Vetëm në Shqipëri priten pemë për të bërë lulishte!

Nga Artan Lame

Çfarë dini për Shijakun? Vë bast që asgjë, veç asaj këngës së vjetër “Ke ura Shijakut mblodha ca qershija”. Tjetër? Tjetër asgjë, as kujtesë historike, as kujtesë urbane, asgjë.
Në fakt, deri para ndonjë viti, kishte mbetur një park në mes të qytetit, në krye të së cilit ishte një lapidar, nga ata tipikisht komunistë, me një basoreliev bronxi, s’di e kujt autori. Jo ndonjë gjë e madhe, po sidoqoftë nja 50 a 60 vjet mbi shpinë i kishin. Pastaj një ditë, i prenë pemët që të gjitha që të bënin lulishte. Vetëm në Shqipëri ndodh që të priten pemët e lulishtes për të bërë lulishte (!!!).
Pastaj e shkatërruan edhe lapidarin dhe basorelievi prej bronxi natyrisht që përfundoi për skrap. Vetëm në Shqipëri ndodh që të shkruhet historia e re duke fshirë historinë e vjetër.
Ka pasur një piktor ai qytet, Agim Faja e thonin, që ka lënë edhe një pikturë të gjithë asaj situate në vitet ’80. Derisa dikush të mos kujtohet të zhdukë edhe pikturën, ajo do mbetet e vetmja dëshmi artistike e epokës.
Tani kemi një shesh prej betoni tullac (që në gjuhën profesionale quhet dizain bashkekohor) ku të pjek dielli dhe ndoshta pas nja 20 vjetesh do ketë serisht ndonje hije. Por pas 20 vjetesh natyrisht qe do ta shkatërrojnë prapë për të shkruar serisht historinë e re.
Nëse çdo brez do vazhdojë të rrafshojë çdo gjurmë të brezit tjetër, natyrisht që asnjëherë nuk do ta duam këtë vend dhe s’do shohim orën për t’ia mbathur.
A.

Sa për kuriozitet, e dini vargun e dytë të asaj këngës së fillimit? Thotë: “Do ja çoj bandillit meze per rakija”. Goxha histori apo jo? Tamam për hava t’bylbylave…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *