijoj të kërkoj që gjërat të jenë shumë më të mira nga sa janë. Kjo është një gjë e mirë, por vuan ti.  Kërkimi i të përsosurës është i lodhshëm si proces.

 

E mban mend këngën e parë dhe para kush ishte publiku?

 

Këngën e parë e kam kënduar në RinFest. Sa kisha filluar në atë kohë me Aleksandër Lalon në Estradën e Tiranës, 14 vjeçe. Ato ishin fillimet e mia në skenë, sepse im atë e ka pasur shumë merak të provoja sa më shpejt skenën, të mësohesha me të. Gjithmonë ma thoshte që, “skena të bën artist”, ajo është fusha e lojës ku ti sprovohesh në të gjitha dimensionet.

 

Rruga jote ishte e shenjuar, nuk ke pas dilema se çfarë doje të bëje?

 

Jo, jo.  Atëherë Avni Mula më kërkoi për RinFest, ishte koha që profesori vazhdonte shkruante muzikë, realizoi një këngë për të rinj dhe unë fitova çmimin e parë të RinFest në atë kohë, me tekst të Agim Doçit, muzika Avni Mula. Pastaj ishte festivali.Edhe po ta shohësh sot atë performancë, duket që isha një këngëtare, ku nëse të tjerët dilnin disi të ndrojtur, unë isha e mësuar me skenën. Skena më jep një ndjesi tjetër, më ndryshon dhe e kam sot e kësaj dite atë ndjesi.

 

Të ka marrë nga fëmijëria kënga, fakti i të punuarit për të qenë artiste, për të dalë në skenë?

 

Nuk mund të them që më ka penguar, edhe sepse prindërit nuk kanë dashur të më bëjnë artiste, të ma imponojnë në njëfarë mënyre. Jeta që unë bëja me ta, më çoi që unë të bëhesha artiste. Ata nuk donin, sepse arti ka shumë lodhje emocionale, që sot në këtë moshë e kuptoj shumë mirë çdo të thotë, që arti ta jep dhe me doza të larta. Ndaj im atë donte që ta provoja skenën, që unë ta shihja vetë nëse e përballoja dot apo jo.  Por kjo ishte ajo që unë doja dhe u dashurova menjëherë me skenën kur e provova. Thashë këtë dua të bëj, por koston që ma përmendin atëherë prindërit, është një kosto që e kuptoj tani.

 

Sidomos kur flasim për art në një vend si Shqipëria?

 

Ekzaktësisht. Një vend me ulje-ngritje dhe me faktorët e frikshëm që përmendëm më herët. Sërish edhe në 2024 ti sheh që gjërat cedojnë, ka probleme dhe sërish ekziston një lloj lufte që nuk duhet të jetë. Jashtë bota i ka të vendosura ca parime shumë të qarta, shumë të pastra.

 

Vikena, do të doje që Krista të ndiqte rrugën tënde. Ka kaluar talenti tek ajo?

 

Ajo ka talent dhe vesh shumë të mirë, por ne nuk po e afrojmë fare. Po bëj atë gjënë tjetër, ku as nuk e kam marrë në teatër për të më parë. Nuk ia kam ofruar teatrin fare. Ne jemi të dy në opera, edhe unë edhe im shoq, por atë nuk e marrim. Në radhë të parë për ta ruajtur, e dyta për t’i dhënë kohë. Ia kemi lënë ta shohim që nëse do e ketë vërtetë të fortë këtë pjesë, por e shohim që as nuk e ka. Nuk ia shohim atë pasionin. Deri diku jam e lumtur për këtë gjë, sepse shumë gjëra u zhvilluan vonë në këtë vend dhe mënyrën që edhe pse kushtet ndryshuan sërish sheh gjëra që nuk duhet të ishin më prezente sidomos në fushën e artit. Kjo nuk do të thotë se është më lehtë në zanatet e tjera, por arti i ka sfidat edhe më të mëdha.

 

Si artiste, detajiste, kërkuese, por si nënë si je?

 

Në radhë të parë unë jam vajza e nënës sime. Jam rritur nga një nënë shumë kërkuese, sepse unë vetë kam qenë natyrë shumë rebele. Sa kërkuese, deri diku bëhej tolerante, që mundohej të bënte atë balancën. Tani që e mendoj si prind, është një zanat krejt më vete. Është diçka që sado të të tregojnë, nuk është me të thënë. Unë përpiqem të krijoj një marrëdhënie të afërt dhe besimi me vajzën time, sepse tani është në një fazë tjetër. Kur janë më të vegjël, gjërat janë më të menaxhueshme. Kemi krijuar një lidhje me njëra-tjetrën, që më tregon çdo gjë ( uroj të vijoj kështu).

