Pas afro një dekade nga prezantimi i projektit për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” nga ana e kryebashkiakut të atëhershëm të Tiranës, Edi Rama, u vendos sot guri i parë. Kryeministri, Edi Rama, si ideator i këtij projekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vendosën sot në mënyrë simbolike gurët e parë, duke shënuar nisjen e fazës finale për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, i konceptuar si një hapësirë publike kushtuar qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Kryeministri Rama falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e realizuar brenda një kohe të shkurtër, duke vënë në jetë transformimin e sheshit. “Mirënjohje për punën e admirueshme të Bashkisë së Tiranës, që në një kohë shumë të shkurtër na jep mundësinë të jemi së bashku, qoftë për Bulevardin Ri, qoftë për rilindjen e sheshit “Skënderbej”. Një rilindje e vështirë, por ashtu siç tregojnë sytë për të gjithë ata që i kanë sytë, një rilindje që është në prag të kurorëzimit. Projekti që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë e që pastaj u bllokua e u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës. Është një projekt i zhvilluar dhe i transformuar tanimë, në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, theksoi Rama.
Ai nënvizoi se projekti për sheshin ka përfituar përmirësime shumë të vlefshme, si në aspektin e larmishmërisë së gurëve, të cilët vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu edhe të funksionalitetit. Gjithashtu, vuri në dukje faktin se një tjetër element pozitiv që i është shtuar projektit të parë është bimësia dhe gjelbërimi, të cilat sipas tij do të ofrojnë një arsye më shumë që ky shesh të vizitohet, por edhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve të vazhdueshme klimaterike.
Kreu i qeverisë tha se për fatin më të mirë të kryeqytetit, sot përputhet qeveria në sinergji me Bashkinë e Tiranës. “Ky shesh është xhevahiri më i shkëlqyeshëm i kurorës së programit tonë të rilindjes urbane. Përmirësimi i ndjeshëm që i është bërë projektit në këtë fazë, si dhe puna e shkëlqyer, dhe cilësore, shembullore që po bëhet në këtë shesh për nga aspekti i realizimit, përbëjnë një motiv të fortë frymëzimi dhe besimi se asgjë nuk është e pamundur, nëse kemi vizionin e duhur, nëse kemi lidershipin e duhur, nëse kemi skuadrën e duhur dhe pa dyshim programin e duhur dhe të gjitha këto për fatin më të mirë të kryeqytetit, sot përputhen plotësisht në sinergjinë mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Dua ta mbyll me një shprehje tironse për Erionin: ‘T’lumtë dhe mos të humbtë’”, tha Rama.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se projekti që po realizohet është bazuar në projektin e 2008-s të ideuar nga Edi Rama, ndërsa i është nënshtruar edhe dëgjesave me qytetarët, duke reflektuar ndryshimet e nevojshme për shkak të kohës që ka kaluar. “Falë të gjitha konsultimeve publike, besoj do hyjë në histori si projekti më i konsultuar nga publiku dhe patëm disa ndryshime. Sot sheshi do të ketë 50% pllakë. E di që sheshi duket shumë i madh, por madhësia e tij në total është 28 mijë metra katrorë, që do të thotë që barazimi i pjesës së ngurtë me pjesën e gjelbërimit krijon një ekosistem, që është më i pranueshëm për dimrin e ftohtë dhe më i pranueshëm për verën që po bëhet gjithnjë e më e nxehtë”, tha Veliaj. Ai shprehu bindjen se krijimi i hapësirave pedonale si sheshi “Skënderbej”, si sheshi “Nënë Tereza”, si parku qendror që po projektohet në bulevardin e ri, është përgjigjja më e mirë ndaj një qyteti që është urbanizuar tej mase.
Veliaj tha se një ndër simbolikat më të forta të sheshit do të jetë vendosja e gurëve nga e gjithë Shqipëria. “Dy gurët e parë që do të vendosim sot me kryeministrin, njëri është nga Tropoja, tjetri nga Vlora, por do të kemi nga të gjithë trevat, përfshirë Çamërinë, Kosovën, Manastirin dhe gjithë zonat dhe krahinat e Shqipërisë, për t’u siguruar që kjo, jo vetëm është një metaforë dhe një simbolikë e bashkimit kombëtar, por edhe e faktit që Tirana është një shtëpi e hapur e të gjithëve. Një pjesë e investimit në shesh për të gjithë kritikët që thonë, “po hidhni paratë në Tiranë”, në fakt shumica e këtyre materialeve, e gurëve po blihen në zona të tjera të Shqipërisë”, tha Veliaj, ndërsa sqaroi se hapësira pedonale ka sjellë edhe një ulje të ndotjes në qendër të kryeqytetit.
Kryebashkiaku deklaroi se falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së pushtetit vendor nga Qeveria është bërë i mundur realizimi i disa projekteve të rëndësishme. “Pavarësisht nëse janë kantiere të vogla ose të mëdha, një gjë është e rëndësishme: ky qytet e ka të lidhur fatin e tij me mënyrën se si funksionon qeveria. Duam apo s’duam ne, për mirë apo për keq, Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës, bashkëpunojnë nëse punët i shkojnë mirë qytetit. Ju e patë farë mirë kur erdhi një qeveri që nuk bashkëpunonte me Bashkinë e Tiranës, e patë fare mirë si u shkatërrua “Zogu i Zi”, e patë si u shkatërrua ky investim që mund të kishte përfunduar 5 vite më parë. Duhet të jesh naiv shumë i madh që të mos kuptosh që punët i shkojnë mirë Tiranës, kur Qeveria qendrore e Republikës së Shqipërisë e mbështet Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj.
Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes që Qeveria qendrore i ka dhënë Bashkisë, Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që në 18 qershor të zgjedhin vijimësinë e investimeve dhe të projekteve për zhvillimin e Tiranës moderne.
“Pavarësisht se votimet janë 1 herë në 4 vjet, për Bashkinë, apo për qeverinë, për fatin e këtij qyteti, janë vendimtare mënyra sesi shkojnë votimet, si për Bashkinë ashtu edhe për qeverinë. E pamë se çfarë kosto degradimi dhe degjenerimi pësoi urbanistika në Tiranë dhe gjithë hapësira publike, gjatë kohës kur qeveria sabotonte Bashkinë apo më keq akoma, kur qeveria vodhi bashkinë, apo më keq akoma kur qeveria dhe bashkia fjetën gjumë në plaçkën që morën dhe që nuk ditën ta administronin. Çdo njeri në Tiranë që do ta shohë që Tirana të vazhdojë t’i ketë punët mirë, të vazhdojë të jetë një kantier, të vazhdojë të rritet vlera e pronës, të vazhdojmë të kemi cilësinë e kopshteve dhe shkollave dhe çerdheve që do të vijnë, është shumë e rëndësishme që në datën 18 qershor, Tirana të vazhdojë të mbështetet nga qeveria shqiptare që drejtohet nga Edi Rama”, tha Veliaj.
Projekti për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik, si edhe parasheh një seri me hapësira fleksibël e multifunksionale, që i ofrojnë Bashkisë dhe individëve mundësinë për ta gjallëruar e formësuar në mënyrë të vazhdueshme sheshin. Gjithashtu, ky shesh qendror është projektuar që simbolikisht të reflektojë unitetin kombëtar të shqiptarëve, duke vendosur materiale (gurë natyralë) dhe bimësi nga rajone të ndryshme të vendit tonë.