Nga Jonida Hitoveizi
“Shpërthen apo shpërtheu” është fjala më e përdorur nga shumica e mediave online për çfarëdolloj gjëje që ndodh në vend apo në botë.
Nëse merr guximin të lexosh jo më shumë se dy media online ti kupton se ka shpërthyer Putin, ka shpërthyer Donald Turmp, ka shpërthyer opozita në Kosovë, ka shpërthyer Ben Blushi në Korçë, ka shpërthyer Lulzim Basha, shpërthen Shkëlqim Cani, shpërthen deputeti dhe çdo njeri tjetër në këtë vend që mund të thotë apo artikulojë ndonjë mendim ndryshe apo mund të jetë agresiv në ligjërimin publik në momente të caktuara.
Por nuk është ky problemi pasi shpërthimi nuk ka mbaruar.
Ai vijon me shpërthime edhe më të frikshme të tipit, shpërthen tritoli, shpërthen bombla e gazit, shpërthen makina etj…
Duhet të kesh durim pastaj të lexosh tituj të tjerë shpërthyes të tipit “Çiljetës i shpërthen gjoksi”, “shpërthen misi”, “shpërthen këngëtarja”, “trupi shpërthyes i Kim Kardashian”, “shpërthen gazetarja live”, “shpërthen seksi”, “shpërthen filani kundër fistekut”.
Këto janë shpërthimet më të zakonshme dhe më të preferuarat e mediave online dhe kjo vetëm sepse diçka “shpërthyese” përbën gjithnjë lajm.
Ndaj me gjithë këto shpërthime, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, që ky popull “të mos pëlcasë”.