 

Është shumë e vëshirë sot me gjithë ndikimet të jesh nië prind i mirë…

 

Është koha shumë e vështirë, është shoqëria shumë problem. Në shumicën e rasteve, më del shoqëria përballë. Në një situatë të tillë, kuptova se deri ku është ky brez, sa çuditshëm janë bërë dhe fëmijët e kësaj kohe. Ndodh që kur komunikon me prindërit e tjerë dhe dëgjon që ” kam besim tek fëmija im t’i zgjidh gjërat vetë”, por në një moment të caktuar kur u bëra pjesë e një komunikimi, kuptova se deri ku shkonte liria e këtyre fëmijëve. Unë po  bëj çmos që ajo të ketë moshën e vet, mos të ketë rritje të parakohshme.

 

Si mendon përse jemi akoma kaq rrëmujë, kaq keq tek edukimi, klima sociale në tërësi?

 

Nëse do shkojmë tek edukimi, duhet  të shohim rregullatorin që mbajmë ne me shoqërinë, se ai është potenciali i prindërimit. Sistemi social ka dështuar shumë në vendin tonë, nuk i është dhënë vëmendja. E gjitha kjo ka përshkallëzime që të kuptohemi. Sado të thuash që familja është baza, ndikimi i mjedisit social, shoqërisë është shumë i rëndësishëm. Duke nisur nga më baziket, sot akoma ke nëpër institucione njerëz që bërtasin korridoreve, bullizim dhe ti thua si mund të ndodh kjo gjë. Dhe gjithë ky zinxhir është rrethi me të cilin përballemi çdo ditë, me të cilin përballen dhe fëmijët tanë.

 

 

Mendon se kemi kaluar në një lloj ekstremi  të të përthithurit të konceptit të idealizmit?

 

Unë i përkas atij brezi, që për të pastruar shkallët e pallatit, oborrin duhet të nblidheshin të gjithë bashkë. Tani është bërë shumë e shëmtuar “vetëm brenda shtëpisë sime”. Por në fakt, ti do dalësh në atë oborr, ndaj je e detyruar të kujdesesh për të. Që do të thotë duhet të mbash një vëmendje edhe nga shoqëria. Ne kemi prishur sistemin social me koshiencë. Kemi jetuar në vite egoizmi të fortë, ku qëndronte vetëm interesi vetjak i atyre që drejtonin, pa menduar më gjerë.  Sado zëra që të ketë tani ose ndërgjegjësim, është ajo shprehja që thotë pak a shumë “sa t’u desh për të prishur, aq do të vuash për t’i rregulluar”. Ky është trishtimi, po ama të vijojmë dhe t’i kërkojmë, t’i flasim çfarë nuk shkon edhe në vendin e punës, kudo që rastis.

 

Ata që kanë ngritur zërin në fakt janë penalizuar…

 

E mira është të bëhemi të gjithë nga një zë sesi gjërat mund të bëhen më mirë, duke dhënë shembullin tonë në lagje, komunitet, punë, duke folur hapur për ato që duhen bërë më mirë. Këtë përpiqem t’i edukoj edhe sime bije. Për mua sistemi social ka dështuar dhe ne po vuajmë pasojat në çdo degëzim. Është boshti, ai trungu që mban të shëndetshme çdo degë.

 

Vikena kë do quaje si moment më të vështirë në karrierën tënde dhe më të lumtur? 

 

Momenti më i vështirë në karrierë,  s’mund ta them, por kjo faza e jetës kur arrin një pjekuri artistike, pjekuri njerëzore, ku të shohësh që atë çke kërkuar në kaq e kaq vite, sërish ka mbetur një ndienjë abuzimi. Kaq vite, ti ke qenë këtu, ke parë çdo ndryshim dhe prap sheh çudi, që s’duhet t’i përkasin 2024-ës.

 

Momenti më i lumtur?

Momenti më i lumtur është ardhja e Kristës në jetë dhe kjo superon gjithçka tjetër. Çdo sekondë e jetuar me fëmijën tim është lumturi më vete, me të gjitha ulje-ngritjet në një kohë që jo ka ndryshuar, por është transformuar tërësisht.

 

Sa e vështirë është kjo balanca nënë dhe artiste, me gjithë dinamizmin që pason?

 

Më vjen keq ndonjëherë, sepse unë vijoj të kem të njëjtin ritëm në punë, më shqetëson kur ia marr kohës vajzës. Mundem shumë ta rikuperoj më pas.

 

Beson se pesha më e madhe bie mbi gratë, duhet të jenë 100%në shtëpi, 100% në punë, 100% nëna apo partnere?

 

Absolutisht po. Pesha më e madhe padiskutim bie tek gratë, tek nënat. Edhe dramat, edhe tmerret që dëgjojmë, janë reflektime të bërthamës, së edukimit ku zakonisht kjo detyrë ka rënë mbi gratë. Gra të palumtura, të frustruara, të rritura vetë në mjedise mbytëse, e kanë shumë të vështirë të jenë versioni më i mirë i asaj që mund të kenë brenda vetes dheta përçojnë. Megjithatë nuk besoj tek 100%.

 

Kujt i je më shumë mirënjohëse?

 

Janë shumë njerëz që i kam patur në krah në shumë momente të rëndësishme të jetës. Prindërve për vlerat që më kanë dhënë, jam rritur me parime, mbase çik më shumë idealiste sesa duhet. Tek prindërit fillon, por deri fiku edhe po aty mbaron.

 

Shumë artistë sot kanë rënë pre e “konsumizmo-komercializmit”, gjithçka për vëmendje. Është e vështirë t’i shpëtosh këtij tundimi?

 

Është ajo vëmendja e kërkuar në një kohë shumë të shkurtër. Pa nisur asgjë, ti kërkon menjëherë vëmendje. Unë me këtë nuk pajtohem kurrë dhe nuk e bëj pjesë të asaj çka dua të transmetoj. Në radhë të parë duhet të kesh vlera, t’i ndërtosh, t’i kultivosh e drejtosh si duhet. Ndoshta dhe mund të më ketë penalizuar, por unë jam shumë e kënaqur me jetën që kam, mënyrën si e kam ndërtuar. E jetoj të lirë, s”kam  kërkuar vëmendje kot asnjëherë, por të më mohosh vlerat që kam me atë që kam arritur, këtë nuk ia lejoj askujt. Kush ka nevojë për këtë lloj vëmendje, le ta kërkoj dhe le ta  marrë, por unë nuk mendoj se kështu duhet të ndodhë. Unë them në fund fare, që gjithmonë ka një publik të mirë, ka gjithmonë  njerëz që duan të shohin, të dëgjojnë diçka të bukur dhe nuk do presin që të ndodhë një skandal  që ata të marrin vëmendje. Besoj se në fund mbeten vlerat. Unë jetoj në një teatër, në një institucion ku ne luajmë krijimtari qe nga 1700 dhe  nuk di askush se çfarë skandali u ka ndodhur atyre krijuesve në ato vite dhe pse ju ngeli kjo vepër deri në kohët e tona.

 

E ke menduar ndonjëhetë shkëputjen nga opera, ke thënë ndonjëherë boll?

 

Thuhet kjo, në shumë raste. Sidomos kur të rastisin situata që thua pse duhet t’i jetoja këto vite, për të parë gjëra që s’duhen parë. Ama investimi dhe gjithë jeta e lidhur fort pas këtij profesioni nuk të lë.

 

Humbet pasioni me kohën?

 

Jo, pasioni nuk humbet. Vetëm nëse dorëzohesh ti.

 

Çfarë ka frikë Vikena në jetë?

 

Kur bëhesh nënë, gjithçka fokusohet tek fëmija. Personalisht jetoj atë që duhet të jetë më e mira për vajzën time, deri në realizimin e saj. Nuk më tremb gjë tjetër, as vdekja apo diçka tjetër. Ajo është drita e syrit dhe gjithçka fillon e mbaron aty. Kjo është e vërteta.

 

Ke dashur të kesh fëmijë të dytë?

 

Po edhe kam dashur, por profesioni me vështirësitë, kërkesa që do patjetër maksimumin. Frika a do u përkushtohesh të dyve njëlloj, pastaj ikin vitet dhe çdo gjë është aty ku duhet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *